Kulturë

Madhështia e Beethovenit në Kosovë – thirrje për paqe në kohë trazirash

Madhështia e Beethovenit në Kosovë – thirrje për paqe në kohë trazirash

Orkestra e Kori i Filharmonisë së Kosovës, në bashkëpunim me formacionin koral të Operës së Kosovës si dhe me solistë, nën drejtimin e dirigjentit, Toshio Yanagisawa, kanë qenë armata e koncertit madhështor në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë (Foto: Arben Llapashtica)

Përtej poetikës e estetikës muzikore, mesazhet për paqe, shpresë e mirësi janë sjellë me vargje e ritme në një epokë të trazuar nga luftërat me madhështinë e Beethovenit në koncertin me “Fantazinë korale” dhe “Simfoninë e Nëntë” të Filharmonisë së Kosovës në bashkëpunim me formacionin koral të Operës së Kosovës si dhe me solistë, nën drejtimin e dirigjentit, Toshio Yanagisawa. Ka qenë një lloj nderimi për 255-vjetorin e lindjes së kompozitorit gjerman e festë për trashëgiminë e çmueshme që u ka lënë brezave të muzikantëve edhe dy shekuj pas

Me ndjenja të forta dhe emocione të thella mund të përshkruhet koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës. Në thelb është një tjetër përjetim shpirtëror nëpër partiturat e një prej gjenive të muzikës klasike botërore. “Fantazia korale” dhe “Simfonia e Nëntë” e Beethovenit kanë qenë plot harmoni e dramë bashkë të zbërthyera në kompleksitetin e thellësinë muzikore. Përtej poetikës e estetikës muzikore, mesazhet për paqe, shpresë e mirësi janë sjellë me vargje e ritme në një epokë të trazuar nga luftërat.

Orkestra e Kori i Filharmonisë së Kosovës, në bashkëpunim me formacionin koral të Operës së Kosovës si dhe me solistë, nën drejtimin e dirigjentit, Toshio Yanagisawa, kanë qenë armata e koncertit madhështor në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Ka qenë një lloj nderimi për 255-vjetorin e lindjes së kompozitorit gjerman, Ludvig van Beethoven, e festë për trashëgiminë e çmueshme që u ka lënë brezave të muzikantëve edhe dy shekuj pas.

Po kaq e vjetër është “Simfonia e Nëntë” e tij, një prej kryeveprave të historisë botërore të muzikës. Është e veçantë në shumë dimensione. Për dëgjuesin e rëndomtë, për kënaqësinë që sjell përjetimi i saj, për mesazhet e saj si thirrje radikale për barazi, liri dhe unitet, ndërsa për literaturën muzikore si e para vepër në llojin e saj që ka bërë bashkë solistët, korin dhe orkestrën.

I shumtë qe publiku pjesëmarrës. Një pjesë e të pranishmëve në sallë qëndruan në këmbë ndërsa një pjesë e mirë e ndoqi nga korridori sipër saj (Foto: Arben Llapashtica)

Maestro Toshio Yanagisawa ka vlerësuar se në përgjithësi, veprat e kompozitorit gjerman janë përherë unike.

“Beethoven është gjeni i muzikës. Në veprat e tij përherë ndryshon diçka nga forma tradicionale. Struktura e veprave të tij është interesante, kjo është interesante në interpretimin e muzikës klasike. Ajo, qoftë e vjetër apo moderne, përherë ka zhvillim të ndryshëm. Kjo është e rëndësishme të kihet parasysh”, është shprehur dirigjenti japonez, i cili që prej 2007-s punon me Filharmoninë e Kosovës.

Duke e parë avancimin e institucionit përgjatë gjithë kësaj kohe, e ka konsideruar koncertin e së enjtes si hap të ri drejt progresit të profesionalizmit.

“Jam i angazhuar këtu për gati 18 vjet, pra prej 2007-s dhe gjithmonë ndjehem se kalojmë në hapa të rinj. Edhe ky ishte një hap i mbarë dhe një progres për Filharmoninë e Kosovës”, është shprehur ai.

