“No Borders Orchestra” s’është një ansambël konvencional muzikor, por vepron si një fuqi transformuese rajonale në Ballkan. Duke e përdorur muzikën si gjuhë universale, orkestra promovon pajtimin në një rajon të larmishëm kulturor. Në këtë frymë është edhe turneu rajonal “Turning Point”, i cili ka përfshirë edhe Prishtinën me koncertin i cili shënon pikë kthese në krijimin e hapësirave të reja të dialogut kulturor
Salla e Ateliesë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është mbushur me tinguj që kanë kapërcyer kufijtë e zakonshëm. “No Borders Orchestra”, e përbërë nga muzikantë të shquar të hapësirës së ish-Jugosllavisë, ka sjellë në skenë turneun rajonal “Turning Point”, duke sjellë një atmosferë të rrallë muzikore. Publiku ka pasur rastin të shijojë disa prej veprave më të bukura të shkruara ndonjëherë për orkestër harkore, të ndërthurura mjeshtërisht me katër kompozime të reja të autorëve të rinj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, të krijuara posaçërisht për këtë projekt. Pas koncertit në Mostar të Bosnjës më 30 gusht, të enjten mbrëma ka ardhur në Prishtinë, për ta vazhduar edhe më tej turneun në Shkup të premten dhe në Tiranë në fund të tetorit.
Pjesë e orkestrës ishin instrumentistë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Mes tyre edhe Arianit Shehu nga Prishtina.
“No Borders Orchestra” s’është një ansambël konvencional muzikor, por vepron si një fuqi transformuese rajonale në Ballkan. Duke e përdorur muzikën si gjuhë universale, orkestra promovon pajtimin në një rajon të larmishëm kulturor. Qysh prej themelimit më 2012, me koncerte dhe të tjera pjesëmarrje, ka lënë gjurmë gjithandej në Ballkanin Perëndimor. Përbëhet nga muzikantë prej krejt grupeve etnike e fetare të rajonit të cilët koncertojnë jo vetëm në salla koncertesh të muzikës klasike, por edhe në hapësira jokonvencionale dhe kësisoj e bëjnë muzikën e tyre të qasshme për secilin. Pjesëmarrjet e kësaj orkestre në festivale me nam gjithandej Evropës, dëshmojnë fuqinë e pajtimit që kapërcen krejt kufijtë rajonalë.
Magjia e mbrëmjes u ndje që në notat e para. Tingujt e orkestrës krijuan një udhëtim emocional ku klasikja u ndërthur me risitë e kompozimeve moderne, duke e bërë publikun të përjetojë një gamë të gjerë emocionesh, nga qetësia e thellë e deri te shpërthimet e fuqishme muzikore. E përbërë vetëm nga instrumente harkore, dirigjuar nga Premil Petroviq, nata ka nisur me pjesën “Bubbling” nga Nina Peroviq, njëra nga pjesët e krijuara vetëm për këtë turne. E frymëzuar nga motivi i ujit që vlon e lëviz, ajo ka pasqyruar tensionin dhe ndryshimin, duke ndërthurur tinguj të incizuar të lumenjve e deteve me lojën e muzikantëve. Struktura e saj, e ndërtuar mbi figurën e gjashtëkëndëshit, ka shënuar fillimin e një udhëtimi muzikor ku janë përplasur e pajtuar e vjetra me të renë.
Pas saj është luajtur pjesa “Verklarte Nacht” nga kompozitori Arnold Schoenberg, duke u pasuar nga pjesa “Ckrsch!” e Davor Branimir Vincze, e cila ka jehuar me tingujt elektronikë të shtuar te klasikja instrumentale. E fundit për pjesën e parë është luajtur pjesa “Adaggieto” e Gustav Mahlerit. Pas një çerekore pushim ka vazhduar pjesa e dytë e koncertit edhe me tri pjesë të tjera.
Pjesa “Apoptotic Bodies”, kompozuar nga Darija Andovska, përshkruhet si relikte qelizore pas vdekjes së qelizave trupore. Kjo simbolikë është bartur tek orkestrimi, gjatë luajtjes së të cilës instrumentistët kanë lëvizur disa fletë letre me shpejtësi, duke krijuar kështu një harmoni tingujsh që ngjajnë sikur një kaos që jehon brenda sallës. Pjesa e famshme “Metamorphosen” nga Richard Strauss e ka pasuar atë të Andovskës, duke u luajtur deri në fund, për aq sa zgjat origjinalja – gati 30 minuta. E fundit është luajtur pjesa “Last Insciption”, krijuar enkas për këtë koncert nga Marko Nikodijeviq. Është një pjesë e krijuar me anë të tingujve të sintezatorit që kombinohen me ata orkestralë.
Në fund, duartrokitjet e gjata dhe entuziaste kanë dëshmuar se koncerti i “No Borders Orchestra” nuk ishte vetëm një ngjarje e zakonshme, por edhe një moment i rëndësishëm i bashkëjetesës artistike rajonale.
Për herë të parë në Prishtinë kanë qenë për një performancë më 2013 në katedralen e Shën Terezës dhe për herë të fundit ishin më 2018 në Prizren në Kino “Lumbardhi” në bashkëpunim me festivalin “DAM”.
Drejtori artistik i orkestrës, i cili edhe e ka dirigjuar atë, Premil Petroviq, ka thënë se ndihet i lumtur të vijë sërish në Prishtinë.
“Ishte absolutisht e mahnitshme, për herë të fundit kemi qenë më 2013 dhe e realizuam koncertin në Katedralen e Nënë Terezës, ishte e mbushur me njerëz dhe pas gjithë kësaj historie turbulente që e kemi dhe pas konflikteve dhe situatës së tmerrshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe jam shumë i lumtur të vij sërish këtu dhe është shumë e prekshme të jem këtu dhe t’i shoh njerëzit e bukur e t’i sjellim këta muzikantë të mrekullueshëm që janë serbë e shqiptarë, kroatë e sllovenë, maqedonas e të gjithë tek luajnë bashkë dhe t’u tregojnë të gjithëve se si njerëzit mund të jetojnë të lumtur bashkë e jo me këtë situatë të tmerrshme politike, të cilën po e jetojmë që 30-40 vjet. Në Serbi duhet të ndërrojnë gjërat dhe shpresoj se studentët do t’i ndryshojnë ato”, ka thënë ai për KOHËN në fund të koncertit.
Për rëndësinë në krejt hapësirën ballkanike por edhe në Evropë, në kontekstin kulturor e politik, muzikanti nga Serbia ka thënë se “No Borders Orchestra” është shembull se si njerëzit mund të bëhen bashkë dhe ta shijojnë muzikën duke dëgjuar muzikantët e natyrave të ndryshme.
“Ka shumë nisma dhe organizata joqeveritare që flasin për rëndësinë e të qenit bashkë dhe për bashkëpunim, por unë mendoj se ajo që arti dhe muzika tregojnë nuk është veç të folurit për të, por përjetimi i eksperiencës. Njerëzit që vijnë në koncertet tona i shohin muzikantët e kulturave, feve e shoqërive të ndryshme që jo veç rrinë bashkë, por rrinë të lumtur së bashku”, ka shtuar ai.
Njëra nga instrumentistët, violinistja Mersiha Teshkerexhiq ka thënë se ndihen sikur në shtëpinë e tyre; se pavarësisht dallimeve, i bashkon muzika.
“Ndihemi sikur në shtëpinë tonë, është e njëjta gjë. Ndoshta nuk e flasim të njëjtën gjuhë në këtë moment, por kjo nuk është një barrierë për ne. Mund ta flasim çfarëdo gjuhe, por gjuha e muzikës është më e forta. Kemi ardhur sot, ndihemi shumë mirë, qyteti ka qarkullim të madh dhe të gjithë muzikantët jemi të lumtur”, ka thënë ajo.

Sipas violinistes nga Bosnjë-Hercegovina, muzika tejkalon çdo barrierë gjuhësore dhe i lidh artistët si një “familje e vogël” që tashmë funksionon prej më shumë se një dekade.
“Mesazhi më i mirë është se është vërtet e mundshme të jemi bashkë, të performojmë bashkë. Ne ekzistojmë për më shumë se dhjetë vjet tani, e njohim njëri-tjetrin fort mirë dhe jemi si një familje e vogël që punon me projekte, që krijojmë diçka që është pjesë e kulturës së secilit. Gjatë provave nganjëherë kënaqemi më shumë sesa në koncerte, sepse jemi së bashku. Mesazhi është se s’mund t’i shmangesh historisë, por nuk jemi larg njëri-tjetrit me kultura e me tradita”, ka shtuar ajo.
“No Borders Orchestra” ka pasur koncerte të shumta në festivale në rajonin e Ballkanit ashtu sikurse dhe turne e kritika pozitive nga mbarë bota – në Vjenë, Bruksel, Paris, Rotterdam, Marsejë, Australi, Kore të Jugut, Kinë e në vende të tjerë të botës. Në këtë kuptim, “No Border Orchestra” nuk është vetëm lokale, por edhe globale.
Violinisti nga Kosova Visar Kuçi, i cili dikur ka qenë pjesë e orkestrës, e ka cilësuar koncertin si “fantastik”, veçanërisht për interpretimin e “Metamorphosen” të Straussit. Ka vlerësuar faktin që, pavarësisht akustikës jo të përsosur të sallës, ansambli arriti të krijojë një tingull të jashtëzakonshëm.
“Koncerti sonte ishte fantastik, sidomos veprat që i kanë zgjedhur për këtë turne janë vepra kolosale të muzikës për harqe, sidomos Strauss, ‘Metamorphosen’ që është ndoshta një prej kryeveprave të tij për harqe dhe më pëlqeu shumë se edhe në këtë hapësirë që nuk e ka akustikën aq të mirë, që ne e njohim shumë mirë se gjithmonë kemi ato problemet tona me punën që bëjmë këtu, arritën ta krijojnë një tingull dhe një lojë të jashtëzakonshme, normalisht po flasim për një orkestër të nivelit shumë të lartë, këta janë krejt profesionistë të zgjedhur prej shteteve të ish-Jugosllavisë”, ka thënë ai për KOHËN.
Në përbërje të muzikantëve profesionistë të Ballkanit Perëndimor, synimi i orkestrës prej themelimit ka qenë dëshira që të bëhet një orkestër rajonale simfonike përtej kufijve, që sjell nivelin më të lartë artistik.
Profesoresha e muzikës, Lejla Pula, ka thënë se ishte një “projekt jashtëzakonisht i bukur”.
“Kjo është një orkestër, e cila është e përbërë nga shumë instrumentistë të shkëlqyeshëm, domethënë një orkestër harkore kryesisht nga shtetet e ish-Jugosllavisë, por ishte edhe një violist, Arianit Shehu, nga Kosova. Mund të them se vërtet është një projekt jashtëzakonisht i bukur me imazhe tingullore e artistike të jashtëzakonshme dhe bile kjo sallë që përndryshe ka një hiperakustikë, sot ka tingëlluar jashtëzakonisht bukur për shkak se ishte vetëm orkestra harkore”, ka thënë ajo.
Turneu “Turning Point” i “No Borders Orchestra” synon të përçojë një mesazh të fuqishëm të pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon. Duke bashkuar artistë nga vende që dikur ndaheshin nga konfliktet, orkestra shndërrohet në simbol të unitetit përmes muzikës, duke dëshmuar se arti mbetet ura më e qëndrueshme mes njerëzve. Me këtë koncert në Prishtinë, projekti ka synuar ta shënojë një tjetër pikë kthese në krijimin e hapësirave të reja të dialogut kulturor.