Kulturë

Krijimtaria e Basri Çapriqit jehon në letërsi edhe me komplet veprash

Mundësi të re të komunikimit me krijimtarinë e Basri Çapriqit është konsideruar botimi i kompletit të veprave të tij, përuruar të premten midis miqsh, kolegësh të poetit të ndjerë që konsiderohet si zë i papërsëritshëm në letërsinë shqipe. Veprimtaria e tij është cilësuar jehonë në letërsinë shqipe jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen, në çdo fushë

Tri ditë para datës kur poeti Basri Çapriqi do të shënonte 64-vjetorin e lindjes dhe dy ditë para gjashtëvjetorit të vdekjes, është botuar kompleti i krijimtarisë së tij. Opusi që e kishte krijuar në të gjallë është bërë bashkë në katër vëllime. Poezia, eseja, publicistika e studimi i tij letrar janë përmbledhur një vend. Nëpërmjet promovimit të veprave është kujtuar edhe figura e tij prej krijuesi e njeriu. Çapriqi është vlerësuar si i papërsëritshëm, ndërsa krijimtaria e tij si jehonë e letërsisë shqipe.

Miq e bashkëpunëtorë të poetit të premten janë mbledhur në kafe-galerinë “Kultplus” në kryeqytet për ta bërë të pranishme e të dukshme punën e figurën poliedrike të Çapriqit. Aty edhe ka jehuar poezia e tij. Sebep kanë qenë botimet e PEN Qendrës së Kosovës, kryetar i së cilës Çapriqi kishte qenë shumë vjet. Angazhimi i miqve të tij studiues ka qenë analiza e secilës vepër.

Miku i tij, profesori e shkrimtari Milazim Krasniqi, ka thënë se botimi i veprës komplete të autorit pas vdekjes hap mundësi të re të komunikimit me krijimtarinë e tij. Me theks të veçantë e ka veçuar poezinë e autorit të ndjerë.

“Poezia e Basri Çapriqit në kuadër të këtij botimi të veprës komplete, me siguri që do të marrë pjesën më të madhe të shkëlqimit të veprës së tij, përballë studimeve dhe publicistikës, sepse Basriu në rend të parë ishte poet e vetëm pas kësaj edhe studiues letërsie dhe publicist. Poezia e tij ka bërë jetë intensive relativisht të shpenguar në relacion me publikun edhe për ngjallje të autorit, me anë botimesh, ribotimesh, dramatizimesh, recitimesh e përkthimesh, sepse autori ka qenë nga ata që nuk imponohen vetë në vend të veprës së tyre”, ka thënë Krasniqi derisa ka lexuar në parathënien e Veprës së parë. Ka vlerësuar se ai ishte poet me ndjeshmëri për të bukurën e me dije të lartë për sekretet e artit letrar. Ka thënë se Çapriqi ka krijuar poezi me vlera të larta artistike dhe se mbetet poet urban dhe postmodern, por edhe poet mitik shqiptar. Përtej krijimtarisë letrare, e ka vlerësuar si njeri me vlera.

“Të gjithë ata që e kanë njohur, gjithmonë mbajnë kujtime të mira, ka qenë mik i papërsëritshëm. Njeri me aq vlera. Në një rast e kam thënë se ai me sharmin, me kulturën e tij na ka fisnikëruar edhe ne. Ka pasur një kulturë që ka rrezatuar”, ka thënë Krasniqi.

Në dy vepra janë përmbledhur punimet në konferenca e takime kulturore dhe shkencore. Shkrimtari e profesori, Ibrahim Berisha, e ka vlerësuar Çapriqin si “jetues aktiv në shkencë, në albanologji, letërsi, poezi”. E ka vlerësuar të veçantë publicistikën e tij, duke e konsideruar si një prej krijuesve e ndërtues praktik e teorik të lëvizjeve të viteve ’80 dhe ’90 dhe si krijues i përmbajtjes praktike e demokratike në fillimshekullin XXI.

