Shqipëria është zgjedhur anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për mandatin 2026-2030, duke marrë 73 vota pro në procesin e votimit të zhvilluar në Paris.
Ky zhvillim përbën një arritje të rëndësishme në fushën e diplomacisë kulturore dhe angazhimit ndërkombëtar të vendit në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSi anëtare e këtij Komiteti, Shqipëria do të ketë një rol aktiv në proceset vendimmarrëse globale që lidhen me zbatimin e Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë dhe Kulturë të vitit 2003 për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, duke kontribuar në forcimin e politikave për ruajtjen e traditave, praktikave dhe shprehjeve kulturore.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili e ka cilësuar këtë një moment krenarie për vendin dhe një vlerësim për punën e institucioneve, ekspertëve dhe komuniteteve bartëse të trashëgimisë kulturore.
Sipas tij, “mbështetja që ka marrë nga shtetet anëtare për kandidaturën shqiptare përbën një përgjegjësi të re për vendin, e cila do të ushtrohet me profesionalizëm dhe në frymë bashkëpunimi ndërkombëtar”.
Shqipëria pritet të angazhohet në mënyrë aktive në nismat dhe politikat globale për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, në kuadër të platformave të UNESCO-s.
“Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale”, citohet të ketë thënë ministri Gonxhja.
Shqipëria është anëtare në UNESCO që prej vitit 1958. Procesi i anëtarësimit zgjati më shumë se 12 vjet, pasi kërkesa zyrtare e Shqipërisë ishte paraqitur që në vitin 1946. Kosova aplikoi për anëtarësim në vitin 2015. Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s e rekomandoi aplikimin, por në votimin përfundimtar në Konferencën e Përgjithshme nuk mori shumicën e nevojshme prej dy të tretash të votave. Kosova mori 92 vota pro, ndërsa i duheshin 95.