Skelet dhe grumbuj zalli të shpërndarë aty-këtu qëndrojnë ende në njërën anë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Institucioni që ka një fond prej 2 milionë njësish bibliotekare nuk arriti që t’i ketë të përfunduar kulmin dhe atikën para dimrit. Në fund të tetorit, Ministria e Kulturës kishte shpallur edhe kontratën e dytë për punime shtesë sa i përket hidroizolimit të BKK-së. Megjithatë, pa u bërë as një javë, teksa punimet po vazhdonin, gazeta pati raportuar se reshjet e shiut sërish kishin rrezikuar sallën e leximit. E me rënien e temperaturave në fund të nëntorit punimet janë ndërprerë. Për drejtorin e BKK-së, Fazli Gajraku, punimet do të duhej të kishin përfunduar para stinës së dimrit. Ka shpjeguar se vonesa e dhënies së lejes ka bërë që gjithçka të shtyhet.
“Këta duhej t’i përfundonin punimet para stinës së dimrit, por ka pasur vonesa në procedurat e dhënies së lejes nga Komuna e Prishtinës. Kjo ka bërë që të hynin në afate tepër të ngushta për realizimin e punimeve”, ka thënë Gajraku.
Sipas kreut të BKK-së, gjatë kësaj kohe është zhveshur kulmi i rrafshët për shkak të dëmeve nga shirat. “Ata i kanë ndërmarrë disa veprime që ta stabilizojnë situatën deri në rifillimin e punimeve në pranverë”, ka shtuar Gajraku. “Problemet me ujë janë ndalë, ka pasur dy herë reshje me shi, por nuk ka pasur rrjedhje brenda hapësirës së Bibliotekës”.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)