Janë afro 150 vjet prej kur italiani Giussepe Verdi e kompozoi veprën “Messa da Requiem”. Duket tjetër botë kur koha merret si njësi matëse, por kur Filharmonia e Kosovës i vë në funksion krejt strukturat e saj dhe jo vetëm, sjell origjinalitetin e veprës komplekse. Me të edhe është përmbyllur sezoni me paralajmërimin për etapën e ardhshme madhështore. E për krejt këtë koncert të së shtunës mbrëma në një sallë private në Obiliq Filharmonia ka bashkëpunuar me Korin e Operës së Kosovës, Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, korin e fëmijëve “Okarina” dhe Korin e Qendrës së Fëmijëve të Prishtinës
“Messa da Requiem” e Giussepe Verdit është kapitulli tjetër i Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës. Me të ka dëshmuar se po avancohet çdoherë dhe se ka potencial për të vënë në skenë kryevepra botërore. Tejet komplekse në strukturë, me kontraste dramatike, por që interpretimi i Filharmonisë ka qenë një tjetër dëshmi se veprat do të vijnë të kompletuara në programin e saj.
Janë afër 150 vjet prej kur italiani Giussepe Verdi e kompozoi veprën “Messa da Requiem”. Duket tjetër botë kur koha merret si njësi matëse, por kur Filharmonia e Kosovës i vë në funksion krejt strukturat e saj dhe jo vetëm, sjell origjinalitetin e veprës komplekse. Me të edhe është përmbyllur sezoni me paralajmërimin për etapën e ardhshme madhështore. E për krejt këtë koncert të së shtunës mbrëma në një sallë private në Obiliq Filharmonia ka bashkëpunuar me Korin e Operës së Kosovës, Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, korin e fëmijëve “Okarina” dhe Korin e Qendrës së Fëmijëve të Prishtinës. Koncerti është drejtuar nga mjeshtri japonez Toshio Yanagisawa.
Ritme të fuqishme, kontraste dramatike e emocionet në pjesët tekstuale kanë qenë përshtypjet sipërfaqësore që e kanë përmbledhur krejt koncertin. Sekuenca tradicionale të ritit të funeralit latin janë përsëritur vazhdimisht. Kanë qenë trumbetat ato që në njëfarë forme kanë përthekuar ritmin dhe kanë shërbyer për të ngritur dinamizmin. Interpretimi i solistëve, sidomos ai i tenorit Klodjan Kaçani vinte si lutje dhe në thirrje janë bashkuar edhe mezosopranoja Ivana Hoxha e sopranoja Daria Masiero bashkë me basin Davide Procaccini nga Italia.
Për këtë të fundit ka qenë hera e parë që ka interpretuar me Filharmoninë e Kosovës.
“Është hera e parë që kam interpretuar me Filharmoninë e Kosovës, sikurse edhe veprën ‘Requiemin’. Ishte eksperiencë e bukur. Jam shumë i lumtur që kam interpretuar me këtë Orkestër fantastike”, ka thënë basi italian, Davide Procaccini.
Ashtu edhe për bashkëvendësen e saj, sopranon Daria Masiero. “Për mua ishte hera e parë të interpretoj në Kosovë, ka qenë kënaqësi të jem pjesë e këtij projekti të mrekullueshëm. Ka qenë kënaqësi gjithashtu të interpretoj me Orkestrën e mrekullueshme, korin, mjeshtrit dhe kolegët e mi. Jam shumë e lumtur dhe do të doja të interpretoja prapë me ta, sepse atmosfera ishte e mrekullueshme”, ka thënë Masiero.
“Messa da Requiem” ngërthen skenën muzikore si meshë katolike për katër solistë, orkestër, e më e veçanta – kor të dyfishtë.
Në pjesë të veçanta, ka mbizotëruar interpretimi i lehtë i violinave me përcjellje të Korit. Herë gratë e herë burrat kanë interpretuar pjesët e shkurtra me interaktivitet të theksuar, për t’u bërë zërat e 80 anëtarëve në një të vetëm. Kur interpretimi i tyre ka kulmuar, vazhdimësi e pjesës dinamike ka qenë interpretimi i tenorit Klodjan Kaçani bashkë me solistët e tjerë që krejt bashkë kanë shpërthyer në interpretim prej 250 vetash në skenë.
Tenori shqiptar, Kaçani, e ka interpretuar veprën 90-minutëshe edhe më parë, në tetor të vitit të kaluar kur Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë e kishte vënë në skenë për herë të parë në Shqipëri. Në rolin e tenorit në veprën “Messa da Requiem” ishte paraqitur edhe në disa qytete në Itali. “Kur këndon ‘Requiemin’ e Verdit krijohet një magji që mendoj se transmetohet shumë thjesht te publiku, sepse është një kryevepër, një prej veprave më të mëdha botërore. Sa herë që mund të interpretosh këtë vepër, thua a mund ta këndoj prapë, të filloj nga e para, sepse janë emocione që nuk mbarojnë”, është shprehur Kaçani.
Tenori shqiptar është tashmë i familjarizuar me Filharmoninë e publikun vendas. Ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionin shtetëror të muzikës klasike.
