SOT

20 mijë vizitorë brenda vitit frekuentojnë Kalanë e Vushtrrisë

Kalaja e Vushtrrisë është një nga monumentet më të vjetra dhe më të njohura.

E ndërtuar mbi një mijë vjet më parë, Kalanë brenda vitit e vizitojnë mbi 20 mijë persona. 

Historiani Izet Miftari Kalanë e sheh si simbol të qytetit dhe si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. 

“Është e pamundur ta dimë numrin e saktë, por gjatë vitit Kalanë e vizitojnë 20 mijë vizitorë. Në pranverë dhe verë ka më shumë vizitorë, vijnë shumë nxënës prej vendeve të ndryshme. Vizitohet shumë nga vendasit edhe prej vendeve të tjera. Kemi edhe turistë prej vendeve të ndryshme që e vizitojnë këtë vend. Vizitorëve ky objekt u ka lënë përshtypje, sepse kalatë zakonisht janë ndërtuar nëpër kodra, kurse kjo është në brendi të qytetit. Objekti ka rezistuar edhe përkundër rrënimeve e ndryshimeve të distilimeve, disa herë është rindërtuar. Prej kohesh kalatë kanë shërbyer për festivale të filmave e aktiviteteve kulturore të tjera”, thotë ai. 

Miftari tregon se objekti i Kalasë është në listën e përhershme të trashëgimisë kulturore. 

Dhe si e tillë shfrytëzohet kryesisht për aktivitete kulturore. 

“Përveçqë vizitohet shumë, kjo Kala simbolizon qëndresën, vjetërsinë, lindjen e qytetit. Kryesisht shfrytëzohet për përurime të librave, ekspozita të ndryshme, festivale të filmave etj. Kalaja e Vushtrrisë është në Listën e përhershme të Ministrisë së Kulturës. Edhe për Ditën e çlirimit të qytetit që e kemi më 17 qershor apo ditët e diasporës e çdo ngjarje tjetër mbahen në këtë kala”, thekson Miftari.

Çdo mur dhe çdo gur i Kalasë, sipas historianëve, ruan kujtime të sunduesve dhe ngjarjeve të ndryshme historike të qytetit të Vushtrrisë.