Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një njoftimi ka bërë të ditur se partitë politike shqiptare të Luginës do të garojnë në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.
Kurti ka thënë se ata do të garojnë në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”.
Tutje ai ka shkruar se kjo është arritur pas bisedave e përpjekjeve për t’i afruar qëllimet, vullnetin e bashkëpunimin.
“Pas bisedave dhe përpjekjeve për t’i afruar qëndrimet, vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët. I falënderoj kryetarët e subjekteve politike: Shaip Kamberin (PVD), Visar Memetin (APN), Nagip Arifin (PD), Agim Sabedinin (PDSH), Shqiprim Musliun (LPD), Sami Salihun (LR), Armend Aliun (AL) dhe Naser Azirin (UDSH), për angazhimin dhe gatishmërinë që, përtej dallimeve, të gjejnë te njëri-tjetri bashkëbiseduesin dhe të ndajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka rikujtuar se serbët në Kosovë i kanë të garantuar 10 nga 120 ulëset në Kuvend derisa shqiptarët do të duhej të kishin së paku pesë në Parlamentin 250-vendësh të Serbisë.
“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse. Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar mes tjerash.
Edhe
Kurti: Shqiptarët e Luginës kanë nevojë për bashkëpunim e përgjegjësi të përbashkët
Kurti ka thënë se beson që ky bashkim i partive shqiptare atje, mund të sjellë punë të dobishme për qytetarët.
“Pavarësisht vështirësive dhe ndasive që e kanë shoqëruar këtë rrugë, besojmë se përgjegjësia e përbashkët mund të shndërrohet në punë të dobishme për qytetarët. Përfaqësimi i denjë kërkon këmbëngulje përballë padrejtësive, maturi në vendimmarrje dhe përkushtim ndaj nevojave të qytetarëve. Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre. Angazhimi ynë mbetet i vazhdueshëm për barazi, për dinjitet dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë të ardhmen në vendlindjen e vet”, ka përfunduar Kurti.
Shaip Kamberi është i vetmi deputet shqiptar në Parlamentin me 250 ulëse të Serbisë.