Kulturë

“Muzikë n’teatër” me tingujt që shpërndahen për energji e rrëfime

Secila këngë që mban vulën e kantautorit Shpat Deda është rrëfim më vete. E kur në interpretimin e tyre u bashkohen ata që janë përherë aty ku është muzika e mirë, Visar e Tomor Kuçi, rrëfimet marrin të tjera ngjyra. Energjia midis publikut e trios është e përhershme gjatë gjithë koncertit dhe zgjidhja për këtë ka qenë skena e teatrit. Pas Prishtinës e Ferizajt, janë edhe katër stacione të tjera të “Muzikë n’teatër”, siç është pagëzuar ky turne

Muzika që realizojnë si trio i ngjan një udhëtimi poetik. Tingujt bëhen adresë për përjetime të ndryshme. Por rrumbullakim i janë vargjet tejet delikate që shpesh edhe godasin. Jetësimi para publikut është fantastik. Këngët dalin prej formatit fillestar dhe marrin peshë edhe më me aranzhime.

Tashmë ato s’njihen veç si këngët lirike që falin një lloj qetësie, por të tilla që eksperimentohet me to. Një shembull kur Visar Kuçi brenda një kënge del nga fizarmonika në violinë, e pastaj në kitarë. Zërit të butë të Shpat Dedës i përshtatet energjia që lë në skenë edhe kitaristi Tomor Kuçi. Ajo që e kompleton edhe më shumë koncertin është hapësira e përzgjedhur. Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës – objekti i përkohshëm i TKK-së – bën që ato të shijohen artistikisht, duke e marrë vëmendjen e plotë të publikut. Interesimi është i dukshëm ende pa nisur koncerti. Salla është e mbushur plot. Ndërkaq kur nis koncerti, energjia mbahet tejet në nivel. Jo pak herë duartrokitjet dëgjohen në mes të këngës. Por Prishtina s’do të mbetet i vetmi vend që do ta shijojë këtë rrugëtim.

Image
“Muzikë n’teatër” përqendrohet tek albumi i tretë i Shpet Dedës, “Rrugës”

Janë edhe katër teatro të tjera të cilat do të përfshihen në projektin “Muzikë n’teatër”. Një ditë pas kryeqytetit, koncerti ka rrugëtuar në teatrin “Adriana” në Ferizaj. Gjakova është destinacioni më 12 dhjetor në pallatin e kulturës “Asim Vokshi”, për të pasuar me teatrin e qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë. Përfshihen edhe qytete të vogla, si Vushtrria, në këtë përjetim muzikor, duke e çuar koncertin atje më 14 dhjetor në teatrin e qytetit. Ndërkaq përmbyllja shënohet në teatrin e qytetit të Gjilanit më 16 dhjetor. Edhe posteri njashtu i koncerti është unik. Merr diçka edhe prej posterëve të moçëm në font shkronjash, realizuar në bardhezi, por për një koncert shumëngjyrësh.

Publikut në rrotacion nëpër Kosovë i mbetet ta shijojë programin, i cili përqendrohet tek albumi i tretë i Dedës, “Rrugës”. “T’huj”, “Instinktivisht”, “Kërkon”, “S’ka kurrgjo”, “Nesër”, “Kalimthi” e “Ninullë” janë copëzat e kësaj përmbledhjeje. Mirëpo s’mungojnë as këngët e para të tij. Retrospektivë muzikore ndjehet me “Përgjithmonë” dhe “Ëndërroj”, të cilat janë pjesë e programit. Ndërkaq ajo që mbetet e pandryshueshme në këtë rrugëtim është kitara e vetë kantautorit që nga fillimi.

Image
Krejt ndryshe prej incizimeve tingëllojnë këngët e Shpat Dedës me “Muzikë n’teatër”. Bashkë me Visar e Tomor Kuçin është punuar gjatë që ato t’i përshtaten edhe ambientit

“Edhe pas 14 vjetësh duke i ra, kam arritë me marrë një mësim të rëndësishëm. Më duket ka ardhë koha me marrë një kitarë të re”, thotë ai me humor teksa komunikon me publikun.

