Një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, po hyn në një fazë të re zhvillimi nëpërmjet projektit “Rijetësimi i Kalasë së Shkodrës”, një investim i financuar nga BERZH dhe Bashkimi Evropian, me zbatues Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, kanë vizituar të mërkurën Kalanë e Shkodrës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky projekt synon transformimin e kalasë në një hapësirë të gjallë kulturore, turistike dhe edukative, duke përmirësuar infrastrukturën, aksesin dhe përvojën e vizitorëve, ndërkohë që ruan me rigorozitet vlerat historike dhe arkitektonike të saj”, citohet të ketë thënë Gonxhja.
Gonxhja ka thënë se “në këtë kuadër, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për realizimin dhe zbatimin e këtij nënprojekti strategjik”.
Projekti parashikon ndërhyrje në hapësirat e parkimit, sinjalistikë orientuese, si edhe restaurimin e muzeut të kështjellës, duke rritur cilësinë e shërbimeve për vizitorët.
Gjatë vitit 2025 Kalaja e Shkodrës u vizitua nga rreth 178 mijë vizitorë. Ndriçimi i ri i instaluar i ka dhënë kalasë një pamje tërësisht të re, duke nxjerrë në pah madhështinë dhe vlerat e këtij siti arkeologjik, një prej simboleve më të rëndësishme të Shkodrës.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër që rrethohet nga lumenjtë Drin Kiri dhe Buna. Muret e kësaj kalaje rrethojnë pjesën e sipërme të kodrës në të cilën ndodhet kjo kala. Kalaja e Rozafës është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948. Gjurmët e mureve të kësaj kalaje ilire datojnë që nga shekulli III para erës sonë. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dala drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe Xhamia e Fatihut.
Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja.