Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Koalicioni shqiptar në Luginë me dhjetë kandidatë për deputetë

Koalicioni shqiptar në Luginë me dhjetë kandidatë për deputetë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se koalicioni ndërpartiak shqiptar do t’i ketë 10 kandidatë në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.

Ai ka njoftuar se për dy ditë janë mbledhur rreth 6 mijë nënshkrime mbështetëse për ta shpallur listën zgjedhore me status të pakicës kombëtare.

“Koalicioni Shqiptar është shpallur zyrtarisht listë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, me statusin e listës së pakicës kombëtare shqiptare. Për vetëm dy ditë u mblodhën 6.319 nënshkrime mbështetëse, prej të cilave 5.988 u vlerësuan të vlefshme. Falënderoj çdo qytetar që nënshkroi dhe të gjithë aktivistët që punuan me përkushtim për përmbylljen e këtij procesi. Listën tonë e përbëjnë 10 kandidatë: 5 gra dhe 5 burra, nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri. Sipas CeSID-it, ajo është lista e tetë me status të pakicës kombëtare dhe e 17-ta e shpallur në këtë proces zgjedhor”, ka njoftuar ai.

Marrëveshja mes partive u arrit më 29 shtator. Ajo u ndërmjetësua nga kryeministri Albin Kurti.

Kamberi do t’i prijë listës.