Kur ka mbetur edhe një javë deri në spektaklin operistik që institucioni relativisht i ri, Opera e Kosovës, pritet të ridëshmojë potencialin para publikut vendor, testet veçse po bëhen. Orkestra ka zbarkuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë, e Kori ka intensifikuar provat në objektin e Filharmonisë përderisa ekipi i operës nën dirigjimin e Peter Velentovičit nën regji të Ognian Draganoff, paralajmëron spektakël madhështor. Është një rikthim i “Carmenit” në Prishtinë pas gati dy dekadash në një produksion krejt tjetër, ani pse pa kushtet e një salle adekuate. Paralelisht Orkestra dhe Kori, formacione të përkohshme të Operës, bëjnë prova në objekte të ndryshme. Kushtet në prapaskenat e përgatitjes së operës janë larg imazhit shkëlqyes që rezulton me finalen e gjithë procesit
Për projektin e radhës madhor, Opera e Kosovës do të gjurmojë nëpër rrëfimin e një tjetër kryevepre botërore. ”Carmen” e francezit Georges Bizet është rrugëtimi i radhës operistik, ngjarje që kulmon këtë vit pas koncertit të mahnitshëm të sopranos botërore, Ermonela Jaho, më 8 qershor. Projekti po merr formë secilën ditë dhe produkti final do të shihet më 22 e 24 korrik.
Kur ka mbetur edhe një javë deri në spektaklin operistik që institucioni relativisht i ri, Opera e Kosovës, pritet të ridëshmojë potencialin para publikut vendor, testet veçse po bëhen.
Nga 24 qershori kur kanë nisur përgatitjet, dirigjenti Edon Ramadani me Orkestrën e dirigjentet Lirjona Sylejmani dhe Adelinë Ndreca-Kolaj me Korin, i kanë dhënë dorën e parë përgatitjes para arritjes së mjeshtrit sllovak të operës Peter Velentovič dhe regjisorin bullgar, Ognian Draganoff.
Të hënën, paralelisht Orkestra dhe Kori, formacione të përkohshme të Operës, kanë qenë duke bërë prova. Kushtet në prapaskenat e përgatitjes së operës janë larg imazhit shkëlqyes që rezulton me finalen e gjithë procesit. Me gjithë kushtet e dobëta në Atelie, në verë i shtohet edhe vapa.
Pjesët që Orkestra ka ushtruar në fillimjavë kanë ngjarë të jenë instrumentale shoqëruese të vokalit të solistëve. Është bërë edhe më e dukshme kur dirigjenti Valentovič e interpreton tekstin aty-këtu sa për ta pasur të qartë formacioni i instrumentistëve se si do të vijojnë pjesët e tyre në shoqërimin e vokalit, se ku janë ndërprerjet e ku ndërhyrjet muzikore.
Mjeshtri sllovak punon me secilin seksion të formacionit të përbërë kryesisht prej harkorëve ndërsa në gishtërinj numërohen frymorët.
Siç ngjan edhe me operën komike për nga natyra tematike, harmonike e humoreske kanë ngjarë të jenë ariet që janë përgatitur.
Dirigjenti e pianisti 55-vjeçar, me përvojë të pasur në dirigjimin e operave të shumta, ka paralajmëruar se opera “Carmen” do të jetë shfaqje e mrekullueshme.
“Sot e patëm provën e parë me Orkestrën për ‘Carmen’, projekt për të cilin jam shumë i lumtur dhe jam i kënaqur që anëtarët janë gati, janë të përgatitur. Do të jetë një shfaqje e mrekullueshme sepse muzika është shumë e famshme dhe e mahnitshme. Ka plot melodi të njohura dhe Orkestra është e lumtur që do ta punojë atë. Më pas do të punojmë edhe me Korin, këngëtarët dhe do t’i përfshijmë të gjitha së bashku”, është shprehur ai në fund të provës me Orkestrën e Operës.
Ka treguar se puna po shkon me ritme të shpejta dhe se akti i parë dhe shumica e të dytit, janë punë e kryer. Për të është sfiduese puna me muzikantë ku shumë prej tyre janë të moshës së re.
“Është shumë sfiduese, por dalëngadalë po i punojmë partiturat dhe notat. Do të dalë shumë mirë, ndonëse disa pjesë muzikore janë shumë të vështira dhe do të na marrin më shumë kohë në prova, ndërsa disa janë shumë të lehta, sikurse ngjan me arien e famshme ‘Habanera’, të cilën gati nuk kemi nevojë ta ushtrojmë, sepse të gjithë e njohin, ose sikurse ‘Toreador’ që është shumë e lehtë. Mendoj se do të jetë shfaqje shumë e suksesshme”, ka thënë dirigjenti e pianisti sllovak.
I diplomuar në dirigjim në Universitetin e Muzikës në Vjenë dhe në Paris, në moshën 21-vjeçare debutoi si dirigjent me operën “Le Nozze di Figaro” në Vjenë. Ka qenë dirigjent rezident dhe drejtues kori në “Cape Town Opera”, ku udhëhoqi vepra si “Nabucco”, “Cavalleria Rusticana”, “Gianni Schicchi”, “A Midsummer Night’s Dream”, “Rusalka” dhe “Porgy and Bess”. Ka mbajtur gjithashtu postin e dirigjentit në Operën Shtetërore Turke në Stamboll dhe është i ftuar i rregullt në Operën Kombëtare Sllovake dhe në Filharmoninë Sllovake.
E opera “Carmen” është shumë e njohur për të. E ka punuar pjesën muzikore të saj me dhjetëra herë. Të martën kanë nisur provat edhe me regjisorin e shfaqjes.
Një numër i anëtarëve profesionistë të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës janë angazhuar për këtë projekt. Violinisti Visar Kuçi është koncert-mjeshtër. Ai e ka konsideruar veprën si një prej më të rëndësishmeve dhe më të mëdha të repertorit të muzikës klasike.
“Është shumë mirë që Opera e Kosovës ka vendosur ta realizojë. Jam shumë falënderues që më kanë ftuar që për këtë koncert të jem koncert-mjeshtër sepse normalisht ne të Filharmonisë bashkëngjitemi për të ndihmuar, pasi ky është një institucion në ndërtim e sipër dhe jam shumë i kënaqur me këto prova sesi po shkojnë deri tash”, ka thënë Kuçi.
Pas provës së parë, ka thënë se dirigjenti është shumë i përgatitur për veprën dhe se, sipas tij, kjo e lehtëson edhe punën e Orkestrës.
“Prova e parë me dirigjentin shkoj mjaft mirë, kjo edhe falë asaj që është përgatitur mirë Orkestra paraprakisht me Edon Ramadanin, por edhe që dirigjenti e njeh mjaft mirë këtë vepër. Një prej kolegëve më tha që e ka dirigjuar 80 herë, sepse është dirigjent operistik. Por njohja me veprën u vërejt menjëherë. Për ne është lehtësi kur dirigjenti është i këtij kalibri dhe i përgatitur, gjithçka shkon më lehtë”, ka thënë ai.
Në objektin e Filharmonisë së Kosovës, ansambli koral ka qenë duke u përgatitur në të njëjtën kohë. Nga ajo që dëgjohet, pjesët korale janë harmonike e kumbuese. Ngjan se Kori transmeton e krijon situata shpërthyese në këtë vepër.
Adelinë Ndreca-Kolaj dhe Lirjona Sylejmani kanë qenë atje duke punuar me këtë pjesë të operës.
Sylejmani ka thënë se janë në fazën përfundimtare të punës individuale të Korit, para se krejt formacionet bëhen bashkë në prova.

“E kemi përfunduar edhe pjesën e leximit, por edhe i kemi punuar në detaje të gjitha pjesët e Korit. Jemi dy dirigjente që jemi duke i mbajtur provat me Korin. Jemi të gjithë super të entuziazmuar për operën ‘Carmen’, një operë të cilën e kemi pritur me padurim. Shumë prej nesh e kemi parë në vendet e tjera e më në fund po shfaqet edhe në Kosovë, tani jemi të gatshëm ta shfaqim para publikut tonë të dashur”, ka thënë dirigjentja Sylejmani.
Ka thënë se veçori, e edhe sfidë, ka qenë gjuha e operës, e të cilën e kanë tejkaluar goxha mirë.
“Do të thosha gjuha, sepse Kori i Operës së Kosovës tashmë ka krijuar përvojë për këto tri vjet dhe në shumë aspekte nuk has në probleme, por kësaj here e kemi pasur gjuhën frënge. Shumica në fillim kemi qenë të shqetësuar se a do të arrijmë ta shqiptojmë si duhet, por më duket që tani jemi të gjithë të gatshëm të shkojmë në Francë. E kemi mësuar mjaftueshëm mirë”, ka thënë ajo me humor.
Rolin titullar në vepër e ka përsipër sopranoja Vikena Kamenica, si Don Jose interpreton tenori portugez Carlos Cardoso, si Micaela është Zana Abazi- Ramadani, në rolin e Escamilios është tenori ukrainas Vitaly Bilyy, si Morales është baritoni Harris Bajraktari, si Frasquita është sopranoja Urta Haziraj, në rolin e Mercedes është sopranoja Elona Sadiku, në atë të Zuniga baritoni Shaban Behramaj, si Remendado interpreton tenori Rizah Jahaj dhe si Dancaire është baritoni Denik Prizreni.
