Kulturë

Kalatë përballë degradimit, mungesës së investimeve e mosshfrytëzimit

kalate

“Derisa ndërhyrjet konservuese kanë synuar të ndalin degradimin dhe ta bëjnë këtë areal më miqësor për vizitorët, ato janë realizuar në mënyrë joprofesionale, duke e degraduar monumentin dhe duke e rrezikuar seriozisht atë dhe sipas raportimeve mediale për këtë arsye edhe është ngritur aktakuza ndaj kompanisë që i ka zhvilluar punimet restauruese në Novobërdë”, shkruhet për Kalanë e Novobërdës në hulumtimin e publikuar nga “Ec Ma Ndryshe” (Foto: Arben Llapashtica)

Hulumtimi “Fortesat e heshtura: Roli dhe gjendja e kalave në trashëgiminë kulturore të Kosovës” nxjerr në pah problemet bazike ose sipërfaqësore me të cilat përballen këto asete të trashëgimisë kulturore. Në hulumtimin e bërë nga “Ec Ma Ndryshe”, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, është publikuar një historik i shkurtër i secilës prej kalave e po ashtu sfidat kryesore me të cilat përballen. Ekspozimi ndaj degradimit natyror dhe ndërhyrjeve njerëzore, mungesa e infrastrukturës për qasje në këto hapësira, mungesa e konservimit janë midis telasheve

Ekspozimi ndaj degradimit natyror dhe ndërhyrjeve njerëzore, mungesa e infrastrukturës për qasje në këto hapësira, mungesa e konservimit e restaurimit  dhe mosshfrytëzimi si aset i shumë prej kalave në Kosovë janë telashet kryesore të këtyre monumenteve. Këto janë veç disa nga sfidat e problemet që i ka konstatuar organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” në hulumtimin e tyre për 31 kala në Kosovë. Hulumtimi “Fortesat e heshtura: Roli dhe gjendja e kalave në trashëgiminë kulturore të Kosovës” nxjerr në pah problemet bazike ose sipërfaqësore me të cilat përballen këto asete të trashëgimisë kulturore. Në hulumtimin e bërë nga kjo organizatë, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, është publikuar një historik i shkurtër i secilës prej kalave e po ashtu sfidat kryesore me të cilat përballen. Hulumtuesve të “Ec Ma Ndryshe” iu ka hyrë në punë literatura e studiuesve vendorë, që janë edhe punonjës institucionesh, studiuesve të jashtëm e po ashtu edhe raportimet e mediave.

Sipas renditjes alfabetike hulumtimi nis me Kalanë e Artanës ose Novobërdës, atë të Bardhit të Madh, Brrutit, Dardanës ose Kamenicës, Dollcit, atë të Dubovcit e të tjerat. Fillimisht përshkruhet koha prej kur daton monumenti, hapësira gjeografike, vendndodhja e më pas jepen të dhëna të tjera. Për Kalanë e Novobërdës bëhet me dije se ka gjurmë banimi shumë më të hershme se mesjeta, por pikën e kulmit e njeh mes shekujve XIII-XV, kur qyteti-kala bëhet qendër e madhe xehetare, tregtare e kishtare e të gjithë rajonit.

Sqarohet se pas luftës në Kosovë një pjesë e strukturave është restauruar dhe konsoliduar dhe kompleksi sot gëzon mbrojtje institucionale.

“Derisa ndërhyrjet konservuese kanë synuar të ndalin degradimin dhe ta bëjnë këtë areal më miqësor për vizitorët, ato janë realizuar në mënyrë joprofesionale, duke e degraduar monumentin dhe duke e rrezikuar seriozisht atë dhe sipas raportimeve mediale për këtë arsye edhe është ngritur aktakuza ndaj kompanisë që i ka zhvilluar punimet restauruese në Novobërdë”, shkruhet në hulumtimin e publikuar nga “Ec Ma Ndryshe”. Te raportimet mediatike citohen edhe raportimet e KOHËS për ndërhyrjen restauruese të viteve 2015 dhe 2016, e cila rezulton me plasaritje e shembje të madhe të fasadës së gurtë duke vërtetuar ndërhyrje joprofesionale nga kompania serbe “Koto” nëpërmjet një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të implementuar nga UNESCO.

“Megjithatë, potenciali turistik i Artanës mbetet shumë më i madh sesa shfrytëzimi aktual”, shkruhet në hulumtim. Njëjtë sikurse për këtë kala jepen të dhëna edhe për të tjerat. S’ka detaje të investimeve apo specifikime të tjera.

