EXPRESS

Filharmonia kurorëzon sezonin me “Messa da Requiem”

Janë një shekull e gjysmë prej kur italiani Giussepe Verdi e kompozoi veprën “Messa da Requiem”. Duket tjetër botë kur koha merret si njësi matëse, por kur Filharmonia e Kosovës i vë në funksion krejt strukturat e saj dhe jo vetëm sjell origjinalitetin e veprës komplekse. Me të edhe është përmbyllur sezoni me paralajmërimin për etapën e ardhshme madhështore.

Për këtë koncert të së shtunës mbrëma në një sallë private në Obiliq, Filharmonia ka bashkëpunuar me Korin e Operës së Kosovës, Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, korin e fëmijëve “Okarina” dhe Korin e Qendrës së Fëmijëve të Prishtinës. Koncerti është dirigjuar nga mjeshtri japonez Toshio Yanagisawa.

Ritme të fuqishme, kontraste dramatike e emocionet në pjesët tekstuale kanë qenë përshtypjet që e kanë përmbledhur krejt koncertin. Sekuenca tradicionale të ritit të funeralit latin janë përsëritur vazhdimisht.

Interpretimi i solistëve, sidomos ai i tenorit Klodjan Kaçani vinte si lutje dhe në thirrje janë bashkuar edhe të tjerët solistë. Kaçani e ka interpretuar veprën 90-minutëshe edhe më parë, në tetor të vitit të kaluar, kur Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë e kishte vënë në skenë për herë të parë në Shqipëri.

“Kur këndon ‘Requiemin’ e Verdit krijohet një magji që mendoj se transmetohet shumë thjesht te publiku, sepse është një kryevepër, një prej veprave më të mëdha botërore. Sa herë që mund të interpretosh këtë vepër, thua a mund ta këndoj prapë, të filloj nga e para, sepse janë emocione që nuk mbarojnë”.

Në rolin e solistit ka qenë edhe basi italian Davide Procaccini. Për të ka qenë interpretimi i parë i veprës, sikurse edhe paraqitja në skenën kosovare. Njëjtë ka ngjarë edhe për sopranon Daria Masiero.

“Është hera e parë që kam interpretuar me Filharmoninë e Kosovës, sikurse edhe veprën ‘Requiemin’. Ishte eksperiencë e bukur. Jam shumë i lumtur që kam interpretuar me këtë Orkestër fantastike”, deklaroi Procaccini.

“Për mua ishte hera e parë të interpretoj në Kosovë, ka qenë kënaqësi të jem pjesë e këtij projekti të mrekullueshëm. Ka qenë kënaqësi gjithashtu të interpretoj me Orkestrën e mrekullueshme, korin, mjeshtrit dhe kolegët e mi. Jam shumë e lumtur dhe do të doja të interpretoja prapë me ta, sepse atmosfera ishte e mrekullueshme”, tha Masiero.

“Messa da Requiem” ngërthen skenën muzikore si meshë katolike për katër solistë, orkestër, e më e veçanta – kor të dyfishtë. Është tejet operistike në stil liturgjik.

Dirigjenti rezident i Filharmonisë së Kosovës, japonezi Toshio Yanagisawa, ka thënë se institucioni ka potencial për të vënë në skenë vepra të tilla botërore.

“Filharmonia e Kosovës çdoherë ka energjinë, koncentrimin dhe sidomos Orkestra. Ka anëtarë me shumë eksperiencë. Unë kam marrëdhënie të mira me Orkestrën, mendoj se janë shumë të mirë”.

Të shtunën në koncertin e mbajtur në sallën “AMC” në Obiliq, pos Korit, edhe Orkestra e Filharmonisë është përforcuar me instrumentistë, veçanërisht në kornistë dhe trumpetistë nga Tirana dhe Shkupi. Drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari, ka thënë se bashkëpunimi ka ardhur si rrjedhojë e kalendarit të përbashkët ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Përgatitjet nga ana jonë kanë qenë mjaft intensive, dy ditët e fundit janë kyçur edhe Kori nga Shqipëria dhe instrumentistët shtesë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ishte një projekt jashtëzakonisht kompleks për t’u realizuar. Ajo që na ka mbetur si dëshirë dhe që nuk mund ta realizonin, ishte që vepra të prezantohej para një publiku më të gjerë”.

Me një prej kryeveprave botërore, Filharmonia e Kosovës vjen me mesazhin premtues se sezonin tjetër do t’i rikthehet fuqishëm publikut me program të larmishëm.