Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Njeriu me armë” për Kosovën e 1999-s, në krye të listës botërore

njeriu me arme

Kompozitori Sir Karl Jenkins ka thënë se është “kënaqësi e madhe” të jetë kompozitori i parë i gjallë që arrin vendin e parë në listën “Classic FM Hall of Fame 2026”

Duke lënë prapa vepra kompozitorësh si Mozart, Dvořák, Barber, Rachmaninoff, Vivaldi apo Beethoven, vepra “Njeriu me armë: Meshë për paqe” në cilën Sir Karl Jenkins e shkroi më 1999 për Kosovën në flakët e luftës, është votuar si vepra më e pëlqyer në listën botërore “Classic FM Hall of Fame 2026”. “Është një rrëfim për konfliktin dhe luftën”, ka thënë ai. “Fillon me paqe dhe përgatitje për luftë dhe konflikt, reflektimin pas kësaj dhe pastaj shpresën për një të ardhme më të mirë. Por kjo, sigurisht, nuk ndodhi kurrë. Dhe ja ku jemi, 25 vjet më vonë, në mes të gjithë këtij rrëmuje globale, kështu që kjo ishte njëra anë”

Vepra muzikore e kompozitorit uellsian, që thekson terrorin dhe tragjedinë e luftës, ka zënë vendin e parë në sondazhin më të madh vjetor të muzikës klasike në botë.

“The Armed Man: A Mass for Peace” (Njeriu me armë: Meshë për paqe) nga kompozitori Sir Karl Jenkins, u votua si vepra më e pëlqyer në “Classic FM Hall of Fame 2026”. Gati 90,000 vota nga publiku u hodhën në listën e këtij viti, me vendin e parë të shpallur të hënën nga prezantuesi Dan Walker.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sir Karl, i lindur dhe rritur në Penclawdd, Swansea, ka thënë se është “kënaqësi e madhe” të jetë kompozitori i parë i gjallë që arrin vendin e parë në këtë renditje.

“Është mirë të jesh gjallë dhe të marrësh çmimin, në vend që të jesh i vdekur dhe të vlerësohesh me të. Është e çuditshme që kjo ndodh kështu”, ka thënë ai duke folur në emisionin “BBC Radio Wales Breakfast”, ai ka thënë.

Dedikuar viktimave të luftës në Kosovës, kjo vepër korale e vitit 2000 nga kompozitori 82-vjeçar reflekton mbi shkatërrimin e konfliktit, ndërsa shpreh shpresë për paqe.

“Në sfondin e ngjarjeve aktuale botërore, mesazhi i saj mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke theksuar temat e përhershme të paqes dhe shpresës për të ardhmen”, thuhet në postimin e “Classic FM Hall of Fame”.

Kjo është gjithashtu vepra e parë korale që arrin vendin e parë që nga fillimi i sondazhit në vitin 1996. Kompozitori Jenkins kishte gjithashtu katër vepra të tjera në listën e këtij viti – “Adiemus”, e renditur në vendin e 66-të, “Palladio” në vendin e 82-të, “Gloria”, e pozicionuar në vendin e 191-të dhe “Requiem”, e renditur e 300-ta në listë.

“Njeriu me armë” fillimisht u porosit në vitin 1998 nga organizata të ndryshme si një meshë për të shënuar mijëvjeçarin, ka thënë Sir Karl, duke shtuar se është interpretuar “globalisht” katër mijë herë, që nga viti 2000.

“Është një rrëfim për konfliktin dhe luftën”, ka thënë ai. “Fillon me paqe dhe përgatitje për luftë dhe konflikt, reflektimin pas kësaj dhe pastaj shpresën për një të ardhme më të mirë. Por kjo, sigurisht, nuk ndodhi kurrë. Dhe ja ku jemi, 25 vjet më vonë, në mes të gjithë kësaj rrëmuje globale, kështu që kjo ishte njëra anë. Ana tjetër është se më pëlqen të mendoj se ka një arsye për këtë, që muzika tërheq dhe është e paharrueshme”.

Gjatë viteve, Sir Karl ka thënë se shumë njerëz i kanë treguar se si kjo vepër i ka ndihmuar në kohë të vështira.

“Mesazhi i saj është po aq i rëndësishëm sot sa ishte 25 vjet më parë”, ka thënë. “Ka prekur shumë njerëz. Marr shumë mesazhe nga njerëz që janë të sëmurë dhe që po vdesin, njerëz me trauma në jetën e tyre, të cilët më kanë treguar për mbështetjen që u ka dhënë kjo muzikë”.
Sondazhi i këtij viti gjithashtu nxori në pah ndikimin në rritje të muzikës së filmave, me një rekord prej 40 hyrjesh të reja në listën e “Classic FM”.

Muzika e Howard Shore për filmat “The Lord of the Rings” renditet në vendin e tetë, duke qenë pozicioni më i lartë për një kolonë zanore filmi në historinë e listës, ndërsa muzika e John Williams për “Schindler’s List” renditet në vendin e 13-të.