“Mendoj se Kosova po bën hapa para duke bërë vepra të tilla, e pse jo edhe opera, i duhet publikut, u duhet artistëve të Kosovës dhe shpresoj që sa më shpejt të bëhet një teatër, por nuk e di kur pushteti i tanishëm do ta marrë si detyrë”, ka thënë më tej Kaçani.
Vepra e Verdit është tejet operistike në stil liturgjik. Me efektet e bukura në vokal, pjesët e saj kthejnë vite pas me interpretimin në gjuhën latine. Struktura e veprës me ndërhyrjen e Korit, dinamizmin e instrumenteve dhe të interpretimit dominues të solistëve e ka bërë atë tejet atraktive dhe të gjallë. Në një pjesë arrin në pikën ku mezosopranoja Hoxha ka interpretuar pjesët minimaliste me tinguj të ulët të disa violinave përcjellëse, për të arritur kronologjikisht në pjesën ku krejt akterët në skenë bëhen bashkë në interpretimin që kulmon. Serinë e njëjtë e përsërisin disa herë.
Sipas kritikës, bëhet fjalë për një vepër tejet serioze e shpesh emocionuese. Shenjat e dinamizmit shfaqen kohë pas kohe, por nuk janë të shpeshta. Loja interaktive e solistëve ka qenë si komunikim mes tyre, por shpesh me zymtësi dhe e njëtrajtshme, fiks sikurse në një meshë. Kur trumbetat e kornot kanë kulmuar, interpretimi është vazhduar prej anëtarëve të Korit, të cilëve u kanë paraprirë goditjet e tupanit.
Kori është dyfishuar me fëmijët në skenë ku janë kombinuar ngjyra zërash. E kori i dyfishtë është veçanti e kësaj vepre. Të dytë bashkë kanë përsëritur fjalët e të solistëve. Takimi i dy pikave ekstreme – kulmuese dhe të ulët – me kontrastet e zërit, është përsëritur shpesh.
Dirigjenti rezident i Filharmonisë së Kosovës, japonezi Toshio Yanagisawa, ka thënë se institucioni ka potencial për të vënë në skenë vepra të tilla botërore.
“Filharmonia e Kosovës çdoherë ka energjinë, koncentrimin dhe sidomos Orkestra. Ka anëtarë me shumë eksperiencë. Unë kam marrëdhënie të mira me Orkestrën, mendoj se janë shumë të mirë”, ka thënë Yanagisawa.
Sipas tij, përgatitjet për veprën kanë qenë intensive dhe të gjata. “Ishte eksperiencë e mahnitshme për Orkestrën, sepse ‘Requiemi’ është vepër e komplikuar dhe kërkon shumë muzikantë, kërkon orkestër të madhe, gjithashtu edhe solistë. Është paksa e vështirë të bësh diçka të tillë, por sidoqoftë ne ia dolëm”, ka thënë në tej dirigjenti Toshio Yanagisawa që tashmë ka përvojë në interpretimin e “Messa da Requiem” me orkestra botërore.
Të dielën në koncertin e mbajtur në sallën “AMC” në Obiliq, pos Korit, edhe Orkestra e Filharmonisë është përforcuar me instrumentistë, veçanërisht në kornistë dhe trumpetist nga Tirana dhe Shkupi. Drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari ka thënë se bashkëpunimi ka ardhur si rrjedhojë e kalendarit të përbashkët ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Përgatitjet nga ana jonë kanë qenë mjaft intensive, dy ditët e fundit janë kyçur edhe Kori nga Shqipëria dhe instrumentistët shtesë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ishte një projekt jashtëzakonisht kompleks për t’u realizuar. Ajo që na ka mbetur si dëshirë dhe që nuk mund ta realizonin, ishte që vepra të prezantohej para një publiku më të gjerë”, ka thënë Jashari.
Ai ka treguar se fillimisht ishte menduar që koncerti, meqë nuk kishte sallë tjetër që akomodon gjithë interpretuesit, të mbahej në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Vitin e kaluar po aty kishte përmbyllur sezonin me koncert madhështor ku ishte interpretuar “Carmina Burana” e Carl Orff. “Plani ka qenë në sheshin Skënderbeu, por siç e dimë, ditëve të fundit ishte kohë vazhdimisht me shi dhe u detyruam ta mbajmë koncertin në këtë sallë që ishte e vetmja që mund të akomodonte një numër kaq të madh të performuesve”, ka treguar Jashari.
Veprën “Messa da Requiem” që është luajtur gjithandej në botë, kompozitori Giuseppe Verdi e kishte kompozuar në kujtim të shkrimtarit, filozofit e dramaturgut italian Alessandro Manzoni të cilin thuhet se Verdi e adhuronte. Premierën pati në në Milano në vitin 1874 ku u shënua përvjetori i parë i vdekjes së Manzonit. Vepra më pas u zgjerua në nderim të kompozitorit italian, Gioachino Rossini. Premiera e versionit të ri të saj prapë kishte përkuar me përvjetorin e parë të vdekjes së Rossinit të cilit i ishte kushtuar.
Me 95 interpretues në Korin e Filharmonisë, 80 në atë të fëmijëve, 75 instrumentistë dhe katër solistë, Filharmonia e Kosovës solli magjinë e veprave me të cilat publikun e shëtit nëpër skenat botërore. Me kryeveprën botërore vjen me mesazhin premtues se sezonin tjetër do t’i rikthehet fuqishëm publikut me program të larmishëm.
