Mungesa e një platforme digjitale ka bërë që biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” të mos u ofrojë lexuesve qasje online, që do të ishte një ofertë e dobishme edhe në kohë pandemie me virusin COVID-19. Deri tani BKK-ja ka rreth 400 njësi libër dhe artikuj të gazetës “Rilindja”, që nuk mund të shfletohen pasi që nuk janë publikuar online.
Pas mbylljes së dyerve të Bibliotekës të hënën e 16 marsit, BKK-ja ka vetëm një listë me platforma të tjera virtuale, që po ua ofron të gjithë atyre që vizitojnë ueb-faqen e këtij institucioni. Planet ishin që gjatë këtij viti BKK-ja të merrte mbështetje financiare për realizimin e një platforme digjitale, por drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, është treguar skeptik sa i përket realizimit. Sipas tij, konkretizimi i këtij projekti për sivjet është goxha problematik, për shkak të buxhetit. Mirëpo ka shtuar se Biblioteka do të vazhdojë të jetë në dispozicion për të gjitha shërbimet e saj që mund të realizohen nëpërmjet komunikimit në distancë, ani pse nuk do të ketë mundësi që të ofrojë literaturën e saj në mënyrë digjitale, shkruan sot Koha Ditore.
Gajraku ka treguar se skanimi i disa veprave që të jenë të qasshme edhe online kishte nisur në vitin 2017 dhe për dy vjet disa tituj ishin skanuar me skaner të thjeshtë. Por, sipas tij, kjo ishte ndaluar pasi që ishte vënë re se skanerët po i dëmtonin librat dhe vetëm vitin e kaluar ka thënë se Biblioteka ishte pajisur me skaner profesional.
“Ne jemi duke bërë skanim të materialit, por nuk kemi pasur mjete financiare për të siguruar një platformë digjitale, ku do të mund të prezantonim të gjitha materialet që do të digjitalizohen. Digjitalizimi fillimisht kishte nisur me disa skanerë të thjeshtë, mirëpo ishte ndërprerë pasi që dëmtohej materiali. Tashmë kemi skanerin profesional me të cilin edhe po bëjmë skanimin e materialeve, por nuk kemi platformë për t’i prezantuar”, ka thënë ai.
Sipas Gajrakut, e vetmja mundësi e qasjes në materiale të ndryshme online që ofron BKK-ja në këtë kohë të pandemisë, është një listë e burimeve elektronike të vendosura nga Koalicioni Ndërkombëtar i Konsorciumit të Bibliotekave (ICOLC) dhe EIFL.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.