Lista e vitit 2026 përfshin 65 vepra nga kompozitorë të gjallë, përfshirë Hans Zimmer, Rachel Portman dhe Ludovico Einaudi, duke reflektuar rritjen e popullaritetit të muzikës klasike bashkëkohore.

Pavarësisht suksesit historik të Jenkinsit, Wolfgang Amadeus Mozart mbetet kompozitori më i përfaqësuar në total, me 12 vepra në listë.

Sir Karl ka thënë se ishte i vetëdijshëm për gjigantët muzikorë përreth tij.

“Është një sondazh popullariteti dhe unë as nuk po mendoj për faktin që pas meje në listë janë gjithë këta gjeni të muzikës klasike, nga Mozarti te Beethoveni dhe madje edhe John Williamsi. Në këtë kuptim, është kënaqësi e madhe të vlerësohem në këtë mënyrë”, ka thënë kompozitori uellsian.

Top-10 veprat e “Classic FM Hall of Fame 2026”

  1. “The Armed Man: A Mass for Peace” – Karl Jenkins 
  2. “Requiem” – Wolfgang Amadeus Mozart 
  3. “Symphony No. 9 (From the New World)” – Antonín Dvořák 
  4. “The Lark Ascending” – Ralph Vaughan Williams 
  5. “Adagio for Strings” – Samuel Barber 
  6. “Piano Concerto No. 2” – Sergei Rachmaninoff 
  7. “Four Seasons” – Antonio Vivaldi 
  8. “Symphony No. 5” – Ludwig van Beethoven 
  9. “Gladiator (film score)” – Hans Zimmer 
  10. “The Planets” – Gustav Holst
     

Historia e “Njeriut me armë”

Ka qenë viti 1999 kur kompozitori i shquar Sir Karl Jenkins, nën ushtimën e bombave e imazheve të masakrimit të shqiptarëve në Kosovë, do t’i rrekej kompozimit të “Njeriut me armë: Meshë për paqe”.

VIDEO: Meshë për paqe

Tingujt e marshit ushtarak i hapin rrugë Ezanit. Jenkins e kishte shkruar veprën e cila ishte porositur nga Muzeu Mbretëror i Armatimit në Mbretërinë e Bashkuar me rastin e festimeve të Mileniumit. Ia kishte dedikuar viktimave të Kosovës. E bazuar në meshën katolike, të cilën Jenkins e gërsheton me burime të tjera, kryesisht me këngën folklorike të shekullit XV, “Njeriu me armë” futet thellë në tragjedi.

VIDEO: The call to prayers (Ezani)

“The Call to Prayers” (Ezani) vjen si pjesë e dytë në veprën që përballjen me viktimat, pasojat e tjera të luftës e thirrjet për paqe i ka universale duke bashkuar popuj, raca e religjione. Vijon me 11 pjesët e tjera si “Agnus Dei”, “Now the Guns Have Stopped”, “Benedictus” e të tjera, për t’u përmbyllur me “Better is Peace”. Kjo vepër u rikthye në vendin të cilit i dedikohet në një interpretim madhështor, më 6 korrik të vitit 2024 në koncertin në sheshin qendror të Prishtinës, në 25-vjetorin e çlirimit. 

VIDEO: Better is Peace

“Njeriu me armë: Meshë për paqe” vepër që u rikthye në vendin të cilit i dedikohet në një interpretim madhështor, më 6 korrik të vitit 2024 në koncertin e Filharmonisë së Kosovës në sheshin qendror të Prishtinës, në shënim të 25-vjetorit të çlirimit (Foto: Enes Sahiti)

Shpalosja e historisë së Kosovës në “Koncertin për paqen” qe bërë edhe në majin e vitit 2019 në kryeqendrën franceze në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit. Kisha e ushtarëve, që është pjesë e katedrales “Saint-Louis-des-Invalides” ishte nikoqire e Filharmonisë së Kosovës për të zbërthyer tragjedinë e luftës nëpërmjet një interpretimi të nivelit të lartë. Premiera në Kosovë e kësaj vepre qe dhënë në vitin 2015 kur i pranishëm kishte qenë edhe vetë kompozitori i cili u dekorua me “Urdhrin Presidencial të Meritave”. Në të tre këto interpretime, dirigjent kishte qenë Baki Jashari. 

VIDEO: Benedictus - The armed man 

“Vepër muzikore e përkryer e cila përmbledh më vete përkushtimin e autorit që në botë të mos ketë më luftëra. Andaj edhe mbyllet me thënien ‘Më mirë paqe se luftë’. E dimë që vepra është shkruar më 1999 gjatë bombardimeve të caqeve serbe. Pamjet e tmerrshme të luftës që ka përjetuar populli ynë i kanë lënë përshtypje të thella kompozitorit, i cili edhe në preambulën e partiturës shkruan: ‘Dedikuar viktimave të luftës në Kosovë’. Kjo vepër është shkruar për ne”, kishte thënë Jashari pas koncertit të vitit 2024.

LEXO EDHE: