Khrystyna Yurchenko ka punuar fuqishëm për një jetë më të mirë në Donbas, rajonin lindor të Ukrainës. Tërë energjinë ia kushtoi studios së vallëzimit në të cilën është pronare.
Por tani ajo është e gatshme që të tërhiqet nga gjithçka, vetëm për paqe. Yurchenko është në mesin e ukrainasve që thonë se janë në gjendje të dorëzimit të disa pjesëve të territorit që kontrollohet nga Rusia, vetëm që t’i jepet fund luftës, raporton NYTimes.
Kjo përbën ndryshim të madh te populli i dërrmuar ukrainas. Dorëzimi i territorit të cilin Rusia e ka pasur të pamundur ta marrë nën kontroll – ka qenë vijë e kuqe. Por ajo që dikur dukej e pamundur, tani duket më pak e tillë. Ngjan kjo në kohën kur Kremlini insiston që negociatat e ndërmjetësuara nga amerikanët do të avancojnë vetëm nëse Ukraina pranon të largohet nga Donbasi.
“Për mua, paqja është prioritet dhe nëse është e mundur që të mos ketë luftë më po që se e dorëzojmë Donbasin, jam e gatshme të largohem”, ka thënë ajo. Yurchenko ka thënë se është e gatshme për dorëzim territori vetëm nëse aleatët e Ukrainës ofrojnë garanci të sigurisë për shtetin e pasluftës.
E ardhmja e Donbasit është ndër çështjet që kanë shkaktuar më së shumti ngërç, teksa Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë bisedimet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ukraina ka kaluar vite të tëra duke mbrojtur qytete në Donbas dhe ka humbur një numër të madh të ushtarëve në mbrojtje të rajonit industrial. Territori mbulon disa rajone, përfshirë Donetskun e Luhanskun. Ukraina ende ruan rreth 20 për qind të Donetskut, por e ka humbur krejt Luhanskun.
Për Rusinë, kapja e Donbasit, ku Moska ka humbur shumë më shumë ushtarë se Ukraina, ia mundëson pretendimin se “ka arritur fitore” edhe pse ka dështuar në qëllimin kryesor për ta nënshtruar të gjithë Ukrainën.
Në deklarata publike, presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina është kundër tërheqjes së njëanshme nga Donbasi. Por në disa raste ai ka dhënë sinjale të fleksibilitetit, duke thënë se si Rusia edhe Ukraina duhet të përgatiten për kompromise.
Sondazhet e fundit kanë reflektuar se ka më shumë gatishmëri për dorëzim territori.
Në maj të 2022-s, vetëm dy muaj kur Ukraina nisi të përballej me ushtrinë ruse, një sondazh i kryer nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev zbuloi se 82 për qind e ukrainasve besonin se s’duhet të ketë dorëzim territori në asnjë rrethanë.
Ndërkaq në sondazhin më të fundit të këtij instituti, i publikuar të hënën, rreth 40 për qind e të anketuarve kanë thënë se mbështesin dorëzimin e Donbasit në këmbim të garancive të sigurisë.
Dy shifrat nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt sepse sondazhet e mëhershme s’e kanë përfshirë opsionin e garancive të sigurisë në pyetje. Por gjetjet tregojnë se në mesin e ukrainasve po shtohet bindja se territori bën të lëshohet për fundin e luftës.
Megjithatë, shumica e ukrainasve janë kundër. Shumë thonë se janë të gatshëm të vazhdojnë luftën.