Një platformë ku është rrumbullakosur krijimtaria e Shaqir Hotit është promovuar të enjten. Projekti për digjitalizimin e krijimtarisë së Hotit mban titullin “Okarina e Shaqir Hotit”. Profesoresha e muzikës, Besa Berberi, së bashku me Ilir Bajrin, Florent Boshnjakun, Visar Munishin dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë përmbledhur punën e tij krijuese në një platformë, si trashëgimi që mund të gjurmohet nga gjeneratat e ardhshme. Aty mund të luhet edhe okarina, të cilën Hoti e riprodhoi
Kur flitet për instrumente frymore, zor të gjendet një portret më kompleks dhe më përmbajtjesor sesa ai i Shaqir Hotit. Ai nuk ishte vetëm interpretues, por edhe ndërtues instrumentesh dhe shpikës i tyre. Novator në shumë aspekte. Trashëgimia e Shaqir Hotit shtrihet nga interpretimi, kompozimi e teoria muzikore, deri te rikonstruktimi i okarinës. Për shumëkënd ai ishte një gjeni rreth të cilit gravitonte tradita muzikore e këtyre anëve. Trashëgimia e tij artistike është e jashtëzakonshme, ashtu si edhe ajo njerëzore.
Një pjesë e kësaj trashëgimie tashmë ka një adresë digjitale. Një platformë ku është rrumbullakosur krijimtaria e Shaqir Hotit është promovuar të enjten.
Projekti për digjitalizimin e krijimtarisë së Hotit mban titullin “Okarina e Shaqir Hotit”. Profesoresha e muzikës, Besa Berberi, së bashku me Ilir Bajrin, Florent Boshnjakun, Visar Munishin dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë përmbledhur punën e tij krijuese në një platformë digjitale, si trashëgimi që mund të gjurmohet nga gjeneratat e ardhshme. Platforma, e ndarë në disa kapituj, përmban të dhëna biografike, informacione për instrumentet, krijimtarinë, publikimet dhe një album fotografish. Thuajse gjithçka ilustrohet me fotografitë e Arben Llapashticës. Por, siç ndodh shpesh në këto anë, ende nuk është vendosur në serverin shtetëror ku synohet të jetë: për ta vizituar online përdoret adresa: 64.225.104.219.
Okarina, si instrument neolitik që daton rreth 7 mijë vjet më parë, ishte zbuluar më 1968 në Runik të Skenderajt. Që nga periudha e luftës së viteve 1998-1999, ajo ndodhet në Beograd bashkë me artefaktet më të çmuara të Muzeut të Kosovës, të cilat u morën për një ekspozitë dhe nuk u kthyen më. Pas luftës së fundit, Shaqir Hoti e rikonstruktoi atë, duke ia kthyer këtë vegël muzikore vendit të tij – jo si artefakt, por si instrument.
“Okarina e ndërtuar nga argjila bën pjesë në instrumentet aerofone dhe si vegël paramuzikore (term kur muzika konsiderohet si krijimtari muzikore). Okarina me diametër 8 centimetër dhe gjerësi 6 centimetra ka tri vrima: ajo në krye, ku fryhet, është 10 milimetra, ndërsa dy vrimat e tjera me diametër 8 milimetra gjenden në pjesën e përparme (ku krijohet pentatonika që dëshmon lashtësinë e saj)”, shkruhet në platformën ku gjendet krijimtaria e Shaqir Hotit, i cili u lind më 14 qershor 1936 në Rogovë të Hasit dhe vdiq më 10 prill 2021 në Prishtinë.
Edhe
“Okarina” e çon zërin e Kosovës në skenat më prestigjioze të Gjermanisë
“Kam pasur fat të madh të punoj me zotëri Shaqir Hotin. Ai kishte një qetësi pothuajse apostolike. Ka shpërndarë njohuri edhe kur nuk e ke kuptuar se po mësoje prej tij. Dëshira e tij për të krijuar një shkollë digjitale ka qenë e kahershme. Kishte dëshirë ta dhuronte trashëgiminë e njohurive të tij për muzikën”, ka thënë bartësja e projektit, Besa Berberi.
Platforma tregon se prej vitit 1967 deri më 1989, Shaqir Hoti punoi në Radio Televizionin e Prishtinës si flautist, picolist dhe anëtar i orkestrës popullore, por shpesh luante edhe në instrumente të tjera. Ishte po ashtu pjesë e Orkestrës Simfonike. Aty bëhet e ditur se në vitin 1967 krijoi ansamblin folklorik “Azem Bejta”, me të cilin në vitin 1972 mori “Okarinën e Artë” në festivalin “Akordet e Kosovës” me këngën “Ah Hyrije”, me tekst të Rexhep Hoxhës dhe kompozim e harmonizim të vetë Shaqir Hotit.
