Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kisha e Shën Mërisë pritet të jetë atraksion pas ndërhyrjeve

“Pikturat ndahen në katër seksione, ku në pjesën e poshtme shfaqen tetë piktura që përshkruajnë peshkopë, seksioni i mesëm tregon bustet e shenjtorëve dhe dy seksionet e sipërme janë të padeshifrueshme. Pikturat murale do të pastrohen, restaurohen dhe konservohen”, shkruhet në njoftim e programit “EU4Culture”

Një ndërhyrje që ndërton një konstrukt krejt modern mbi fragmentet e Kishës së Shën Mërisë në Mamurras do t’i jep tjetër pamje monumentit. Projekti – krejt i veçantë si koncept – do ta shndërrojë monumentin e kategorisë së parë në një atraksion turistik ku trashëgimia kulturore brendohet nëpërmjet metodave të reja.

Programi “EU4Culture” ka njoftuar se të dhënat historike nga Theodor Ippen, diplomat austro-hungarez, i cili eksploroi rajonin në shekullin XIX, tregojnë se Kisha ishte e rrënuar qysh në atë kohë. “Të dhënat që vijnë nga Ippen sugjerojnë se Kisha ishte një nga më të mëdhatë dhe më të njohurat gjatë periudhës mesjetare në Shqipëri”, ka njoftuar programi në ditën kur edhe janë bërë publike imazhet që tregojnë ndërhyrjen që po ndodh.

Sipas Programit, data e saktë e ndërtimit të saj është ende e pasigurt për shkak të mungesës së të dhënave të besueshme historike. Ky program ka njoftuar se një nga veçoritë e dukshme të Kishës janë pjesët e mbetura të pikturave murale në absidë.

“Pikturat ndahen në katër seksione, ku në pjesën e poshtme shfaqen tetë piktura që përshkruajnë peshkopë, seksioni i mesëm tregon bustet e shenjtorëve dhe dy seksionet e sipërme janë të padeshifrueshme. Pikturat murale do të pastrohen, restaurohen dhe konservohen”, shkruhet në njoftim. Sipas asaj që Ippen ka lënë të shkruar, vendndodhja e largët e rrënojave të kishës flet për mundësinë e ekzistencës së një ish-manastiri pranë saj.

“Duke njohur rëndësinë historike të rrënojave dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti, ky monument i kategorisë së parë është përzgjedhur për restaurim në kuadër të programit EU4Culture”, shkruhet në njoftim.

Të hënën për nisjen e punimeve në këtë monument ka njoftuar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Edhe Monumentet nën monitorim pas përmbytjeve në Shqipëri Kulturë Monumentet nën monitorim pas përmbytjeve në Shqipëri

“Nisur nga vlerat e rralla historike dhe arkitekturore, pas tërmetit të vitit 2019, ky monument i kategorisë I, i shquar për pikturat murale të ruajtura në rrënoja, është futur në listën e ndërhyrjeve restauruese”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kjo ndërtesë kulti ishte dëmtuar edhe më nga tërmeti i vitit 2019. Po me të njëjtin program jo larg këtij monumenti ishte ndërhyrë edhe në Kishën e Shna Ndout në Kepin e Rodoni. Sipas programit “EU4Culture” Kisha e Shna Ndout është një nga pak shembujt e mbijetuar të një sinteze të stileve arkitekturore rajonale dhe bizantine. Kisha, sipas studiesve dëshmon një histori të gjatë dhe së bashku me zonat natyrore dhe vijën bregdetare, ky lokalitet i trashëgimisë kulturore ka një potencial të madh në zhvillimin ekonomik lokal.

Ndërhyrjet konservuese u fokusuan në riparimin dhe konsolidimin e muraturës, instalimeve elektrike dhe sistemit të kullimit rreth kishës. Punimet konservuese pas tërmetit ishin shtrirë edhe në muzetë Etnografikë në Krujë dhe Kavajë, Torra Veneciane në Durrës, Kalaja e Bashtovës dhe Ish-Arqipeshkvia në Delbnisht.