Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kanë nënshkruar të premten në Tiranë marrëveshje bashkëpunimi, e cila është cilësuar si hap në udhën e kryerjes së një sërë projektesh studimore me rëndësi kombëtare.
Drejtori i përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, dhe kryetari i AShSh-së, Skënder Gjinushi, janë dakorduar për standardizimin e ndërveprimit ndërinstitucional, në funksion të realizimit të studimeve historike dhe të përkujtimit të ngjarjeve me rëndësi qendrore për vendin.
Akademik Gjinushi ka thënë se bashkëpunimi i Akademisë së Shkencave me Arkivin e Shtetit është historik. Janë dy institucione që nuk mund të bëjnë dot pa njëri-tjetrin.
“Përmes kësaj marrëveshjeje dhe bashkëpunimit tonë, studiuesit përftojnë lehtësimin e përdorimit të dokumenteve arkivore dhe kontribuohet në pasurimin e studimeve albanologjike. Gjithashtu, ne parashikojmë të realizojmë projekte dhe aktivitete të tjera”, ka thënë akademik Gjinushi.
Sipas Bidos, DPA-ja ka pasur si qëllim të vazhdueshëm që çdokush të mund ta marrë dokumentin më lehtë dhe më mirë, në mënyrë që të avancojnë studimet në fushën albanologjike.
“Me anë të kësaj marrëveshjeje ne synojmë që të ketë një ulje të tarifës së studimit për të gjithë ata që punojnë në kuadër të një projekti shkencor kombëtar. Kjo vjen paralelisht me uljen drastike të tarifave të studimit që pritet të aplikohet në muajt e ardhshëm”, ka thënë Bido.
Marrëveshja dypalëshe përfshin hapjen e ekspozitave të përkohshme në mjediset e dy institucioneve respektive. Materiali dokumentar dhe fotografik, që do të ekspozohet nëpërmjet paneleve ekspozuese, videoprojektorëve dhe monitorëve, do të shërbejë si ilustrim për publikun dhe vizitorët vendas dhe të huaj, duke i bërë më të qarta dhe më konkrete periudhat historike që ka kaluar populli shqiptar ndër shekuj.
Edhe
Arkivat e Shqipërisë, në pritje të studiuesve nga trojet shqiptare dhe rajoni
Në këtë angazhim, DPA-ja merr përsipër përzgjedhjen dhe skanimin e materialit dokumentar, që do të jetë i qasshëm për publikun e gjerë. Krahas ekspozitave, institucionet bashkëpunuese do të realizojnë botime, konferenca shkencore, aktivitete dhe projekte të tjera përbashkëta, të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të përvojave, në drejtim të ekspozimit, ruajtjes dhe konservimit të dorëshkrimeve dhe materialeve të tjera arkivore.
Në funksion të mbarëvajtjes së këtij bashkëpunimi, DPA-ja pranon të trajtojë me përparësi dhe të aplikojë tarifa të reduktuara për çdo studiues që paraqitet në Sallën e Studimit me një autorizim nga ASH-ja, veçanërisht lidhur me konsultimet për hartimin e projekteve madhore në albanologji.
Ulja e kostos së dokumentit do të ketë një ndikim të favorshëm për të gjithë hulumtuesit të motivuar nga arsye studimore dhe në mënyrë të veçantë për studentët, të cilët kanë nevojë për burime të shumta dokumentare gjatë kryerjes së punimeve të tyre akademike.
-
Akademikët e Shqipërisë zotohen për rritjen e cilësisë së botimeve shkencore
-
Dy akademitë zyrtarizojnë bashkëpunimin për dy vjetët e ardhshëm
-
Akademia e Studimeve Albanologjike “shkrihet” në gjashtë njësi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
-
Marrëveshja Kosovë-Shqipëri për albanologji, “hap i madh” për kryeministrin