Prishtinë, 11 prill – Ndërprerja e diskutimit të një paneli që fliste për politikat për të rinjtë në Kosovë, ka paralajmëruar se agjenda do të ndryshojë për pak kohë. E ajo që ka pezulluar agjendën e ngjarjes vjetore “Activate Talks”, të organizuar nga UNICEF-i, ka mbërritur pak minuta para se moderatorja të paralajmërojë për një befasi.
Rita Ora ka zbritur fiks në 15:15 te Biblioteka Universitare e Kosovës. Me të hyrë Ora në amfiteatër kanë shpërthyer ovacionet nga rreth 500 veta që kanë qenë të pranishëm, kryesisht të rinj. Për pak më shumë se një minutë fjalimi i saj ka marrë vëmendjen e të gjithëve.
“Jam Rita dhe jam shumë e lumtur që jam këtu. Ka dy ditë që jam në Kosovë dhe kam pasur një udhëtim të mahnitshëm me UNICEF-in”, ka thënë ajo përderisa para saj ka qëndruar e ëma, Vera Ora.
Ora ka arritur në Prishtinë të hënën mbrëma, përderisa të martën dhe të mërkurën ka shëtitur nëpër Kosovë, duke takuar fëmijë e të rinjtë.
Ora është përshëndetur nga afër me panelistët, Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Burbuqe Bakija-Devën, zëvendësministre e Kulturës, ambasadorin austriak, Gernot Pfandler, atë suedez, Karin Hernmarck, Bajrush Sezairin, zëvendësministër i Arsimit e koordinatoren rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson. Ky ka qenë prezantimi i saj i vetëm publik gjatë vizitës së saj në Kosovë.
Gjatë ditës së martë Ora ka vizituar fshatin e komunitetit rom, Dubravë në Komunën e Ferizajt e po ashtu edhe një lagje rome në Fushë-Kosovë.
Para se të ndalej në kryeqytet, Ora ka vizituar kopshtin e fëmijëve “Shtëpia magjike” në fshatin Besi të Prishtinës. Atje ka arritur rreth orës 13:15 minuta. Krejt bisedat me fëmijë Ora i ka bërë në shqip. Ajo ka takuar rreth 35 fëmijë nga 40 sa janë gjithsej të regjistruar në “Shtëpinë magjike”.
Rita Ora tash shtatë vjet është Ambasadore Nderi e Kosovës. Këtë titull ia kishte dhënë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, qysh nga viti 2012, për t’ia dorëzuar në Londër në korrik të vitit 2015.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")
{gallery}