“Pas debutimit tim në ‘La Traviata’ rikthehem me një rol në ‘Carmen’ që është rol dytësor, por shumë i rëndësishëm për mua. Është Zuniga, një rol autoritativ dhe ka rolin kyç në raportin midis Carmen dhe Don Jose, që nënkupton që edhe Zuniga edhe Don Jose janë të vënë pas Carmen. Interesante është që ky rol është edhe komandant edhe flirtues, pra i ka të dyja anët e medaljes. Normalisht që është rol sfidues, pasi rolet dytësore mund të jenë sfiduese pasi kanë shumë pjesë shumë të shkëputura”, ka thënë baritoni Shaban Behramaj
Dashuri, obsesion dhe xhelozi, është trekëndëshi i tematikës së operës “Carmen” të Bizet. Vepra është bërë një pjesë integrale e repertorit të teatrove operistike në mbarë botën dhe është bërë një nga operat më të njohura botërore. Është shkruar në zhanrin e operës komike. Ngjarjet zhvillohen në Spanjën jugore dhe tregojnë historinë e rënies së Don Josés, një ushtari naiv i cili joshet nga dredhitë e Carmen.
Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi ka bërë të ditur se ky projekt i kushton institucionit rreth 300 mijë euro. Sikurse për “La Traviata” të Verdit më 2022, edhe për “Carmen”, Opera ka bashkëpunim me operën shtetërore Stara Zagora të Bullgarisë ku ky institucion sjell ekipe për koreografi, kostume, grim dhe të ngjashme.
“Ky titull operistik është vepër masive, edhe për shtëpitë me traditë operistike është vepër shumë e popullarizuar. Para 20 vjetësh e kemi realizuar në Kosovë, në vitin 2005 e inskenuar. Gjithmonë është sfidë sepse është numër i madh i Orkestrës, Korit, korit të fëmijëve, baletit”, ka thënë Ferizi.
Ka treguar se ftesa për dirigjentin qe bërë në qershor kur ai pati drejtuar koncertin e Filharmonisë së Kosovës, ku Ferizi është fagotist. Valentovič për të parën herë qe njohur me skenën muzikore në vend ku u patën ekzekutuar një koncert dhe një simfoni e Tchaikovskyt dhe ku soliste ishte pianistja e shquar, Sofya Gulyak.
“Na la përshtypje të mira, e pamë se ishte shumë praktik, shumë bashkëpunues dhe i zoti. I besonte Orkestrës. Pasi është edhe profesionist i fushës, e shfrytëzova rastin për ta ftuar dhe e pranoi me kënaqësi”, është shprehur Ferizi.
Premiera e operës së inskenuar në Kosovë do të jepet më 22 korrik në sallën “AMC” në periferi të kryeqytetit. E rishfaqja vjen dy ditë më pas.
Ndonëse salla private nuk është më e përshtatshmja për një ngjarje të tillë, Opera nuk ka pasur zgjidhje pos ta vendos rrëfimin në atë skenë që do të improvizohet.
“E kemi kërkuar sallën ‘1 Tetori’ sikur edhe për ‘La Traviata’, por ka shumë organizime sportive dhe nuk është e mundur ta shfrytëzojmë. E vetmja sallë alternative ka qenë prapë ‘AMC’ dhe jemi adaptuar aty pasi që patëm përvojën me ‘Gocën e Kaçanikut’. Realizohet, jo me të gjitha kushtet si në salla të dedikuara për opera, por atë e kemi më të përshtatshmen për momentin. Për këtë arsye kemi marrë edhe inxhinier zërimi, për të përshtatur kushtet sa më shumë”, ka thënë Ferizi.
Në vitin 2005 në amfiteatrin e “Gërmisë” qe inskenuar për të parën herë opera “Carmen” nga ai që atëkohë ishte Filharmonia dhe Opera e Kosovës. Ferizi ishte korist i Korit të Operës, i cili një vit më pas u bart si formacion i Filharmonisë si rrjedhojë e ndarjes së dy institucioneve.
“Si student ku sa ishim punësuar në këtë institucion të ri, ishte përvojë e re për ne, kishte jehonë të madhe të realizohej ‘Carmen’, edhe pse ishte realizuar në gjuhën shqipe, e adaptuar nga Shqipëria, por natyrisht me një nivel shumë më të dobët sesa do të realizohet tash. Ai ishte vetëm fillimi dhe me kapacitete të vogla nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia”, ka kujtuar Ferizi.
Opera “Carmen” në katër akte është rrëfimi i radhës i Operës së Kosovës për publikun e tij. Zbërthen fatin tragjik të kryepersonazhit si pasojë e veprimeve të saj në trekëndëshin e dashurisë që krijon.