Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

New Yorku kthen në Irak artefakte të trafikuara

Zyrtarë nga Iraku dhe Zyra e Prokurorit të Qarkut në Manhattan u mblodhën për të shënuar riatdhesimin e artefakteve të çmuara që ishin sekuestruar gjatë tregtisë së paligjshme. Dy nga asetet e ekspozuara të martën ishin objekte të blera nga miliarderi Michael Steinhardt: një tas prej ari i shekullit VIII dhe një pllakë fildishi.

Matthew Bogdanos, ndihmësprokuror i Qarkut të Manhattanit, ka thënë se në vitin 2003 pati fatin të ishte në Bagdad menjëherë pasi Muzeu i Irakut ishte plaçkitur.

“Atje filluam hetimin tonë me një ekip ndërkombëtar me shumë agjenci nga e gjithë bota. Dhe një nga objektet që ishte vjedhur nga Muzeu i Irakut në vitin 2003 është tasi i arit që keni parë, një vepër e jashtëzakonshme e shekullit VIII para Krishtit. Ai u zhduk, për t’u rishfaqur në treg në vitin 2020, këtu në New York”, ka thënë ai.

Muajin e kaluar “Steinhardt” dorëzoi 180 artefakte me vlerë rreth 70 milionë dollarë si pjesë e një marrëveshjeje historike me Zyrën e Prokurorit të Qarkut të Manhattanit për të shmangur ndjekjen penale. Mes tyre kishte edhe artefakte nga Izraeli.

Hetuesit kanë thënë se tasi i arit ishte grabitur nga qyteti antik Nimrud në Irak dhe ishte trafikuar nga grupi i Shtetit Islamik dhe ishte vënë re për herë të parë në vitin 2019, kur zyrtarët e Doganës dhe Kufirit të ShBA-së kapën dikë që mbante reliktet që ishin destinuar për “Steinhardt” në një fluturim nga Hong-Kongu për në “Newark International Aeroport”.

Edhe Iraku gjurmëve të 40 mijë artefakteve të vjedhura Kulturë Iraku gjurmëve të 40 mijë artefakteve të vjedhura

Në anën tjetër, hetuesit kanë thënë se pllaka e fildishtë i përkiste dikur mbretit të Sargonit, i cili sundoi në një zonë të Irakut të sotëm prej vitit 721 deri në vitin 725 p.e.s. Vlera e saj është 450 mijë dollarë.

Meg Reiss, ndihmëskryeprokurore e Qarkut për Manhattan, ka thënë se “këto artefakte u morën nga Michael Steinhart, koleksioni i tij kishte mbi 180 vepra të vjetra të vjedhura me vlerë rreth 70 milionë dollarë.

“Pasojë e veprimeve të tij është ndalimi i përjetshëm për tregtim me artefakte”, ka thënë ai.

Sendet e tjera në koleksionin e ekspozuar të martën u sekuestruan si pjesë e hetimeve të veçanta.

Fareed Yasseen, ambasador i Irakut në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se kur u plaçkit Muzeu i Bagdadit kishte një dëshpërim te njerëzit, sikur shpirti i tyre të ishte lënduar.

Edhe Artefaktet parahistorike egjiptiane drejt New Yorkut Kulturë Artefaktet parahistorike egjiptiane drejt New Yorkut

“Njerëzit qanë, unë qava. Pra, kjo është me të vërtetë e rëndësishme për ne. E dini, ne jemi një ndër vendet më të vjetra me një histori të lashtë, histori shumështresore. Nëse shikoni e vini re se populli i qeverisë irakiane po përpiqet të ruajë këtë histori. Ndryshe nga ajo që bëri ISIS kur pushtoi shumë nga qytetet që pushtoi. Gjëja e parë që bënë ishte që donin të fshinin gjithçka që tregonte historinë e atij vendi. Por identiteti është diçka specifike, ne e duam ruajtjen e tij”, ka thënë ai.

Muzetë në mbarë botën po përballen me një diskutim të madh mbi origjinën – ose zinxhirin e pronësisë – së veprave të artit, veçanërisht atyre të grabitura nga zonat e konfliktit ose nga vendet arkeologjike.

Eliot Minchenberg nga UNESCO-ja ka thënë se kur i kujtojnë nazistët, një nga gjërat e para që bie ndër mend është se ata kanë djegur libra.

“Dhe kjo po vazhdon. Ne e kemi parë këtë me ISIS-in duke shkatërruar muzetë në mbarë botën. Ne pamë se si në tregun e zi financohet terrorizmi e kështu me radhë. Pra, kjo është diçka që për fat të keq përdoret dhe instrumentalizohet prej kohësh, trafikimi i një objekti kulturor, i cili lidhet me identitetin e njerëzve. E ne këtu po japim një mesazh me rëndësi”.

Edhe SHBA-ja ia kthen Italisë 600 artefakte të plaçkitura në vlerë prej 65 milionë dollarësh Kulturë SHBA-ja ia kthen Italisë 600 artefakte të plaçkitura në vlerë prej 65 milionë dollarësh

Ka thirrje në rritje që artefaktet e tilla të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Përktheu: Alberina Haxhijaj