Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Piktura e Basquiatit në ankand me çmim fillestar prej 40 milionë dollarësh

Çdo sezon ankandesh, pikturat e Jean-Michel Basquiat nxirren në shitje, dhe së bashku me to vijnë shuma të mëdha parash. Kjo vjeshtë nuk do të jetë ndryshe në këtë aspekt, me shtëpinë e ankandeve “Christie’s”, e cila do të shesë pikturën e Basquiatit të vitit 1982, “Guilt of Gold Teeth” në një ankand në New York më 9 nëntor.

Një vepër e Basquiat, të cilën artisi e realizoi kur ishte vetëm 22 vjeç, do ta ketë çmimin fillestar rreth 40 milionë dollarë, ka thënë një zëdhënës i “Christie”.

Nëse piktura arrin çmimin e parashikuar, ajo do të konsiderohet ndër veprat më të shtrenjta të Basquiat që janë shitur ndonjëherë publikisht. Vetëm shtatë vepra të Basquiat, i cili vdiq në 1988 në moshën 27-vjeçare, janë nxjerrë në ankande për më shumë se 40 milion dollarë, shumica e të cilave janë bërë në fillim të viteve '80, gjatë epokës së karrierës së artistit që konsiderohet si vlera më e lartë për tregtarët dhe koleksionistët. Tri nga ato vepra u shitën në vitin 2021.

Një pjesë e arsyes që “The Guilt of Gold Teeth” iu dha një çmim kaq i madh është sepse i përket vetëm një grupi veprash që artisti krijoi ndërsa ishte në Modena, Itali, ndërsa ylli i tij po ngjitej me shpejtësi. Duke punuar më parë nën emrin SAMO, Basquiat u bë i njohur si “Jean-Michel Basquiat” më 1982 në Galerinë Anina Nosei të New Yorkut. Ekspozita u shit plotësisht në natën kur u hap për publikun. Një ekspozitë e ngjashme po aq e popullarizuar u hap edhe në Galerinë Bruno Bischofberger në Zürich.

Pas këtyre ekspozitave të njohura, Basquiat kishte vendosur të kishte shfaqjen e tij të dytë në galerinë e tregtarit Emilio Mazzoli në Modena. Në një profil të famshëm të “The New York Times” të vitit 1985, Basquiat kujtoi se Mazzoli i siguroi artistit tetë piktura të zbrazëta dhe priste që ato të mbusheshin me imazhet e tij të njohura vetëm gjatë një jave. Duke u ndier i shfrytëzuar, Basquiat tha: “Ishte si një fabrikë, një fabrikë e sëmurë. Unë e urreja atë”. Ekspozita u anulua dhe artisti i ndërpreu lidhjet e tij me Nosei menjëherë pas kësaj.

“The Guilt of the Gold Teeth”, një nga tetë pikturat e ciklit të tij, përmban në qendër një figurë të veshur me të zezë me një kafkë si fytyrë dhe një kapelë në kokë. Ajo krijesë i referohet Baron Samedit, i cili në Vodou të Haitit konsiderohet i lidhur me vdekjen. Piktura gjithashtu aludon lirshëm për yllin në rritje të Basquiat: fjala e shpikur “ASPURIA”, e shkruar dy herë në pjesën më të majtë të pikturës, është konsideruar një referencë ndaj fjalës italiane “aspirare”, që do të thotë “të aspirosh”.

Ana Maria Celis, drejtuese e shitjeve të artit të shekullit të 21-të në “Christie”, ka thënë në një deklaratë se piktura “përfaqëson një moment absolutisht thelbësor në karrierën e Basquiat”, dhe u bë pasi artisti po kalonte “një llogaritje kulturore me identitetin e tij si një afrikano-amerikan”.

Edhe Piktori vjedh piktorin dhe kapet me veprat në vlerë prej 80 mijë eurosh Kulturë Piktori vjedh piktorin dhe kapet me veprat në vlerë prej 80 mijë eurosh

Sipas “Christie’s”, piktura, si shumica e pikturave të tjera nga Basquiat, është mbajtur privatisht për një periudhë të gjatë. Sipas shtëpisë së ankandeve pronari i saj aktual e kishte mbajtur atë për gati një çerekshekulli. Pronari e bleu pikturën në “Sotheby’s” në New York më 1998, kur u shit për herë të fundit për vetëm 387 mijë e 500 dollarë, një çmim shumë më i ulët prej atij të parashikuar për ankand. “Në këtë treg të ashpër u kualifikua si një Pazar i mirë”, vuri në dukje gazetari i tregut të artit Judd Tully në atë kohë në “Washington Post”.

Vepra e dytë më e shitur e Basquiatit, një pikturë e kafkës 6 metra e gjatë, doli në ankand në “Christie’s” majin e kaluar nga koleksioni i bashkëthemeluesit të Valentino Giancarlo Giammetti dhe u shit për 93.1 milionë dollarë.

Marrë nga “ArtNews”. Përktheu: Rina Statovci