Për tri mbrëmje me radhë, hapësirat e Muzeut të Ulqinit do të shndërrohen në ambient që bashkon shkrimtarë e poet. Në edicionin e 31-të aty do të zërë vend Kalimera Poetike që viteve të fundit mban emrin e poetit e studiuesit Basri Çapriqi.
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” prej 4 deri më 6 gusht do të jetë nikoqire e shkrimtarëve Nazmi Rrahmani nga Kosova, Nurie Emrullai nga Maqedonia e Veriut dhe Primo Shllaku nga Shqipëria, të cilëve do t’u kushtohen mbrëmje autoriale.
“Në rrugëtimin e saj 30-vjeçar, ‘Kalimera Poetike’ ka kaluar nëpër faza të ndryshme, e ka ndryshuar konceptin fillestar dhe është shndërruar nga një manifestim masiv në një aktivitet elitar, duke promovuar vlerat më të mira letrare”, shkruhet në njoftim. Sipas organizatorëve, “kalimera...” ka arritur të krijojë një traditë të mirë dhe ta ruajë cilësinë e saj, duke ftuar shkrimtarët që me shkrimin e tyre kanë lënë vërtet gjurmë në letërsi. “E personifikuar me emrin e poetit dhe studiuesit të ndjerë, Basri Çapriqi, edhe pas 30 vitesh ajo zhvillohet me po të njëjtin pasion të fillimit, duke u përpjekur të ruajë identitetin shqiptar në këto treva”, shkruhet në njoftim. Ayu bëhet e ditur se Kalimera Poetike “Basri Çapriqi” ka për qëllim promovimin e letërsisë shqipe dhe të letërsive që krijohen në vendet dhe gjuhët e tjera, por edhe njohjen e shkrimtarëve me njëri-tjetrin dhe krijimtarinë e tyre. “Në të trajtohen edhe probleme të letërsisë, hidhen ide për bashkëpunime etj. Ajo konsiderohet ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe i ka dhënë impuls jetës kulturore në Ulqin, sidomos gjatë verës, dhe ia ka rritur namin Ulqinit në rrafshin kulturor gjithëkombëtar”, shkruhet në njoftim.
Edicioni i sivjetshëm do të zhvillohet në tri lokacione të ndryshme. Krahas sheshit në Muzeun në Kalanë e Ulqinit, ku do të zhvillohet ceremonia e hapjes së manifestimit dhe mbrëmja e parë autoriale, dy mbrëmjet e tjera do të mbahen në Muzeun Etnografik – Draginë dhe Librarinë “Ulqini”, duke u përpjekur për të qenë sa më afër publikut.
-
Kalimera poetike e Ulqinit sivjet homazh ndaj themeluesit të saj, Ibrahim Berjashi
-
Ulqini në kujtim të Kadaresë me kalimerën poetike “Basri Çapriqi”
-
Kosova, dritarja e hapur e letërsisë shqipe në Mal të Zi
-
Ulqini zhvendoset në Prishtinë me frymën e ngjyrave bregdetare
-
Panairi i Librit në Ulqin mbyll edicionin me ndarjen e çmimeve