Nga koncerti mbi një orësh, Deda thotë se ka marrë energji tejet të mirë. Potencon që Prishtina është qyteti i tij i zemrës dhe si e tillë edhe pritjen e publikut e ndjen ndryshe.

“Dëshirën për të koncertuar në skena të teatrit e kam tash e një kohë, për shkak se ta jep një kontekst tjetër qysh mundesh me servu muzikën, është fokusi komplet në skenë”, thotë Shpat Deda.

Simbolikisht e quan “autostradë energjie” këtë përvojë mes tyre e publikut, programi i së cilës u zgjodh që në edicionin e kaluar të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!”

“Shkas për këtë program ka qenë ‘Mirëdita, dobar dan!’, ku më kanë thirrë me performu në Beograd, doja të shkoja me diçka serioze. Pasi e kemi ndërtuar këtë program, më ka pëlqyer aq shumë sa kam dashur ta bëj tour”, tregon tutje ai.

Në fillim në listën e këtij turneu kanë qenë 15 destinacione, por që gjatë rrugës është ndërruar ideja. Kanë mbetur 6 vende si adresë dhe fokusi u është dhënë qendrave kryesore urbane.

“Në Prizren s’kam mund të shkoj se e kanë teatrin në renovim dhe nuk na është ofruar një hapësirë e përshtatshme. Në Pejë kam qenë verës në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’”, shpjegon ai për mospërfshirjen e tyre në këtë listë.

Deda thotë se, përveç këngëve të albumit më të ri, u ka dhënë hapësirë edhe këngëve më të vjetra, të cilat pranon se i ka më për zemër. Por përzgjedhja ka qenë një proces i gjatë, me punë në studio me incizime e aranzhime.

“Gjithçka është e punuar deri në detajin e fundit, unë jam me partitura, është e shkruar edhe kur me kapë e me lëshu instrumentin se ka shumë detaje. Për mua është shumë me rëndësi kur kam programe sfiduese se ajo më bën të kem më shumë përkushtim, sidomos kur i kam krejt instrumentet që i dua, i kam studiuar dhe jam rritë me to”, shprehet maestro Visar Kuçi, violinist në Filharmoninë e Kosovës.

Thotë se e tëra ka qenë tentativë e gjatë për t’ua ruajtur vlerën origjinale këngëve edhe nëpërmjet ndryshimeve. Ndërkaq ambientimi me to ka qenë i lehtë për të sepse ka punuar gjatë me to.

“Jemi ulë dhe i kemi dëgjuar mirë cilat po dëshiron Shpati me i realizua për këtë program. Njëherë veç kemi fol, jemi taku, krejt këto janë shkru, janë lëshu në studio për me pa çka po tingëllon mirë. Ka qenë një proces i bukur dhe ndërkohë më ka rënë të bëj pauza, e mu e kthy këtu. Kthimi çdo herë ka qenë më i mirë për secilin prej nesh”, thotë Kuçi.

Tomor Kuçi ka thënë se formati i koncertit përshtatet me hapësirat e përzgjedhura.

“Kemi menduar që s’është e përshtatshme kur publiku është në këmbë, (koncerti) s’e ka atë frymën e një party. Është i qetë edhe ka nevojë me u ndie edhe ajri në këtë muzikë, e teatrot me qetësinë e tyre janë të përshtatshme me këtë format”, u shpreh ai.

E ka cilësuar këtë mënyrë të të koncertuarit si diçka të veçantë.

“E kemi bërë si njëfarë vendi, kur nisim me performu na duket sikur me shku dikun, jemi të kënaqur që kemi mbërri ta krijojmë këtë ndjenjë që sa herë që e bëjmë këtë koncert e kemi atë ndjenjë”, thotë Kuçi.