Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Projekti i Shqipërisë për Muze Arkivor merr vëmendje botërore

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, ka prezantuar në Stamboll projektin për Muzeun Arkivor

Drejtuesit e muzeve më të mëdha botërore kanë vlerësuar me notë maksimale projektin e Muzeut Arkivor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë. Projekti është prezantuar në Simpoziumin e Muzeve të mbajtur në Stamboll, ku kanë marrë pjesë drejtuesit më në zë të muzeologjisë prej SHBA-së e deri në Japoni. Aty, siç shkruhet në njoftimin e DPA-së, arkivat shqiptare “kanë marrë për herë të parë ftesën për të aderuar në Këshillin Ndërkombëtar të Muzeve”.

Drejtori i DPA-së, Ardit Bido, ka shpalosur në punimet e këtij simpoziumi synimin për të krijuar një kompleks të mirëfilltë kulturor.

“Kjo është ideja e ekspozitës së përhershme, por që nuk është subjekti kryesor i kësaj hapësire. Përmban tri pjesë kryesore. E para është dyshemeja, që ka si fabul nga pas themelet mbi të cilat ecim. Me shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme gjatë historisë, të shkruara në xhamin mbi të cilin mund të ecni”, citohet të ketë thënë Bido. Sipas njoftimit në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së shpejti, historia dhe trashëgimia dokumentare shqiptare do të përcillen nëpërmjet teknikave interaktive, duke përçuar informacion përmes zbavitjes.

“Ideja që qëndron pas tij është se ti vjen në Arkiv, në Muze, ke paguar për këtë, por nuk mjafton kaq për të parë gjërat më të rëndësishme të tij. I pari ishte Kodiku i Beratit dhe e dyta është Deklarata e Pavarësisë, të cilën ne nuk e kemi, por ‘arkivat kanë çdo gjë’. Ndaj, e vendosëm meqenëse historia e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë është interesante. Ajo është humbur në vitin 1949-n dhe shumica e njerëzve nuk e dinë se si ishte në të vërtetë deklarata, sepse pandehin për origjinale një riprodhim të 1937-s, krejt të ndryshëm”, ka thënë Bido.

Pjesë e projektit është edhe krijimi i një hapësire studimi në natyrë dhe teatrit e kinemasë së hapur prej 150 vendesh, në oborrin rrethues të godinës së Arkivit.