Arkeologët në Irakun verior kanë zbuluar gdhendje në shkëmbinj 2700-vjeçarë që shfaqin skena lufte dhe pemë nga Perandoria Asiriane, raportoi AP-ja të mërkurën.
Gdhendjet në pllaka mermeri u zbuluan nga një ekip ekspertësh në Mosul, qyteti i dytë më i madh i Irakut, të cilët kanë punuar për të restauruar vendin e Portës së lashtë “Mashki”, e cila u shkatërrua nga militantët e Shtetit Islamik në vitin 2016.
Arkeologu Fadhil Mohammed, kreu i punimeve të restaurimit, tha se ekipi ishte i befasuar nga zbulimi i "tetë muraleve me gdhendje, vizatime dekorative dhe shkrime".
Porta Mashki ishte një nga më të mëdhatë të Ninevehut, një qytet i lashtë asirian.
Gdhendjet e zbuluara tregojnë, ndër të tjera, një luftëtar që përgatitet të gjuajë një shigjetë, ndërsa të tjerat tregojnë palma.
"Shkrimet tregojnë se këto murale janë ndërtuar ose bërë gjatë mbretërimit të mbretit Sennacherib", shtoi Mohammed, duke iu referuar mbretit të Perandorisë Neo-Asiriane që sundoi nga viti 705 deri më 681 P.E.S.
Territori i sotëm i Irakut ka qenë shtëpia e disa prej qyteteve më të hershme të botës. Mijëra zona arkeologjike janë të shpërndara atje.