Prishtinë, 22 mars - Distanca midis autorit dhe subjektit të tij është tejet e dukshme. Vërehet me një shikim të përgjithshëm të fotografive e sidomos nëse ato analizohen një nga një. Të gjitha e ruajnë këtë veçori artistike, por i ndanë teknika e punës. Shkojnë përtej fotografive. Autori ka zgjedhur që të tejkalojë paraqitjen e formave trupore.
Modelet nudo nuk vijnë reale pasi xhami apo edhe akulli ndihmojnë formësimin e veprave ku bëjnë pjesë edhe ato. Barrierat në raport me modelet nudo në ekspozitën “Përtej” të Fahredin Spahisë, që është hapur të mërkurën mbrëma në galerinë “Monet” në Prishtinë, duket se vijnë edhe si shenjë e asaj se shoqëria heziton t’i shikojë nudot drejtpërdrejt.
Fotografitë që mbulojnë muret e “Monet” në Prishtinë, nëpërmjet minimalizmit i japin tjetër kuptim nudos. Pjesë të ndryshme të trupit paraqiten bardhezi, fiks sikurse ndarja që eksiton midis atyre që janë pro nudos dhe atyre që janë kundër.
Spahija numëron tetë vjet që ka nisur realizimin e dy cikleve, “Të (pa)censuruara” dhe “Koha e akullit”. Është ithtar i barrierave reale midis tij dhe subjektit. Teknikisht xhami e krijon atë.
“Shumë njerëzve ju kam thënë se në Fakultetin e Arteve ku tash është duke u bërë faqja e zezë, para 40 vjetëve ne kemi bërë nudo të vërtetë të femrës. Sot studentët nuk kanë një nudo të femrës që të studiojnë drejtpërdrejt”, ka thënë ai. Spahisë i duket paradoksal fakti që më 1878 Marubi në Shkodër kishte realizuar fotografi nudo, duke thyer tabu e pas më shumë se një shekulli njerëzit ende nuk i kanë tejkaluar këto gjëra.
Në katalogun e ekspozitës, profesori universitar i letërsisë, Nysret Krasniqi, ka shkruar se laboratori i Spahisë e dikton krijimin e botës së veçantë artistike.(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)