Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjurmë dy mijë e 400 vjet të vjetra në Kalanë e Kaninës

Kalaja e Kaninës

Gjatë punimeve në Kalanë e Kaninës janë zbuluar blloqe kuadratikë, mure perimetralë që datojnë dy mijë e 400 vjet më parë, lidhur me Ilirinë e vjetër, e deri te muret e plota të shtëpive të aranitasve

Gjatë punimeve për ndërhyrjet konservuese në Kalanë e Kaninës afër Vlorës, ka pasur zbulime të reja arkeologjike. Bëhet fjalë për gjurmë dy mijë e 400 vjet të vjetra dhe struktura unike, raportojnë mediat në Shqipëri. 

Projekti i ndërhyrjeve në këtë kala, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe fondacionin Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania), synon jo vetëm konsolidimin dhe ruajtjen e strukturave historike të Kalasë, por edhe përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët, duke e kthyer këtë lokalitet kulturor të rëndësishëm në një destinacion edhe më tërheqës për publikun.
Gjatë punimeve janë zbuluar blloqe kuadratikë, mure perimetralë që datojnë dy mijë e 400 vjet më parë, lidhur me Ilirinë e vjetër, e deri te muret e plota të shtëpive të aranitasve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Arkeologu Surja Lela citohet të ketë thënë se gjurmët e gjetura janë nga kalldrëmet 8 metra, të papara ndonjëherë në Shqipëri, e deri te kulla dhe muret. Kalaja e Kaninës mbetet në rang qarku, objekti i dytë më i vizituar pas Butrintit, ndërsa për bashkinë e Vlorës, mban vendin e parë.

Ndodhet 6 kilometra larg nga qyteti i Vlorës, në një kodër me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Muri rrethues është i gjatë një kilometër dhe përfshin një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh. Mendohet të jetë ngritur aty nga shekulli IV para erës sonë. Në të gjithë sistemin fortifikues dallohen disa faza ndërtimi që shtrihen në dy periudha: në periudhën antike si dhe në atë të periudhës mesjetare, përkatësisht bizantine, veneciane dhe turke. 

Kalaja u rindërtua nga Justiniani në shekullin VI i cili në Epir ndërtoi ose rindërtoi 94 fortifikime. Ajo përmendet nga Prokopi i Çezaresë në listën e tij me emrin Kionin. Në shekujt XII-XIII u kthye në një qendër ushtarake të dorës së parë, duke i shërbyer Mbretërisë Mesjetare e të Shqipërisë anzhuine. Gjithashtu u meremetua nga Sulltan Sulejmani më 1530 dhe së fundmi nga feudalët shqiptarë të Vlorës në shekujt XVII-XIX.