Futboll

FFK-ja e shpall Jasharin më të mirin e xhiros

Jashari

Ndonëse Drenica mori vetëm barazim pa gola me Prishtinën e Re, Federata e Futbollit e Kosovës e ka shpallur një lojtar të kësaj skuadre si më të mirin e xhiros së 12-të të Superligës.

Bëhet fjalë për talentin Igball Jashari.

Sipas vendimit, Jashari ka pasur paraqitje të mirë individuale. 

FFK-ja e shpall rregullisht "Yllin e Javës".

"Për javën e dymbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Drenica, Igball Jasharit, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij për 80 minuta të ndeshjes. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Enver Prapashtica, Besim Slishani dhe Bujar Asllani", ka njoftuar FFK-ja.

Jashari u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i xhiros.

“Ndeshjen e kemi përgatitur mirë, edhe pse kemi pasur një orar shumë të ngjeshur. Gjatë javës kemi zhvilluar dy ndeshje, nga të cilat kemi arkëtuar 4 pikë që janë shumë të nevojshme për ekipin tonë", ka thënë Igball Jashari për sajtin e FFK-së.