Te përfundimet, organizata sqaron se përmbledhja për kalatë në territorin e Kosovës dëshmon për një trashëgimi të pasur historike dhe arkitektonike, e cila pasqyron zhvillimet e shumta kulturore, politike dhe ushtarake që kanë ndodhur ndër shekuj në këtë hapësirë gjeografike. Sipas hulumtimit, këto struktura fortifikuese nuk përfaqësojnë vetëm mbetje arkeologjike, por janë dëshmi të vazhdimësisë së qytetërimit nga periudha ilire e deri në kohët e vona osmane.

“Përmes tyre mund të lexohet zhvillimi i organizimit shoqëror dhe administrativ në periudha të ndryshme, si dhe ndryshimet në teknikat e ndërtimit që pasqyrojnë ndikimet kulturore të kohës. Kalatë, si ajo e Prizrenit, Artanës, Harilaqit, Zveçanit dhe Vushtrrisë, përbëjnë bërthama të rëndësishme të trashëgimisë monumentale të Kosovës”, shkruhet në hulumtim. Bëhet e ditur se ato dëshmojnë për një infrastrukturë të ndërlikuar të mbrojtjes dhe banimit, duke u bërë pika kyç të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të rajoneve përkatëse.

“Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre nuk ka përjetuar konservim të plotë, ndërsa disa mbeten të ekspozuara ndaj degradimit natyror dhe ndërhyrjeve të pakontrolluara njerëzore. Kjo gjendje tregon për nevojën urgjente të mbrojtjes së qëndrueshme dhe të dokumentimit sistematik të tyre”, shkruhet në hulumtim. Bazuar në analizën e përgjithshme, “Ec...” ka ardhur në përfundim se kalatë e Kosovës janë një trashëgimi komplekse dhe shumëplanëshe, që kërkojnë trajtim të thelluar shkencor, menaxhim të përgjegjshëm institucional dhe integrim të tyre në politikat zhvillimore dhe edukative të vendit.

Organizata e cila merret me planifikimin urban dhe trashëgiminë kulturore ka ardhur në përfundim se për kalatë duhet bërë dokumentim dhe digjitalizim të plotë.

“Të zhvillohet një inventar kombëtar i kalave me dokumentacion të detajuar arkeologjik, historik dhe arkitektonik; Të realizohen modele 3D dhe arkiva digjitale për çdo kala, në mënyrë që të sigurohet ruajtja e të dhënave edhe në rast degradimi fizik”, shkruhet te rekomandimet. Programet e integruara të konservimit rekomandohen për institucionet të cilat duhet të hartojnë plane të përbashkëta restaurimi dhe mirëmbajtjeje, të bazuara në standarde ndërkombëtare të ruajtjes së trashëgimisë.  

“Të sigurohen fonde të qëndrueshme publike dhe private apo edhe nga donatorët e huaj për ndërhyrje konservuese afatgjata. Përfshirja në sistemin arsimor dhe kërkimin shkencor. Kalatë duhet të përfshihen në programet mësimore të historisë dhe gjeografisë, për të rritur ndërgjegjësimin e brezave të rinj mbi trashëgiminë vendore”, shkruhet te rekomandimet. Krijimi i rrugëve të organizuara turistike me të cilat lidhen disa kala në një itinerar të përbashkët duke integruar guida lokale, muze të vegjël dhe qendra informimi është prej rekomandimeve të tjera.

“Të inkurajohet roli i komuniteteve përreth kalave në ruajtjen dhe menaxhimin e tyre, përmes formave të turizmit komunitar dhe aktiviteteve edukative. Organizatat e shoqërisë civile, si ato që veprojnë në fushën e trashëgimisë, mund të luajnë një rol ndërmjetësues midis institucioneve dhe qytetarëve”, shkruhet në hulumtim. Rritja e ndërgjegjësimit publik dhe diplomacia kulturore është tjetër rekomandim për ato që janë memoria fizike e identitetit historik të vendit.

“Vetëm përmes bashkëpunimit institucional, hulumtimit të vazhdueshëm dhe ndërgjegjësimit qytetar, kalatë do të mund të mbeten të gjalla si qendra të dijes, kulturës dhe kujtesës kolektive në Kosovën bashkëkohore”, shkruhet në hulumtim.