Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Muzeu reprizon ekspozitën për familjen Jashari si dëshmi e sakrificës

Historiku që shpaloset nëpërmjet shënimeve, eksponatet e familjes e fotografitë që tregojnë zellin për të mbrojtur atdheun janë bërë bashkë në katin përdhes të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Në fakt, ekspozita vjen si reproduktim i përmbajtjes dhe titullit të së njëjtës që institucioni e kishte hapur më 28 nëntor 2014

Janë eksponate që zbërthejnë historinë e familjes Jashari. Jepen të dhëna për trungun familjar, historinë e tyre në raport me regjimin serb e deri te beteja treditore në mars të vitit 1998, të cilat shpërfaqin agresionin e regjimit serb mbi shqiptarët e rezistencën për t’u mbrojtur nga ai regjim.

Historiku që shpaloset nëpërmjet shënimeve, eksponatet e familjes e fotografitë që tregojnë zellin për të mbrojtur atdheun janë bërë bashkë në katin përdhes të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Në fakt, ekspozita vjen si reproduktim i përmbajtjes dhe titullit të së njëjtës që institucioni e kishte hapur më 28 nëntor 2014. Asokohe ishte titulluar “Qëndresa historike e Jasharëve për liri, rast unik në historinë botërore”. E me të njëjtin autor, Sadik Krasniqi, të martën është hapur me titullin “Qëndresa heroike e Jasharëve për liri”.

Fotografitë tregojnë për gjendjen e fëmijëve pas betejës. Të shtrirë në qoshe të ndryshme të shtëpive në trupat e tyre shihen gjymtimet që u janë bërë. Ekspozita e hapur në kuadër të manifestimit “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” sjell pjesë armësh të përdoruara nga familja, pastaj motorin personal të komandantin Adem Jashari e deri te gjësendet e tjera personale.

Mbi 200 fotografi e rreth 50 eksponate emërues të përbashkët kanë sakrificën e rezistencën për liri.

Autori Sadik Krasniqi, njëherësh shef i Sektorit të Historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka thënë se institucioni bën prezantime për historinë e kulturën kombëtare dhe me theks të veçantë fokusohet te familjet e mëdha dhe te personalitetit e shquara kombëtare nga kultura, politika, ushtria.

Edhe Prekazi i Jasharëve me ngjyrat e tingujt e 36 orëve të luftës e qëndresës Kulturë Prekazi i Jasharëve me ngjyrat e tingujt e 36 orëve të luftës e qëndresës

“Ekspozita e kujton dhe sjell nga afër për vizitorë atë çfarë ka ndodhur para 25 vjetëve. Rënia e Jasharëve është një akt jashtëzakonisht sublim e i rrallë. Unë e quaj rast unik në historinë botërore. Me rastin e familjes Jashari i gjithë populli është organizuar dhe UÇK-ja është forcuar. Po ashtu, faktori ndërkombëtar e ktheu vëmendjen nga Kosova”, ka thënë ai.

Sipas tij, ekspozita jep dimensione të ndryshme të familjes që determinojnë Jasharët.

“Ideja jonë ishte që këtë ekspozitë t’ia prezantojmë opinionit. Ekspozita në fjalë ka qenë e paraparë në agjendë shtetërore, por për çudi nuk janë këtu përfaqësuesit e Qeverisë e të Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai.

Në emër të familjes Jashari, Bekim Jashari ka thënë se bëhet fjalë për një histori që gjeneratat e reja kanë nevojë ta shohin e ta mësojnë. Ka thënë se populli shqiptar ka vuajtur shumë, në veçanti populli shqiptar në shtetin e Kosovës.

“Shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe duke mbështetur njerëzit e organizatat e ndryshme që të mbledhin sa më shumë fakte e dëshmi që fëmijët tanë të shohin dhe të mësojnë për atë që ka ndodhur për një shekull në vazhdimësi në Kosovën tonë”, ka thënë Jashari, i cili për një mandat ishte kryetar i Komunës së Skenderajt. Sipas tij, edhe bashkësisë ndërkombëtare duhet t’i tregohet ajo që ka ndodhur.

Edhe Prekazi ua rikujtoi liderëve çmimin e lartë që u pagua për shtetin Arbëri Prekazi ua rikujtoi liderëve çmimin e lartë që u pagua për shtetin

“Nuk është vetëm lufta e fundit në Kosovë ajo që duhet prezantuar bashkësisë ndërkombëtare, për këtë arsye thashë që shteti duhet të bëjë më shumë. Duhet të tregohet historia e vuajtjeve të popullit tonë. Ne që kemi mbetur gjallë e kemi obligim të punojmë pareshtur që ta bëjmë Kosovën ashtu siç e deshën ata që ranë për këtë vend”, ka thënë ai.

Nëpërmjet shënimeve tregohet historia e disa rrethimeve të kësaj familjeje. Në ballë të fotografive janë treshja Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari. Eksponatet tregojnë për përditshmërinë e familjes. Aty zë vend një sofër bashkë me pjata e lugë. Të pranishmit nuk ishin në numër aq të madh sikurse më 2014, kur ishte hapur ekspozita e ngjashme. Por kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për tri javë me qëllimin që t’u jepet sa më shumë mundësia vizitorëve që ta shohin. E ata që do të kenë rastin ta vizitojnë atë, do të futen në përditshmërinë e familjes që nuk bëri jetë të zakonshme, por u përball me artilerinë e regjimit serb që nuk i kurseu as fëmijët.