Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Në kujtim të Basri Çapriqit – një libër me studime e poezi

“Poeti i detit”, aurë vlerësimi që e mbante qysh në të gjallë, Basri Çapriqi ishte një nga emrat më të rëndësishëm të poezisë bashkëkohore shqipe. Duke bashkuar në një rolin e profesorit të letërsisë dhe semiologjisë, si dhe poetin me vokacion, ai vlerësohej për kulturën e gjerë dhe afërsinë me njerëz. Ndonëse dy skajet e jetës së tij, ditëvdekja dhe ditëlindja, bien në datat 14 dhe 15 janar, pandemia e ka bërë të pamundur mbajtjen e ndonjë aktiviteti përkujtimor. Kolegë të tij në PEN Qendrën e Kosovës – në të cilën kishte qenë kryetar për shumë vjet – kanë paralajmëruar se së shpejti do të botohet një libër që bën bashkë studime e poezi për të

Në të gjallë të tij kishte krijuar aureolën e një prej poetëve që e mjeshtëronte vargun në nivele të larta. Poet i detit, siç e njihnin miqtë e zemrës, Basri Çapriqi ishte studiues poliedrik e mjeshtër i ironisë. Madje si një lojë ironie duken edhe datat 14 dhe 15 janar, që rrinë njëra me tjetrën si ditëvdekja dhe ditëlindja e tij.

Por trevjetori i ndarjes nga jeta nuk është shënuar me ndonjë aktivitet përkujtimor për poetin ulqinak.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk është bërë ndonjë përkujtesë sot për shkak të gjendjes me pandeminë”, kanë thënë të enjten nga PEN Qendra e Kosovës, aty ku i ndjeri kishte qenë kryetar shumëvjeçar.

Për kolegët e tij nga kjo qendër, botimi i radhës do të jetë një libër që do të përmbledhë fragmente për Çapriqin nga sesioni shkencor dhe ora letrare që u mbajt vitin e kaluar në Ulqin.

Pikërisht në 60-vjetorin e lindjes së poetit, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe PEN Qendra e Kosovës kishin mbajtur orën letrare “Dritaren lëre hapur” dhe sesionin shkencor “Poeti i detit”.

Në sallën e konferencave në Pallatin Venezia, në kalanë e Ulqinit, aktorë, poetë, miq e kolegë kishin lexuar vargje nga krijimtaria e Çapriqit. Njënjëshëm, studiues nga Mali i Zi, Kosova e Shqipëria kishin lexuar kumtesa që shkoqisnin aspekte të veçanta të krijimtarisë së tij poetike.

I lindur në fshatin Krythë, nja 15 kilometra larg Ulqinit, Basri Çapriqi mbaroi shkollën fillore dhe atë të mesme në qytetin bregdetar.

Studioi letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe diplomoi më 1983. Ndoqi studimet e magjistraturës po në këtë Universitet, të cilat i përfundoi më 1987 me temën “Format antitetike të tekstit letrar në poezinë e sotme shqipe”.

Më pas u zhvendos për studime në Universitetin e Edinburgut duke ndjekur interesimet e tij për letërsinë skoceze. Më 1994 mori diplomë nga ky universitet me temën “Poezia konkretiste e Edvin Morganit”, për të doktoruar dhjetë vjet më vonë në Universitetin e Prishtinës me temën “Simboli në poezinë e sotme shqipe”.

Nëntë vjet pas zgjedhjes asistent, Çapriqi nisi të ligjëronte lëndën Stilistikë dhe, nga 1999, edhe Semiologji, ndërsa në vitin 2005 u zgjodh profesor asistent për këto lëndë në Degën e Letërsisë Shqipe dhe në Degën e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare.

Në vitin kur doktoroi, më 2004, u zgjodh kryetar i parë i PEN-Qendrës së Kosovës, për t’u rizgjedhur edhe më 2009. Dy herë u zgjodh edhe kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht më 2006 dhe 2009.

Ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe nënkryetar i saj u bë më 2012, përderisa katër vjet më vonë u zgjodh profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.

E nga krijimtaria letrare nuk kishte hequr dorë asnjëherë. Në krijimtarinë poetike Çapriqi ka botuar edhe veprat: “Në fund të verës”, 1986, “Ma qet gjuhën”, 1989, “Frutat bizare”, 1996”, “Grass on the Window”, 1996, “Burimi nën gjuhë”, 2005 “Zbutja e gjarprit”, 2006 “Deschiderea scoicii”, 2010, “Përkryerja e shiut”, 2013. Krijimtaria e tij studimore është mjaft e gjerë.

Ka botuar shtatë vepra në kritikë letrare dhe dramën “Ora bizare”, e shfaqur në Festivalin Botëror të Teatrit Alternativ në Kajro të Egjiptit. Ka botuar qindra studime në revista e gazeta.

Si poet që spikaste me vargje të nivelit të lartë estetik e tematik, poezitë e Çapriqit janë përfshirë në antologji në polonisht, rumanisht, gjermanisht, kroatisht, maqedonisht, anglisht, frëngjisht, arabisht e japonisht.