Kulturë

Kalimera poetike e Ulqinit sivjet homazh ndaj themeluesit të saj, Ibrahim Berjashi

Kalimera poetike e Ulqinit sivjet homazh ndaj themeluesit të saj, Ibrahim Berjashi

Organizuar nga shoqata e artistëve dhe intelektualëve “Art Club”, kjo ngjarje vazhdon t’i promovojë vlerat më të mira letrare që krijohen gjithandej në botën shqiptare, vendet e rajonit dhe më gjerë. Prej vitit 2018 mban emrin e poetit të shquar, Basri Çapriqi, i cili vdiq atë vit

Si manifestim tradicional letrar i shqiptarëve në Mal të Zi, kalimera poetike “Basri Çapriqi” është në prag të zhvillimit të edicionit të 33-të, i cili do të mbahet prej 11 deri më 13 shtator në Ulqin.

Organizuar nga shoqata e artistëve dhe intelektualëve “Art Club”, kjo ngjarje vazhdon t’i promovojë vlerat më të mira letrare që krijohen gjithandej në botën shqiptare, vendet e rajonit dhe më gjerë. Prej vitit 2018 mban emrin e poetit të shquar, Basri Çapriqi, i cili vdiq atë vit.

Në bazë të programit të publikuar, edicioni i sivjetmë e ka të veçantë mbrëmjen dedikuar si homazh shkrimtarit Ibrahim Berjashi, i cili është ndarë nga jeta në mars të këtij viti. Ai ka qenë kryetari i parë i shoqatës “Art Club” dhe njëri nga themeluesit e “Kalimerës poetike”. Krahas kësaj, dy mbrëmjet e tjera do të jenë autoriale me shkrimtarët Besnik Mustafaj dhe Ilire Zajmi. Edhe sivjet ngjarja do të mbahet në tri vende të ndryshme në Ulqin, në Muzeun e Ulqinit në Kala, në librarinë “Ulqini” dhe në Muzeun Etnografik në Draginë, me synimin e promovimit të letërsisë dhe trashëgimisë historike e kulturore dhe potencialet turistike të qytetit të Ulqinit.

Kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se tradita duhet të vazhdohet edhe pas vdekjes së krijuesve të letërsisë, duke theksuar kështu dedikimin e natës së parë për shkrimtarin Ibrahim Berjashi.

“Ashtu si letërsia shqipe duhet të jetojë dhe mbijetojë pas Kadaresë, edhe ‘Kalimera poetike’ duhet të jetojë pas vdekjes së dy prej themeluesve të saj. Ibrahim Berjashi dhe Basri Çapriqi na kanë mësuar se si duhet ta duam dhe të punojmë me ngulm për ta ruajtur atë që ke krijuar. Ata na e kanë lënë amanet, ndërsa ne ua kemi borxh që ta vazhdojmë, e një brez tjetër, pse jo, ta ngrejë në një stad më të lartë”, ka thënë ai. Edicioni i kaluar ia kishte kushtuar mbrëmjen e parë shkrimtarit Kadare, i cili kishte vdekur një muaj para zhvillimit të programit.

Ka thënë se dy shkrimtarët e tjerë, të cilëve u kushtohen dy netët e tjera, janë pjesë të trashëgimisë dhe traditës, duke e vënë në fokus punën e tyre të përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja.
“Arma më e fuqishme është tradita dhe trashëgimia e saj. Kësaj trashëgimie nga ky edicion i shtohen edhe dy emra të përveçëm të letërsisë shqipe: shkrimtarët Besnik Mustafaj dhe Ilire Zajmi. Megjithëse secili krijon në mënyrën e vet, ajo që i bashkon është përpjekja e tyre, e kthyer pothuajse në një mision, që letërsinë shqipe përmes përkthimit në gjuhë të huaja ta bëjnë të njohur për lexuesin evropian dhe botëror”, ka shtuar Kallaba.

Ka përmendur ngjarjet e fundit në shtetin fqinj që kanë ndodhur për shkak të gjuhës shqipe. Sipas tij, “Kalimera poetike” do ta përfshijë dimensionin e mbrojtjes së gjuhës në një vend ku rrezikohet.
“Në kontekstin edhe të disa ngjarjeve të fundit në Malin e Zi, nëse nisemi nga premisa se letërsia është gjuhë, para së gjithash, ‘Kalimera poetike’ ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm për shqiptarët në Malin e Zi të sotëm. Ajo do të thotë të mbash gjallë gjuhën shqipe në një hapësirë ku ajo është e rrezikuar seriozisht dhe ndonjëherë edhe e padëshirueshme”.

Përveç tyre, artistja multidisiplinare Zake Prelvukaj do ta zhvillojë një ekspozitë me instalacione arti.

Në thelb, ekspozita e saj do t’i ketë besëtytnitë.

“Në kuadër të këtij edicioni kam zgjedhur një temë të cilën e kam gjetur këtu dhe vetëm Ulqinit i përket. Kam zgjedhur hyrjen e qytetit të vjetër, Kalasë për një prezantim me fotoinstalacion. Titulli do të jetë ‘Ofshamë’ dhe nëntitulli ‘Shpella e lakuriqeve’. Përfshihen besëtytnitë, në këtë rast, koncepti i plazhit të grave, i cili mua personalisht më ka ngacmua dhe e kam përfshirë në këtë ekspozitë me tekst, foto e të tjera. Me 110 thënie të shtypura në pikën e kuqe, të cilat kanë dalë nga ofshama e grave, siç janë ‘më quanin barkë, boshe’, e të tjera… Të gjitha thëniet do të varen në pjesën e sipërme të hapësirës ku do të prekin kalimtarin e rastit deshën apo jo të lexojnë”, ka thënë ajo në një përgjigje ndaj KOHËS.