Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Muzeu “Onufri” me 40 mijë vizitorë në gjashtë muaj

Muzeu Onufri

Muzeu “Onufri” është një destinacion i përkryer për ata që duan ta njohin historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave. Është hapur më 27 shkurt të vitit 1986, me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, të cilët kanë bërë të mundur që për publikun të ekspozohet thesari i ikonave dhe i objekteve liturgjike që kanë qenë të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit

Drejtori i Qendrës Muzeore në Berat, Miklor Pasku, ka treguar se Muzeu i Ikonografisë “Onufri”, në 6-mujorin e parë të vitit është vizituar nga 40 mijë persona. Sipas tij, shumicën e vizitorëve e përbëjnë turistët e huaj, ndonëse këto ditë përballen me të nxehtin e verës. Prej vizitorëve të huaj, listën e kryesojnë polakët dhe më pas renditen francezët, italianët, ata që vijnë nga SHBA-ja dhe nga Azia

Muzeu Ikonografik “Onufri”, i cili gjendet në qendër të Kalasë së Beratit, mirëpret çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota. Drejtori i Qendrës Muzeore në Berat, Miklor Pasku, ka treguar se Muzeu i Ikonografisë “Onufri”, në 6-mujorin e parë të vitit është vizituar nga 40 mijë persona.

Sipas tij, shumicën e vizitorëve e përbëjnë turistët e huaj, ndonëse këto ditë përballen me të nxehtin e verës. Prej vizitorëve të huaj, listën e kryesojnë polakët dhe më pas renditen francezët, italianët, ata që vijnë nga SHBA-ja dhe nga Azia.

Muzeu “Onufri” është një destinacion i përkryer për ata që duan ta njohin historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave. Është hapur më 27 shkurt të vitit 1986, me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, të cilët kanë bërë të mundur që për publikun të ekspozohet thesari i ikonave dhe i objekteve liturgjike që kanë qenë të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit.

Me statusin e muzeut kombëtar, “Onufri” është njëri nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, që prej 27 shkurtit të vitit 1986, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, mban emrin e njërit prej kryemjeshtërve të pikturës shqiptare të shekullit XVI dhe është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut kombëtar “Onufri” në Berat përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe nga një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.

Edhe “Onufri” pret gati 20 mijë vizitorë në shtator Kulturë “Onufri” pret gati 20 mijë vizitorë në shtator

Nën dyshemenë e absidës më 12 gusht 1968 u zbuluan dy kodikët e famshëm të Beratit, “Kodiku i Purpurt i Beratit” (“Codex Purpureus Beratinus”) i shekullit VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shekullit IX pas Krishtit. Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit, si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Muzeu gjendet në ambientet e kalasë së Beratit, e cila vazhdon të jetë dëshmitare shekullore e historisë. Kalaja për të cilën besohet se është ndërtuar në shekullin e katërt para erës sonë dhe e cila gjendet në një kodër të lartë, është kurora e qytetit antik. Me portën e gjerë, 24 kulla vrojtimi, muzeu me veprat e artistit të njohur ortodoks të ikonave Onufri, mbetjet e xhamisë, kishat dhe shumë ndërtesa të ndryshme, kalaja e Beratit vazhdon të tërheqë vizitorë vendas dhe të huaj.

Kalaja me kohë ka qenë nën kontrollin e ilirëve, bizantëve, bullgarëve, serbëve si dhe osmanëve. Burimet theksojnë se brenda kufijve të kalasë kanë qenë 30 kisha por deri në ditët e sotme kanë arritur rreth 10. Gjithashtu brenda kalasë gjendet edhe Xhamia Fetih e ndërtuar në periudhën e Sulltanit Beyazit i Dytë, nga e cila sot ka mbërritur vetëm minarja.