Në kohën e parë të “Simfonisë së Nëntë” të Beethoven – “Allegro ma non troppo, un poco maestoso” – hapja është në formë të një sonate me tinguj të ngadaltë e tingull të akorduar. Përpara zhvillimit të hovshëm, tingulli vibrant vjen në shprehje. Në “Molto vivace” tingujt vijnë me natyrë vajtimi dhe partiturat janë përherë si hapje të temave të reja me plot pjesë solo, e në shumë raste si trio. Koha e tretë “Adagio molto e cantabile” vjen plot ritme e me pasazhe të papërsëritura, si kapituj të veçantë të pjesës.

Vepra, por edhe koncerti si tërësi, ka kulmuar me kohën e fundit “Finale” që njihet edhe si “Ode gëzimi” dhe ku përfshihen edhe kori e solistët.

Me sopranon Zana Abazi-Ramadani, mexosopranon Olga Podgornaya, tenorin Denis Skura dhe baritonin bullgar Ivo Yordanov, përcjellë me interpretim dramatik nga Kori e Orkestra, jehona e kësaj pjese ka qenë mesazh i fuqishëm për publikun në kuptimin e simbolikave që ka kjo pjesë.

“Simfonia e Nëntë” është e veçantë në shumë dimensione. Për dëgjuesin e rëndomtë, për kënaqësinë që sjell përjetimi i saj, për mesazhet e saj si thirrje radikale për barazi, liri dhe unitet, ndërsa për literaturën muzikore si e para vepër në llojin e saj që ka bërë bashkë solistët, korin dhe orkestrën (Foto: Arben Llapashtica)

Dirigjenti Yanagisawa ka thënë se vepra i përshtatet secilës kohë, edhe asaj të sotme të mbushur me luftëra e konflikte.

“‘Ode gëzimit’ ka kuptim të veçantë për të gjithë muzikantët dhe publikun sepse është një revolucion i njerëzimit. Të gjithë këndojnë, duhet të jenë së bashku, duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin, na duhen marrëdhënie të mira. Këtë kuptim ka. Se të gjithë njerëzit janë si vëllezër. Beethoven e ka shkruar këtë këngë dyqind vjet më parë, por ne ende e këndojmë sepse është vepër e rëndësishme, edhe në këtë kohë. Në një kohë me luftëra, shpresojmë për paqe dhe marrëdhënie të mira që promovohen nëpërmjet muzikës”, është shprehur ai.

Kjo pjesë duket se përmbledh partitura nga tri pjesët paraprake dhe i shkrin ato për të krijuar ritme të qeta e me harmoni përbrenda derisa zhvillohet duke kulmuar përfundimisht. Paraprakisht është zëri i baritonit bullgar Ivo Yordanov që sjell mesazhet e para.

Atyre u është referuar derisa e ka konsideruar veprën në përgjithësi si më të rëndësishmen të literaturës së muzikës klasike.

“Mbase ky është kompozimi më i rëndësishëm i muzikës klasike, për shkak të fjalëve, të ideve që qëndrojnë prapa këtyre fjalëve. Edhe për shkak të thirrjes globale për vëllazërim që duhet të qëndrojmë së bashku, të kuptojmë njëri-tjetrin dhe ta duam, të gjejmë ura që na bashkojmë dhe nuk na ndajmë. Diçka që është përherë aktuale, gjithmonë e drejtë dhe që kurrë nuk ndodh. Me shpresë që duke i përsëritur këto fjalë sa më shumë, mbase një ditë njerëzit do t’i kuptojnë”, ka thënë baritoni i cili është kthyer për skenën e muzikës klasike në Prishtinë për të dytën herë, pas vënies në skenë të kantatës skenike “Carmina Burana” nga Carl Orff në qershor.

Toshio Yanagisawa: “Beethoven është gjeni i muzikës. Në veprat e tij përherë ndryshon diçka nga forma tradicionale. Struktura e veprave të tij është interesante, kjo është interesante në interpretimin e muzikës klasike. Ajo, qoftë e vjetër apo moderne, përherë ka zhvillim të ndryshëm. Kjo është e rëndësishme të kihet parasysh” (Foto: Arben Llapashtica)

“Është e mrekullueshme të punoj me Filharmoninë e Kosovës. Është hera e dytë, pas projektit për operën ‘Carmina Burana’. Pra është hera e dytë në Prishtinë, kështu që ka qenë fantastike. Orkestra dhe Kori janë të mrekullueshëm. Kam performuar me shumë pasion dhe emocion. E jetoj çdo koncert”, është shprehur Yordanov.

