Enver Petrovci qe frymëzuar nga një ngjarje e Ulqinit, në të cilën ndodh martesa mes një shqiptareje myslimane dhe një malazezi katolik. Përderisa martesa shihet si legale në rastin e feve e kombeve të ndryshme, kurorëzimi me një person të nacionalitetit të njëjtë e fesë tjetër është i “ndaluar” në po të njëjtin vend. Pikërisht kështu lindi shfaqja “Muslimani”, premiera dyorëshe e së cilës u dha mbrëmjen e së hënës në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës
Ndasitë që krijohen brenda popullit nga identiteti fetar janë kryetemë e shfaqjes. Ndalesa për martesa mes kombit të njëjtë e feve të ndryshme është elementi që shpërfaq mentalitetin. Enver Petrovci qe frymëzuar nga një ngjarje e Ulqinit, në të cilën ndodh martesa mes një shqiptareje myslimane dhe një malazezi katolik. Përderisa martesa shihet si legale në rastin e feve e kombeve të ndryshme, kurorëzimi me një person të nacionalitetit të njëjtë e fesë tjetër është i “ndaluar” në po të njëjtin vend. Pikërisht kështu lindi shfaqja “Muslimani”, premiera dyorëshe e së cilës u dha mbrëmjen e së hënës në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Para se të fillonte shfaqja u krijua njëfarë rrëmuje, pasi disa ekipe mediatike nuk u lejuan të hynin me arsyetimin se nuk kanë qenë në premierën për media. Por për atë premierë nuk ka pasur njoftim të paktën në adrësën e postës elektronike të KOHËS.
Shfaqja e cila erdhi me autorësinë, regjinë dhe rolin kryesor të vetë Petrovcit, nis me ezan. Në skenë kumbon thirrja për lutje. Sefedin Halili, i portretizuar nga Petrovci, është mesoburri i cili gjithë jetën e tij ia dedikon fesë. Këtë e bën edhe deri në kryeneçësinë më të madhe dhe sakrifikon çdo gjë në emër të Zotit.
Ai jeton mes kujtimit të gruas së ndjerë, Sebihates, dhe mallit që ndien ndaj vajzës. Por këtë të fundit nuk e pranon, sepse ajo ka dalë kundër rregullave fetare. Hanën e martuar me një amerikan të krishterë, ai refuzon edhe ta pranojë se e ka vajzë. Madje thotë se më përpara do ta pranonte një amerikan mysliman sesa të krishterë.
Dashuria ndaj prindit nuk e bën Hanën të mbajë inat me të atin. Duke e ditur gjendjen e rënduar të babait i cili jeton në vetmi, ajo vendos ta paguajë një grua që të kujdeset për të. Anita Lipa i shfaqet Sefedinit si zyrtare e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, si kujdestare për pleqtë e vetmuar. Sefedini, i cili është një fetar fanatik, nuk e di deri nga mesi i shfaqjes arsyen e vërtetë të përfshirjes në jetën e tij të Anitës.
“Po hallashtisem përmes kësaj shfaqjeje”, ka thënë që në fillim të intervistës Petrovci. Për shpërfaqjen e mentalitetit përmes roleve, ai tha: “Mos u kufizoni vetëm në Kosovë, edhe në Maqedoni, madje edhe në Ulqin”.
Edhe
“Unrecognized” me teatrin që bashkon përballë politikës që ndan
“Këtë dramë e kam shkruar nga Ulqini. Kam qenë në xhirime, isha vetë në plazh me një kolege. Po e shoh prapa meje në malezisht, s’më kujtohet emri, si për shembull ‘Sanije Blakqori a po martohesh me Dragan Petroviqin’. Po dëgjoj ‘po’, u ktheva, m’u duk e çuditshme, shqiptarja myslimane me malazezin. U ktheva në hotel, pronari i hotelit ishte katolik. I thashë, merre me mend hasa në këso dasme. ‘Po, ne martohemi me ta, por mes vete kurrë. Nuk ka bo vaki, ndoshta kanë ndodhë në historinë e Ulqinit dy çifte (të jenë martuar), por ato kanë ikur nga presioni’. U ktheva dhe e shkrova”, tregon ai për mënyrën e frymëzimit për “Muslimanin”.
“Muslimani” nuk mbetet vetëm në hallkat e verbërimit fetar deri në humbje të familjes. Ajo shtreson edhe dashurinë e vajzës ndaj babait. Pikërisht Hana trashëgon të fëmijët e saj emrin e babait dhe nënës, Dini dhe Sebi.
Në anën tjetër një grua e re dhe e vejë ngarkohet për mbijetesë të marrë rolin e përkujdesjes së një plaku që është kokëfortë, Anita, e cila luhet nga Vlora Nikçi. Prapa rolit që tenton të zbusë marrëdhëniet mes Sefedinit dhe Hanës qëndron një grua, të cilën steriliteti e bën që të paragjykohet nga rrethi ku jeton e të shkojë edhe deri te divorci me burrin të cilin e do.
“Kam dalë pikërisht nga mendja, dora dhe teksti i tij”, thotë Vlora Nikçi për Anitën e Petrovcit. “Llogarite sa e vështirë është më i dhanë jetë atij personazhi që ai vetë e ka krijuar dhe shkruar”.

Ajo tregon se për këtë shfaqje ka pasur përgjegjësinë dhe kujdesin më të madh se herëve të tjera.
Edhe
Ulqini zhvendoset në Prishtinë me frymën e ngjyrave bregdetare
“Gjatë gjithë provave për katër muaj kam ecur në dy emocione shumë të fuqishme. Njëra është se si ta plotësoja atë që është shkruar, dhe tjetra kur e ndieja mirë që e jetësoja atë Anitën që ai e ka shkruar”, përfundoi Nikçi.
Për Nikçin, roli i Anitës nuk është më i vështiri por më i veçanti “për shkak që kam luajtur me profesorin Enver Petrovcin, është privilegj. Të mos harrojmë se profesori sado që thotë unë jam regjisori, por s’është se ka qenë gjithmonë profesori, kam mësuar shumë gjëra që si studente më kanë ikur”.
Për të është shumë e rëndësishme portretizimi i gruas e cila për shkak të pamundësisë së sjelljes në jetë të një fëmije trajtohet jo mirë nga shoqëria.
“Ajo dhimbje e saj më prek shumë, vazhdon të kujdeset për këtë burrë që është lënë pas dore. Dhimbja e saj është që të mos ndalet kurrë, nganjëherë dhimbjet e mëdha na shtyjnë të bëjmë gjëra shumë të bukura. E tillë është Anita”, ka përfunduar Vlora Nikçi.
Ndërkaq për ndarjen e rolit me ish-studenten e tij, Petrovci ka thënë se nuk ka turp nga brezat që ua ka mësuar aktrimin.
Edhe
Enver Petrovci: I did it my way
“Unë po i shkolloj me luajt me mua e jo me hava. Unë s’kam turp nga studentët e mi. Aq sa dinë i kam mësuar. Kam qejf me punu ata me mu, unë me ata”, ka thënë profesori universitar që vitin e kaluar u bë laureat i Çmimit Kombëtar për vepër jetësore në teatër. .
Shfaqja “Muslimani” është premiera e parë që u dha në Teatrin Kombëtar të Kosovës për këtë vit. Por është produksion i jashtëm.