Kulturë

ReMusica me “Guxo të dashurosh” për edicionin e 18-të të festivalit

Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës “ReMusica”, ka shpalosur programin e edicionit të vet të 18-të. “Guxo të dashurosh” është motoja e festivalit, që mbahet prej 24 maj deri më 02 qershor.

Sipas njoftimit për media të këtij Festivali, “me programin e sivjetmë, edicioni i 18-të i festivalit ReMusica, do të ketë një shtrirje të gjerë, në prezantimin e ansambleve të ndryshme kamertale dhe solistëve eminentë, duke synuar që programi i prezantuar, të bëhet urë lidhëse në mes tendencave novatore që shfaqen në skenën koncertore europiane dhe publikut tonë prishtinas, një publikë me përvojë jo të gjatë, ndonëse gjithmonë kureshtare dhe dashamirëse”.

Në njoftim bëhet me dije se edicionin e 18-të të ReMusicas këtë vit do ta hapë “Guitar Trio Elogio”, formacion kitarash, shumë i respektuar në skenën koncertore kroate. Trion e përbëjnë instrumentistë, Tomisllav Vukshiq, Pedro Ribeiro Rodrigues, të udhëhequr nga kitaristi kosovar me famë botërore Petrit Çeku.

“Mysafir tjetër me renome i këtij edicioni, do të jetë edhe virtuozi, në instrumentin e tubës, Thomas Leleu, pamëdyshje, sot paraqet atraksion të vërtet në skenën franceze dh europiane, në përgjithësi, në një anë për virtuozitetin e tij të jashtëzakonshëm, si edhe për faktin se ai luan në një instrument që, deri vonë, nuk është konsideruar instrument solistik. Ndër tjera, Lelu, është fitues i çmimit prestigjioz Victoire de la Musique (French Grammy Awards). Në vazhdim të festivalit, Duoja atraktive nga Austria, Vira Zhuk dhe Mariam Vardzelashvili do të sjellin kartolinën nga Austria dhe do te jenë pjesë e koncertit të titulluar ‘Nga Austria me Dashuri’”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, koncertet me ansamble dhe autorë më eminentë shqiptarë nga Tirana e Prishtina, si gjithmonë, do të zënë vend të rëndësishëm në programacionin e sivjetmë.

“Po përmendim ansamblin 3x Quartett | OPERA KUARTET, i përbërë nga 6 instrumentistë të Orkestrës së Teatrit Operas dhe Baletit Tiranës dhe pedagogë të Universitetit të Arteve në Tiranë. Merita Rexha Tershana & Vikena Kamenica, solistet nga Shqipëria do të sjellin projektin e veçantë, veprën kulte të lidit gjerman në formën integrale të saj, ‘Udhëtimi dimëror’ të Franz Schubert. Thellësinë poetike të kësaj kryevepre të muzikës romantike do të na bëj edhe më të afërt, poezia që do të shoqëroj muzikën e Shubertit”, thuhet në njoftim.

Koncertet tematike të festivalit, ReMusica Junior dhe Nata Multimedia/Akusmatike edhe këtë vit synojnë promovimin e muzikës akusmatike dhe botës tingullore të saj.

“Koncerti i muzikës akusmatike në oktofoni dhe Video Performancë, e sjellë kompozitori, sound – designer dhe videografi, Clement Parmentier, nga Belgjika përmes 8 altoparlantëve dhe spacializimin e veprave të cilat eksplorojnë strukturat dhe shtresat tingullore”.

Sipas njoftimit, krahas koncerteve të mbrëmjes, si gjithmonë ReMusica do të sjellë segmente tjera dhe programe shtesë, si ‘ReMusica Edukative’, ku publiku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të jetë afër me muzikën, interpretin, instrumentin dhe kompozitorin.

“Publiku, i përbërë prej të të gjitha moshave, do ta ketë mundësinë të shijojë koncertet e shkurtëra dedikuar instrumenteve të veçanta”.

Në pasurimin programor të festivalit, thuhet më tej në njoftim, si edhe në vitet e mëparshme, kontribut të çmueshëm do të japin dy koncertet e ansambleve me renome: Kori i Filarmonisë (30 maj) dhe Orkestra Simfonike e Filarmonisë me koncertin e saj përmbyllës të festivalit (2 qershor).

“Përpos agjendës së mbushur koncertale, gjatë ReMusicas nuk do të mungojnë masterklaset, ligjëratat si dhe tribuna muzikologjike. Duke vazhduar traditën e shënimit të përvjetorëve, Remusica sivjet shëon 110 vjetorin e lindjes së pionerit të muzikës kosovare - Lorenc Antoni. Njëkohësisht do të shënohet 70 vjetori i lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi”, thuhet në njoftim.