“Ajo që e preokupon më së shumti në publicistikë dhe kur i lexon edhe sot pas më shumë se 30 vjetëve, janë esencat tona identitare, kulturore, artistike, aksidentet dhe vetaksidentet, të cilat na vënë në këtë fat të keq me historinë tonë, natyrisht ai jep një vizion se si duhet të dilet nga këto vetëfatkeqësi”, ka thënë Berisha në fjalën e tij në ngjarjen ku është promovuar kompleti i profesor Çapriqit.

Ka thënë se gjatë analizës së Veprës 4, në shumë prej titujve të eseve të tij ka vërejtur elemente prej ku dallohet vizioni i tij për botën e integruar shqiptare.

“Te botimi i parë i veprës ‘Aksidenti i orës shqiptare’, prej 33 eseve sa ka, në 16 prej tyre ai ka në titull nocionet themelore ‘gjithëshqiptar’, ‘shqiptar’, ‘Shqipëri’. Do të thotë vizioni i tij kulturor ishte një botë e integruar shqiptare në të gjitha aspektet, nga ato kulturore dhe në dimensionet e tjera arsimore. Disa nga problemet kryesore që na përtëriten vazhdimisht në jetën tonë publike, ai i gjen pikërisht në pamundësinë për ta dekontaminuar mendjen tonë autoritare apo post-autoritare, që vërehet kudo në jetën publike”, ka vlerësuar Berisha.

Në rendin e studiuesve e njohësve të veprimtarisë së poetit, studiuesit e profesorit Basri Çapriqi ka qenë edhe Isak Shema, profesor i të ndjerit. Ai ka thënë se vepra do të jetë jehonë në letërsinë shqipe jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen, në çdo fushë. E ka quajtur të papërsëritshëm.

“Kemi shikuar mundësinë të zhvillojmë kulturën gjuhësore letrare te studentët dhe të nxisim krijimtarinë letrare, sepse Basriu është një poet shembullor. Një krijues, studiues shumë i veçantë i letërsisë. Mund të them i papërsëritshëm. Unë kam pasur rastin të shkruaj referate për zgjedhje dhe avancim të Basriut dhe gjithnjë ka qenë dilema se si të paraqitet jeta dhe krijimtaria e Basri Çapriqit. Ajo disi më ka dalë vetvetiu”, ka thënë Shema.

Profesori e studiuesi Osman Gashi, autor i parathënies së Veprës së 2-të, derisa ka lexuar në analizën e tij, ka thënë se vepra trajton në mënyrë krejtësisht të veçantë poezinë e sotme shqipe, veçmas atë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ka thënë se libri “Mikrostruktura e tekstit” është vepra e parë diskursive e Çapriqit, e botuar në edicionin e “Rilindjes”, më 1990.

“Mund ta konsiderojmë si një monografi të fokusuar, në radhë të parë, në krijimtarinë poetike të një domeni specifik që studiuesit e kanë emërtuar si poezi e sferës së mbyllur subjektive e që më pas, është emërtuar edhe si poezi e komunikativitetit të ulët, poezi e kulluar apo poezi hermetike. Në të vërtetë, prizmi nga ku studiohet kjo poezi është ai i formësimit gjuhësor poetik, domethënë zhvillimi i strukturave poetike në rrafshin e formave dhe të mënyrës së ekzistimit të saj si art gjuhësor”, ka thënë Gashi.

Sipas tij të gjitha shkrimet kritike për poezinë e krijuesve vendorë janë “plotësisht koherente në aspektin metodologjik e interpretativ”. Gashi ka thënë se monografia “Mikrostruktura e tekstit” u ofron lexuesve dhe studiuesve pasqyrën e qartë të arritjeve, synimeve e ndjeshmërisë së poetëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Për Veprën e 3-të analizën e ka bërë profesori e studiuesi Sali Bashota i cili ka moderuar edhe panelin. Në atë që ka qenë edhe përkujtim për profesorin Çapriqi, e ka kujtuar edhe bashkëshorten e tij, profesoreshën e përkthyesen Suzana Çapriqi.

