Kisha e Shën Mëhillit në Vlorë ka nisur të restaurohet. Në objektin monument, që daton mbi 8 shekuj më parë, po punohet në mirëmbajtjen, restaurimin e konsolidimin e tij.
Projekti po realizohet në kuadër të programit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Vlorë me miratim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.
“Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit konsiston kryesisht në restaurimin dhe konsolidimin e muraturës së rrënojave të kishës, restaurimin e kalldrëmit të kishës, konsolidim i elementeve konstruktive; restaurim i elementeve dekorative në muraturë, sistemimin e terrenit, etj”, shkruhet në njoftimin e ministres së Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti.
Kisha e Shën Mëhillit është një rrënojë, e cila ruan në pjesën më të madhe muret në lartësinë e dikurshme. Nga pikëpamja arkitektonike ajo është një kapelë. Sipas të dhënave në murin lindor ndodhen absida e vogël rrethore me dalje nga jashtë dhe nikja e prothesit. Në murin verior në ambientin e altarit ndodhet një kamare e vogël.
Duke u bazuar në karakteristikat ndërtimore dhe në materialin arkeologjik të zbuluar në territorin e monumentit, mendohet se kisha daton mes shekujve XII dhe XIII. Për ndërtimin e kishës janë përdorur gurë të punuar të lidhur me llak gëlqereje. Përfshihen edhe pjesë të tullave, të vendosura ndërmjet gurëve. I vetmi trajtim dekorativ i mureve konsiston në kornizën e realizuar me teknikën e “kluasonazhit”.
“Trashësia e mureve të Kishës është 60 centimetra dhe në shumicën e perimetrit ruan lartësinë origjinale të saj”, shkruhet në të dhënat e shtetit për të.
Edhe
Gjurmë dy mijë e 400 vjet të vjetra në Kalanë e Kaninës
Sipas asaj që shihet në imazhe muratura në shumë pjesë është e degraduar dhe muret e jashtme kanë çarje të thella, ku rrezikohet përkeqësimi i tyre.
Në mirëmbajtjen e Kishës së Shën Mëhillit në Vlorë ishte punuar edhe në korrik të vitit 2018. Në mirëmbajtje ishin përfshirë edhe disa monumente të tjera të frekuentuara nga vizitorët, si Kalaja e Himarës, Kisha e Ipapandisë, ajo e Shën Stefanit dhe Panaisë në Dhërmi.