Kulturë

“Requemi” i Verdit bashkon në Tiranë Korin e Kosovës me atë të Shqipërisë

Një ditë para se të niset drejt Tiranës, Kori i Filharmonisë së Kosovës ka qenë në prova intensive për t’i dhënë formë “Requiemit” të Giusseppe Verdit, me të cilën vepër do t’i bashkohet Korit të Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, për koncertin në Tiranë, që jepet premierë të premten. Koncerti është rezultat i Kalendarit të përbashkët kulturor midis Shqipërisë dhe Kosovës, por nuk është thjesht përmbushje protokolli dhe ndjesinë për këtë e japin edhe pak minuta në prova

Sapo dirigjenti Baki Jashari jep shenjë, salla e vogël e institucionit të madh buçet prej zërave të Korit të Filharmonisë së Kosovës. Është një tjetër ndjesi në prova. Aty ka komunikim, pjesëve u rikthehen disa herë për ta trajtuar secilën notë në përpikëri. Është vepra e famshme “Requiem” e Giusseppe Verdit që po merr formë. Pasditja e së martës është goxha e ngjeshur në objektin ku mbahen provat. Jashari ulur në piano, koristët përreth janë koncentruar në partiturat e veprës me të cilën do t’i bashkohen Korit të Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, për koncertin në Tiranë në fund të javës. Është i pari bashkëpunim i këtij lloji midis dy institucioneve, së paku në këto dhjetë vjet.

Në ditën e pestë të provave, dyzet anëtarët e Korit janë përqendruar te pjesët më të vështira të “Requiemit”. Dirigjenti, njëherësh drejtor i Filharmonisë së Kosovës, bashkë me koristët, synojnë që çdo gjë të jetë e saktë. Edhe në prova, njashtu si kaherë në skenë, Kori dëshmon profesionalizimin e përkushtimin.

Pas përfundimit të provave, Jashari ka thënë se koncerti vjen me ftesë nga TOB-i dhe është rezultat i Kalendarit të përbashkët kulturor midis Shqipërisë dhe Kosovës, i cili nënshkruhet tash e sa vjet. Por nuk është thjesht përmbushje protokolli.

“Sonte ishte prova e fundit para nisjes për në Tiranë. Tashmë dihet që me ftesë të Operës së Baletit në Tiranë dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror, bazuar në Kalendarin e përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri, ne jemi pjesë e një projekti të përbashkët, ku Kori i Filharmonisë së Kosovës është ftuar t’i bashkëngjitet realizimit të një vepre madhështore vokalo-instrumentale, pra ‘Requiemin’ e Giusseppe Verdit”, ka thënë ai.

Duke kujtuar se Kori i Shqipërisë kishte performuar disa herë në Kosovë dhe edhe ai i Kosovës në Shqipëri, Jashari ka thënë se një bashkëpunim i tillë, ku të dyja koret këndojnë së bashku, vjen pas disa vjetësh mungesë.

“Do të jetë interesant ‘ballafaqimi’ me Korin e Operës. Ne kemi performuar veçmas, por unë nuk e mbaj në mend që së paku në dekadën e fundit kemi pasur ndonjë bashkëpunim të tillë, ku i bashkojmë forcat për të realizuar një vepër siç është ‘Requiemi’”, ka bërë të ditur Jashari.

Kori është nisur drejt Shqipërisë të mërkurë. Në Tiranë, provat do të vazhdojnë edhe për dy ditë të tjera para premierës së të premtes së 22 tetorit. Siç ka njoftuar Jashari, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë do të performojnë gjithsej 100 koristë.

“Ne do t’iu bashkëngjitim Korit të Operës së Tiranës me diku 40 koristë të Korit profesional të Filharmonisë së Kosovës, natyrisht me orkestrën e tyre dhe me një dirigjent italian. Në bazë të informatave që i kemi, ata do të jenë diku 60 koristë, që do të thotë që në skenë do të jenë plot 100 koristë. Natyrisht Filharmonia e Kosovës do të prezantohet denjësisht dhe ne besojmë që prezenca jonë do ta ngrejë në nivelin e duhur interpretimin e kësaj vepre madhështore”, ka thënë ai.

Fjolla Gashi, anëtare e Korit të Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se vepra e Verdit nuk është e panjohur për ta, por në këtë formacion e bashkëpunim vjen si debutim.

“Deri tani bashkëpunimi është duke shkuar shumë mirë, meqenëse këtë vepër e kemi kënduar para katër vjetësh në Angli me një dirigjent anglez dhe tani jemi rikthyer pas katër vjetësh për ta kënduar edhe njëherë ‘Requiemin’ e Giusseppe Verdi”, ka thënë Gashi, e cila edhe atëherë kishte qenë pjesë e Korit. Nga koncerti në Tiranë, Gashi ka thënë se nga ky koncert pret më të mirën e mundshme.

“Vepra është mjaft voluminoze me treqind faqe dhe ne do të mundohemi ta bëjmë më të mirën që ky koncert në Shqipëri, me Korin e Filharmonisë së Shqipërisë, të dalë sa më mirë që është e mundur”, ka thënë ajo.

Koncerti, që do të mbahet edhe të shtunën në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ka për dirigjent mjeshtrin italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.