“Duke e nderuar dhe kujtuar veprën e Basri Çapriqit në të njëjtën kohë kujtojmë edhe bashkudhëtaren e Basriut, Suzanën, përkthyesen dhe profesoreshën e nderuar që na mungon. Qoftë gjithmonë i ndritur shpirti i tyre”, ka thënë Bashota.

Vajza e profesorit Çapriqi, Bulza, ka thënë se me veprat që babai i saj ka lënë pas mund të shihet zhvillimi i tij si autor në kohë e stile të ndryshme. Sipas saj më shumë se botim i kompletit, është ringjallje e krijimtarisë artistike gjatë tërë jetës së autorit.

“Në të njëjtën kohë jam e mërzitur aq sa jam edhe e lumtur për botimin sepse ai nuk mund të jetë këtu të flasë. Në të gjitha promovimet e tjera të librave ka ardhur një moment kur edhe ai vetë e ka paraqitur veprën e tij dhe ka folur me të. Por e di që edhe për këtë fakt do të kishte qeshur dhe do të thoshte që vepra duhet të flasë vetë dhe jo autori, kështu që jam shumë krenare për veprën që ka lënë pas”, ka thënë Bulza Çapriqi.

Në vitin kur doktoroi, më 2004, Basri Çapriqi u zgjodh kryetar i parë i PEN-Qendrës së Kosovës, për t’u rizgjedhur edhe më 2009.

I pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj dhe kryetari i “PEN Kosova”, Binak Kelmendi.

“Do ta shohim një takim edhe emotiv, por edhe një takim shumë të rëndësishëm për ta përkujtuar Basriun i cili vazhdon të na bëjë bashkë edhe pas vdekjes së tij”, ka thënë Kelmendi në fillim të ngjarjes.

I lindur në fshatin Krythë, nja 15 kilometra larg Ulqinit, Basri Çapriqi mbaroi shkollën fillore dhe atë të mesme në qytetin bregdetar. Studioi letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe diplomoi më 1983. Ndoqi studimet e magjistraturës po në këtë Universitet, të cilat i përfundoi më 1987 me temën “Format autentike të tekstit letrar në poezinë e sotme shqipe”.

Më pas u zhvendos për studime në Universitetin e Edinburgut duke ndjekur interesimet e tij për letërsinë skoceze. Më 1994 mori diplomë nga ky universitet me temën “Poezia konkretiste e Edvin Morganit”, për të doktoruar dhjetë vjet më vonë në Universitetin e Prishtinës me temën “Simboli në poezinë e sotme shqipe”.

Nëntë vjet pas zgjedhjes asistent, Çapriqi nisi të ligjëronte lëndën: stilistikë dhe nga 1999, edhe semiologjinë, ndërsa në vitin 2005 u zgjodh profesor asistent për këto lëndë në Degën e Letërsisë Shqipe dhe në Degën e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare. Ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe nënkryetar i saj u bë më 2012, përderisa katër vjet më vonë u zgjodh profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.

E nga krijimtaria letrare nuk kishte hequr dorë asnjëherë. Në krijimtarinë poetike Çapriqi ka botuar edhe veprat: “Në fund të verës”, 1986, “Ma qet gjuhën”, 1989, “Frutat bizare”, 1996”, “Grass on the Window”, 1996, “Burimi nën gjuhë”, 2005 “Zbutja e gjarprit”, 2006 “Deschiderea scoicii”, 2010, “Përkryerja e shiut”, 2013. Krijimtaria e tij studimore është mjaft e gjerë.

Poezitë e Çapriqit janë përfshirë në antologji në polonisht, rumanisht, gjermanisht, kroatisht, maqedonisht, anglisht, frëngjisht, arabisht e japonisht.