Kulturë

Muharrem Sylejmani – doajeni i skenës teatrore në Gjilan

Teatri kosovar ka humbur një prej aktorëve që ka portretizuar dhjetëra role në skenë. E në veçanti Teatri i Gjilanit ka mbetur pa aktorin e regjisorin doajen. Muharrem Sylejmani vdiq të mërkurën. Ai ishte 67 vjeç.

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri i Gjilanit nëpërmjet një njoftimi në rrjete sociale. Ky institucion ka kumtuar se Muharrem Sylejmani (1954 - 2021) ishte një nga aktorët më të mirë dhe më të dashur të Teatrit të Gjilanit, bartës i mbi 30 roleve kryesore, regjisor i dhjetëra shfaqjeve e figurë karizmatike e kësaj shtëpie teatrore.

Nëpërmjet njoftimit, Teatri i Gjilanit u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë atyre që e njohën Sylejmanin.

“Me karizmën e tij, urtësinë dhe dashurinë e madhe për teatrin ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e vlerave dhe krijimin e teatrit tonë. Teatri i Gjilanit nuk është më i njëjtë pa ty”, shkruhet në njoftim.

Drejtori i Teatrit, Erson Zymberi, ka thënë se Muharrem Sylejmani ishte dhe do të mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Teatrit të Gjilanit ndër etapa. Ka treguar se në Teatrin e Gjilanit, Sylejmani ka punuar si aktor, por ka bërë dhe regjinë e disa shfaqjeve.

“Roli i tij i parë si profesionist ka qene në shfaqjen ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ në vitet ‘70. Ai mbetet si aktori më i shpërblyer në teatrin tonë, me çmime të shumta në festivale të ndryshme të teatrit në ish-Jugosllavi, Shqipëri, Maqedoni e Kosovë”, ka thënë Zymberi. E ka përshkruar Sylejmanin si njeri të dashur, të afërt, punëtor, të qetë, kreativ e shumë karizmatik. Këto tipare, sipas Zymberit, e bënë atë që të dallonte nga të tjerët.

“Kam pasur fatin dhe kënaqësinë të punoja me të në disa shfaqje të mia në Teatrin e Gjilanit, në fakt edhe roli i tij i fundit në Teatrin e Gjilanit ka qenë pikërisht në shfaqjen time ‘Pacienti i dr. Frojdit’. Ka ikur shumë herët dhe ka lënë zbrazëti të madhe në skenën e Teatrit të Gjilanit. Për mua do të mbetet një nga ikonat e teatrit tonë”, ka thënë Zymberi.

Aktorja Adriana Matoshi, nëpërmjet profilit të saj në Facebook, teksa ka shprehur ngushëllime ka kujtuar se Sylejmani ishte njeriu i parë që i premtoi një rol në teatër.

“Ishte njeriu i parë që më besoi se një ditë unë do të bëhem aktore. Shfaqja ime e parë ishte ‘Verorja’ nën regjine e tij, dhe prej atëherë unë e ndava mendjen time për t’u bërë aktore”, ka treguar ajo. Ka thënë se profesionalisht Sylejmani ishte i përkryer, por më i përkryer ishte si njeri.

“Kurrë nuk do të harrojmë, dhe kemi shumë kujtime ne kolegët që do të kujtojmë me shumë dashuri, ashtu qysh ti pate dashuri për krejt neve! Pusho i qetë në Parajsë axha Muharrem i joni!”, ka shkruar Matoshi.

Nëpërmjet një telegrami ngushëllimi, teatri i Gjakovës “Hadi Shehu” ka shprehur ngushëllime për kolegët dhe familjen e Sylejmanit.

“Muharremi ishte njëri ndër të parët e Teatrit si aktor me shumë vlera të mëdha artistike dhe njerëzore. Për virtytet e mira nga fjalët e kolegëve, Muharremi edhe pse jo fizikisht prapë do të jetë me ne. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe ish-kolegët”, shkruhet në telegram.