Përmbytjet në disa qytete të Shqipërisë po rrezikojnë edhe disa monumente të trashëgimisë kulturore, por sipas autoriteteve situata është nën kontroll.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka thënë të mërkurën se në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor me prioritet, mbrojtjen e pasurive kulturore.
Gonxhja ka theksuar se në qarkun e Shkodrës dhe zonat përreth reshjet kanë vazhduar, ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës.
“Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breglumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit”, citohet të ketë thënë ai.
Ministri Gonxhja ka thënë se në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime.
“Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim”, ka thënë ai.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ka shtuar se monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo rreziku të mundshëm.
Por në krejt këtë situatë, është veçuar Xhamia e Plumbit në Shkodër. Përkundër përmbytjeve përreth saj ajo ka mbetur e paprekur, përderisa viteve të kaluara ishte njëri prej monumenteve më të rrezikuara në këso rastesh.
“Pavarësisht reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit, në Xhaminë e Plumbit, një objekt me vlera të rralla historike dhe kulturore, nuk janë evidentuar problematika”, ka thënë ministri Gonxhja.
Sipas tij, pompat vijojnë të operojnë në kapacitet të plotë dhe sistemi i mbrojtjes funksionon normalisht, duke garantuar monumentin nga përmbytjet.
Ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, të realizuara me mbështetjen e Fondacionit turk, TIKA, kanë mundësuar ruajtjen e plotë të vlerave të këtij objekti, ndërkohë që situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.
Restaurimi i plotë i Xhamisë së Plumbit në Shkodër përfundoi në muajin maj të vitit 2025. Kjo xhami konsiderohet si një diamant i çmuar i këtij qyteti jo vetëm sa i përket historisë, por edhe anës arkitekturore.
Xhamia e Plumbit është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës dhe është xhamia më e madhe e stilit osman në Shqipëri. Ka një përzierje të arkitekturës turke me atë arabe. Ajo u ndërtua nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.