Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Onufri” i Beratit dyfishon numrin e vizitorëve

Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat në dy muajt e parë të vitit ka shënuar fluks të lartë vizitorësh vendës e të huaj. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina, ka thënë për Agjencinë Telegrafike të Lajmeve se “në dy muajt e parë të vitit 2023 ka pasur një mijë e 762 vizitorë që rezulton në rritje prej 173 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas tij, vizitorët janë vendës, por dhe të huaj kryesisht spanjollë, italianë, francezë e të tjerë.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtërve të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se një mijë e 500 objektesh që u takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Beratit dhe Myzeqesë.

Kohëve të fundit të shpeshta janë shkrimet e mediave të huaja që e promovojnë Shqipërinë si destinacion turistik. Në fillim të muajit prestigjiozja britanike, “The Guardian”, e ka provuar për turizmin alternativ. Sipas këtij mediumi, me peizazhet spektakolare larg bregdetit dhe mikpritjet miqësore nëpër ferma, Shqipëria po riformulohet si destinacion i udhëtimeve alternative. “Shteti i vogël ballkanik, dikur i mbyllur hermetikisht nga bota e jashtme, ka shënuar rritje të numrit të popullsisë për shkak të reputacionit gjithnjë e më madh si vend trendi dhe ekzotik”, ka shkruar gazetarja Helena Smith. Sipas saj, Shqipëria, si njëri prej destinacioneve që ka shënuar rritjen më të shpejtë të turizmit në Evropë, do të fokusohet në turizmin alternativ dhe jo masiv, një lëvizje që zyrtarët qeveritarë shpresojnë se do ta ndihmojë për t’u veçuar nga konkurrentët e tjerë. “Vitin e kaluar tërhoqi 7.5 milionë vizitorë, më shumë se dyfishi i popullsisë së Shqipërisë dhe ka një rekord prej 6.4 milionë vizitorësh në vitin 2019”, ka shkruar “The Guardian”.

Të shtunën, autoritetet shqiptare kanë përcjellë shkrimin e një tjetër mediumi ndërkombëtar që ka shkruar për pasuritë e Shqipërisë.

Gazeta e njohur franceze “Les Echos”, i ka kushtuar një reportazh lumit të Vjosës, i cili do të shpallet këtë vit Park Kombëtar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përcjellë në rrjetet sociale reportazhin. “’Përrallë ekologjike’ e quan Vjosën një prej gazetave më të njohura franceze, ‘Les Echos’ që i ka kushtuar këtë reportazh mrekullisë sonë natyrore, e cila do të shpallet Park Kombëtar dhe viti 2023 do të jetë ‘Viti i Vjosës’, ka theksuar kryeministri Rama. Në qershorin e vitit të kaluar, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Artikuj të ngjashëm