Vetë pjesa “Finale” që zgjat rreth 25 minuta është e gjatë sa disa simfoni të tëra të kompozuara. Solistët këndojnë këngën e gëzimit me temp të ngadaltë e me zë të ulët derisa tema shkon drejt një ritmi e zëri të lartë që kulmon.

Simfonia korale është kompozuar midis viteve 1822 dhe 1824. U interpretua për herë të parë në Vjenë më 7 maj të 1824. Nga muzikologë e kritikë të muzikës konsiderohet si kryevepër e muzikës perëndimore dhe një nga arritjet më të larta në historinë e muzikës. Është një nga simfonitë më të interpretuara në botë.

Në vitin 2001 dorëshkrimi origjinal i Beethovenit u shtua nga UNESCO në atë që quhet si Regjistri Ndërkombëtar i Kujtesës së Botës, duke u bërë partitura e parë muzikore e përcaktuar kësisoj.

Një partiturë korale e pjesës së fundit të veprës u miratua si Himn i Evropës në vitin 1972 si përfaqësim i kontinentit. BE-ja e përshkruan atë si shprehje të idealeve të lirisë, paqes dhe solidaritetit.

Kapitulli tjetër i koncertit qe vepra “Fantazi korale” e Beethovenit. Në rolin e solistëve kanë interpretuar sopranot Elonë Sadiku dhe Arta Jashari, altoja Diellza Sylejmani, tenorët Rizah Jahaj e Etrit Nura dhe basi Harris Bajraktari.

Pjesa virtuoze me piano është uvertura e veprës. Interaktiviteti i butë me instrumentet tjera e bën këtë pjesë tejet të këndshme. Loja solo është nëpër partitura derisa krejt instrumentet kumbojnë dhe mblidhen në një vijë melodike.

Kapitulli tjetër i koncertit qe vepra “Fantazi korale” e Beethovenit. Në rolin e solistëve kanë interpretuar sopranot Elonë Sadiku dhe Arta Jashari, altoja Diellza Sylejmani, tenorët Rizah Jahaj e Etrit Nura dhe basi Harris Bajraktari. Pianistja Lule Elezi ka qenë soliste në këtë vepër. E ka vlerësuar unike dhe shumë interesante veprën (Foto: Arben Llapashtica)

Pianistja Lule Elezi ka qenë soliste në këtë vepër. E ka vlerësuar unike dhe shumë interesante veprën.

“Kisha nderin dhe privilegjin që ta luaj këtë vepër për herë të parë në Kosovë, pra ‘Fantazia korale’ e kompozitorit gjenial, Ludvig van Beethoven, së bashku me Orkestrën dhe Korin e mrekullueshëm të Filharmonisë së Kosovës, e po ashtu edhe të Operës. Ishte një mbrëmje vërtetë madhështore që shumë gjatë do të mbetet në kujtesën time, me maestro Toshio Yanagisawa, një maestro fantastik me të cilin kam pasur rastin edhe më parë të bashkëpunoj, para dhjetë vjetësh”, është shprehur ajo.

Koret për këtë koncert u përgatitën nga dirigjenti Hajrullah Syla.

I shumtë qe publiku pjesëmarrës. Një pjesë e të pranishmëve në sallë qëndruan në këmbë ndërsa një pjesë e mirë e ndoqi nga korridori sipër saj. Disiplina qe maksimale, por nuk u përmbajt dot nga duartrokitja në njërën prej pauzave të shkurtra midis pjesëve. Entuziazmi shpërtheu në fund të koncertit kur duartrokitjet buçitën gjatë jo veç për Korin e Orkestrën si ansamble, por për secilin pjesëtar të tyre në skenë. Kësisoj i ka shtyrë dirigjenti Yanagisawa.

“Përgjigjja e publikut ishte shumë e mirë. Të gjithë ishin shumë të emocionuar. Mendoj se është një lidhje e mirë midis publikut dhe Orkestrës. Instrumentistët duan të dëgjojnë vlerësimet për ta, është shumë e rëndësishme për artistët në përgjithësi”, është shprehur ai.

Koncerti i radhës do të mbahet më 29 tetor në Prishtinë. Deri në këtë kapitull, publiku i muzikës klasike mbetet me momentet e paharruara të muzikës unike të Beethoven. Dhe të mesazheve që përcjell në kohë trazirash e luftërash.