Të premten është njoftuar rikthimi i mbi 2400 objekteve arkeologjike në qytetin bregdetar të Durrësit, në kuadër të renovimit të Muzeut Kombëtar Arkeologjik. Ky projekt me një rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore dhe turizmin në Shqipëri synon ta shndërrojë hapësirën e muzeut në një destinacion tërheqës për vizitorët vendës dhe të huaj. Njoftimin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa ka shpërndarë pamje nga punishtja e renovimit të Muzeut.
Punimet për renovimin e tij patën nisur në nëntor të vitit 2022, pasi kishte pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti që kishte ndodhur pranë Durrësit më 2019. Parashikohej të kryheshin punimet më 2024, mirëpo kishte pasur probleme me pronësinë e godinës. Në këtë mënyrë qe shtyrë përfundimi i tij deri tani. Për restaurimin e këtij institucioni kishte investuar programi “EU4Culture” i Bashkimit Evropian me 3.5 milionë euro, teksa pas hapjes, pritet që muzeu të ofrojë një eksperiencë të re për turistët, me artefakte që dëshmojnë fazat historike dhe kulturore të qytetit, qysh nga periudha e Antikitetit e deri në Mesjetë.
“Mirëmëngjesi dhe me kantierin e Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Durrësit, ku thesaret e historisë me mbi 2400 objekte arkeologjike do i rikthehen Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, e ku brenda vjeshtës, në pavione moderne e kushte bashkëkohore, muzeu do të kthehet në një atraksion të rëndësishëm të turizmit kulturor dhe një hapësirë tërheqëse për vizitorët, ju uroj një ditë të mbarë”, ka thënë kryeministri Rama në një postim në rrjete sociale, duke e shoqëruar me pamje gjatë punimeve.
Gjatë tërmetit, godina e Muzeut Arkeologjik kishte pësuar dëmtime në disa kate të saj. Dëmtimet më madhore përfshijnë plasaritje në muret ndarëse, në nyjat e muraturës dhe në seksionet e sipërme të fasadës, si dhe zhvendosje të kolonave dhe të trarëve. E gjithë ndërtesa e muzeut, përfshirë fasadën dhe pjesën e brendshme, ka qenë në renovim e sipër dhe dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019 janë duke u riparuar. Krahas këtyre, po kryhet përmirësimi dhe përforcimi i sistemeve mekanike, elektrike, të ngrohjes, të ventilimit, të ajrit të kondicionuar, të evakuimit në raste emergjencash, të zjarrit dhe të sigurisë. Në pjesën e pasme të muzeut me restaurim do të instalohet një ashensor panoramik transparent. Në katin e tretë do të hapet një kënd edukativ dhe një kafene, për ta bërë vizitën një përvojë sa më të rehatshme e argëtuese. Do të hartohet një plan biznesi për t’i ardhur në ndihmë muzeut që të ketë flukse të qëndrueshme financiare.
I konsideruar si një nga muzetë më të rëndësishëm në Shqipëri, Muzeu Arkeologjik i Durrësit qe hapur më 13 mars të vitit 1951 dhe përbëhet nga pesë sektorë ekspozues: prehistoria, periudha arkaike, periudha klasike, periudha helenistike dhe periudha romake. Pjesa më e madhe e tij përbëhet nga 3 mijë e 204 artefakte që gjenden në vendin e lashtë të Dyrrhachium dhe përfshin një koleksion të gjerë nga ato periudha. Artefaktet kryesore përfshijnë stelat e funeralit romak dhe sarkofagët prej guri dhe një koleksion prej bustesh miniaturë të Venusit, dëshmi për kohën kur Durrësi ishte një qendër adhurimi e perëndeshës.