Përshkrimi i notave të kompozimeve të mjeshtrit Hoti është bërë nga Arbnor Gashi. Ndërkaq, kompozitori Florent Boshnjaku, i cili ka incizuar lojën e Hotit për orë të tëra – arkiv që tashmë është pjesë e platformës – ka thënë se ka njerëz që lënë gjurmë në muzikë, por ka edhe të tillë që shkruajnë histori.
“Baca Shaqë ka shkruar histori, nuk ka lënë vetëm gjurmë. Që në takimin e parë e kam kuptuar se nuk po flisnim vetëm për muzikë, por për traditë e kulturë. Ai është histori dhe pasuri e jashtëzakonshme e këtij vendi. Kemi shumë incizime të përbashkëta, të realizuara në mënyrë spontane”, ka thënë ai.
Ka shtuar se jazz-pianisti Ilir Bajri ka marrë një rol të rëndësishëm duke mundësuar diçka krejt të re.
Platforma, përveç të tjerash, ofron edhe instrumentin e okarinës në mënyrë digjitale, gjë që e ka realizuar Bajri, një mik i afërt i Shaqir Hotit. Ai ka shkuar edhe më tej.
Edhe
“Zëri i saj” ndjek hapat e Nexhmije Pagarushës si kujtesë e trashëgimi
“Mund të përdoret për të nxjerrë edhe tinguj më bashkëkohorë. Ai vetë ka qenë shumë inventiv dhe i ka pëlqyer eksperimentimi. Kam provuar edhe ngjyra e mundësi të tjera me tingëllime më sintetike, pasi gjenerata e re përdor elektronikën në muzikë”, ka thënë Bajri.
Muzikologu Visar Munishi ka ndarë disa kujtime me Hotin, duke treguar se kavalli i tij nuk kishte vrimë rezonimi prapa, por përpara.
“Gajdja, për shembull, është e vështirë për t’u përdorur sepse kërkon mirëmbajtje shumë specifike – duhet trajtuar me qumësht dhe ka erë të rëndë gjatë përdorimit. Por ai e ka rikonstruktuar një tjetër që ka funksion të njëjtë dhe përdoret më lehtë”, ka thënë ai, duke krahasuar dy lloje gajdesh.
Incizime të shumta, fotografi dhe instrumentet e punuara nga Hoti janë pjesë e platformës.
Shaqir Hoti që në moshën 6-vjeçare luajti me instrumentet aerofone si fyej, kavalle, bishtnica, pipëza e të tjera. Shkollën fillore tetëvjeçare e kreu në vendlindje gjatë viteve 1945–1954. Shkollën e muzikës “Josip Slavenski” në Prizren e ndoqi midis viteve 1954–1959. Dy vjetët e parë studioi violonçel te profesori Lorenc Antoni, ndërsa dy vjetët e fundit flaut te profesori Barishiq. Mësimet zhvilloheshin në gjuhën serbo-kroate. Në vitin 1957 realizoi incizimet e para në Radio Prishtinë me valle baritore, nën mbikëqyrjen e Lorenc Antonit. Në këtë kohë u njoh edhe me Ymer Rizen dhe Qamilin e Vogël. Meloditë e tij transmetoheshin çdo ditë në programin e Radio Prishtinës, në orën 5 të mëngjesit, deri në vitin 1989, kur u mbyllën institucionet e Kosovës.
Edhe
Kënga e kujtimi për Nexhmije Pagarushën edhe me perlat e epokës së saj
Hoti bashkëpunoi me shumë interpretues dhe kompozitorë vendas. Shumica e krijimeve të tij janë tashmë pjesë e platformës. Mbi të gjitha, ai do të mbahet mend si rikthyes i okarinës, por edhe si shpikës instrumentesh. Ai ishte një shkollë më vete e traditës popullore, duke bërë që meloditë e vjetra të bëhen pjesë e muzikës më avangarde. Ndërsa tani, kjo platformë – ende jo plotësisht e kompletuar – do të shërbejë si arkiv dhe si trashëgimi nga e cila mund të nxirren ritme e ngjyra që u hyjnë në punë edhe krijuesve të sotëm.
Lexo edhe: