Kronikë

Aktakuzë ndaj pronarit dhe një kompanie në Pejë pas vdekjes së një punëtori në vendin e punës

Punëtori rrëzohet nga ndërtesa në Lipjan, arrestohet pronari i objektit

Ilustrim

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi fizik dhe një personi juridik, lidhur me vdekjen e një punëtori në vendin e punës, si pasojë e mosrespektimit të masave të sigurisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë të mërkurën, aktakuza është ngritur ndaj Sh.K., pronar i kompanisë “Luani Transport”, si dhe ndaj vetë kësaj kompanie, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sipas aktakuzës, më 7 korrik 2025, në fshatin Gorazhdevc të Komunës së Pejës, i pandehuri Sh.K., në cilësinë e pronarit të kompanisë, nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë. Ai dyshohet se nuk ka krijuar kushte të sigurta pune, nuk ka ofruar trajnim për sigurinë në punë dhe as informim për rreziqet apo përdorimin e duhur të makinerive.

Si pasojë, punëtori S.R., i cili sipas përshkrimit të detyrës ishte i angazhuar vetëm si pastrues, ka humbur jetën në vendin e punës pas kontaktit me një gjenerator.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj personit juridik, kompanisë “Luani Transport”, e cila dyshohet se nga pakujdesia nuk ka përmbushur kushtet e parapara me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe rregullat teknike për sigurinë në vendin e punës.

Sipas Prokurorisë, si pasojë e këtyre shkeljeve ligjore, punëtori S.R. ka humbur jetën.

Në aktakuzë, prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që, përveç dënimit për veprën penale, të shqiptohet edhe dënimi plotësues “ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”. Në këtë rast, kërkohet ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së separacionit, pasi i pandehuri dyshohet se ka ushtruar këtë veprimtari pa licencë dhe pa përmbushur kriteret e sigurisë në vendin e punës.

KOHA ka siguruar detaje nga aktakuza ku thuhet se i pandehuri nuk kishte bërë tokëzimin e gjeneratorit i cili kishte përçuesin e këputur dhe të hapur, pa kapak, me rrezik permanent për punëtorët, me ndërprerës në defekt, dhe si i tillë i palejuar për t’u lëshuar në punë.

“Gjeneratori ishte me kabinë të zhveshur, ndërsa nga ekspertiza teknike konsiston se kabllot dalëse të gjeneratorit janë pa mbulesë mbrojtëse, të lidhura në mënyrë të pasigurt, të vendosura në mënyrë të lirë në tokë, me mundësi kontakti të drejtpërdrejtë. Panelet e komandës kanë mungesë izolimi të brendshëm dhe janë të hapura ndaj lagështisë, pluhurit dhe ndërhyrjeve njerëzore. Nuk ka sistem mbrojtës diferencues që do të ndërpriste qarkun në rast të rrjedhjes elektrike, mungesë e dukshme e tokëzimit, mungesë e pajisjeve mbrojtëse personale të punëtorëve dhe mungesë e procedurave të punëtorëve dhe dokumentacionit për ndërhyrje dhe mirëmbajtje të sigurt të pajisjeve”, thuhet në aktakuzë.

Më tej thuhet se ka indikacione të mundshme se ndërhyrja është bërë në mënyrë që gjeneratori ka qenë në funksion, pa masa mbrojtëse “lock-out/tag-out”, e ku si pasojë e mosrespektimit të standardeve të përshkruara si më lart nga i pandehuri, tani i ndjeri S.R. gjeti vdekjen në vendin e tij të punës në firmën “Luani Transport” si pasojë e punës dhe kontaktit me gjenerator, fakt ky i konstatuar edhe në bazë të raportit të autopsisë.