Kulturë

Teatri i Gjilanit me synime për të nxitur dialog shoqëror, buxheti ankesë e përhershme

Teatri i Gjilanit e hap programin për këtë vit me shfaqjen “Kabare 1999”, nën regji dhe me dramaturgji nga Zana Hoxha. Bëhet fjalë për tekstin e Joe Masteroff. Hoxha e ka përshtatur këtë shfaqje për rrethanat e Kosovës së pasluftës

Teatri i Gjilanit e hap programin për këtë vit me shfaqjen “Kabare 1999”, nën regji dhe me dramaturgji nga Zana Hoxha. Bëhet fjalë për tekstin e Joe Masteroff. Hoxha e ka përshtatur këtë shfaqje për rrethanat e Kosovës së pasluftës

Sikurse misioni i teatrit si institucion, Teatri i Gjilanit ka ndihmuar në ruajtjen e identitetit kulturor duke kultivuar gjuhën, traditën e ndjeshmërinë e publikut, përfshirë edhe vetëdijesimin e edukimin për çështje të caktuara. Këto cilësi kanë qenë pjesë e katër produksioneve të realizuara gjatë vitit të kaluar. Udhëheqja e teatrit bën me dije se e gjithë puna është bërë me buxhetin nën nevojat reale të institucionit teatror

Për dekada të tëra Teatri i Gjilanit, përtej një hapësire skenike, ka qenë edhe tribunë e mendimit kritik e pasqyrë e realitetit shoqëror. Sikurse misioni i teatrit si institucion, ka ndihmuar në ruajtjen e identitetit kulturor duke kultivuar gjuhën, traditën e ndjeshmërinë e publikut, përfshirë edhe vetëdijesimin e edukimin për çështje të caktuara. Këto cilësi kanë qenë pjesë e katër produksioneve të realizuara gjatë vitit të kaluar. Udhëheqja e teatrit bën me dije se e gjithë puna është bërë me buxhetin nën nevojat reale të institucionit teatror. 

E thuaja në të njëjtën gjendje është edhe sivjet. Buxheti i sivjetmë për produksion është rreth 80 mijë euro, siç ka bërë të ditur drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi. 

“Buxheti vjetor (vetëm për produksion), i dedikuar për Teatrin e Gjilanit është rreth 80 mijë euro, në kuadër të buxhetit komunal për kulturë dhe mbulon funksionimin institucional si dhe aktivitetin artistik gjatë vitit”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN. 

Ka bërë të ditur se udhëheqja e Teatrit është duke punuar për pjesën e programit artistik për këtë vit. 

“Aktualisht jemi në fazën finale të planifikimit së bashku me Këshillin Artistik dhe ende nuk janë përcaktuar përfundimisht tekstet dhe regjisorët e këtij viti. Sapo të përmbyllet ky proces, do të bëjmë publike edhe emrat e regjisorëve dhe tekstet e aprovuara”, ka thënë ai. 

Por, sipas tij, Teatri ka program të strukturuar. Ka bërë me dije se “publiku do të ketë mundësi të shohë rrëfime bashkëkohore që trajtojnë realitetin tonë shoqëror, kujtesën, identitetin dhe raportet njerëzore”. 

Vitin e kaluar Teatri i Gjilanit solli katër produksione teatrore. Artin e tij teatror nisi ta shpaloste më 9 prill kur u shfaq premiera e shfaqjes “God Bless America” me autor e regjisor Fatos Berishën. Më 21 qershor erdhi premiera e shfaqjes “Chatroom” nga Enda Walsh, nën regji të Erson Zymberit e po të njëjtin muaj, më datë 30, u dha edhe premiera e shfaqjes  “Gënjeshtra” nga Florian Zeller, nën regji të Ekrem Sopit. 

Në pjesën e dytë të vitit erdhi edhe shfaqja “Njeriu prej jastëku” nga Martin McDonough, nën regji të Blendi Arifit, e cila e pati premierën më 29 shtator. 

Drejtori i këtij teatri, regjisori Erson Zymberi, ka thënë se këto shfaqje do të vazhdojnë ta ilustrojnë skenën e teatrit të qytetit duke komunikuar me ato të reja që pritet të realizohen. 

“Krahas projekteve të reja, programi mbështetet edhe në shfaqje të jashtëzakonshme që kanë pasur sukses të madh dhe kanë komunikuar fuqishëm me publikun, si ‘Djali’, ‘Togeri nga Inishmori’, ‘Gënjeshtra’, ‘God Bless America’, ‘Njeriu prej jastëku’ etj., të cilat do të vazhdojnë të jenë pjesë e repertorit dhe dialogut me audiencën”, ka thënë ai, duke theksuar hapësirën e teatrit si platformë bashkëpunimi. 

“Njëkohësisht Teatri i Gjilanit ka qenë një platformë e fuqishme bashkëpunimi, duke krijuar hapësirë për produksione të jashtme, duke i mbështetur ato nga faza e zhvillimit deri në premierë, si dhe duke i mirëmbajtur në repertor gjatë gjithë vitit, në funksion të një jete sa më aktive teatrale dhe në përkrahje të skenës së pavarur teatrore”, ka thënë Zymberi më tej. 

Shifrat e Teatrit për vitin e kaluar flasin për 122 shfaqje të ndjekura nga 18 mijë e 430 spektatorë. Gjithashtu numëron 16 prezantime në festival e Teatro brenda dhe jashtë vendit me 13 çmime të fituara. E vlerësimi i hershëm sipas buxhetit të Komunës parasheh dhjetë mijë euro të hyra për vitin e kaluar dhe për këtë vit. 

Përmes tragjedisë e satirës, Teatri i Gjilanit i ka folur publikut me sinqeritet duke e bërë artin një mjet ndërgjegjësimi shoqëror. Ai është një lloj zëri i qytetit, ndërgjegje artistike e dëshmi se kultura mund të mbijetojë përkundër sfidave. 

Zymberi ka thënë se viti i kaluar ka qenë vit intensiv, sfidues, por edhe shumë domethënës për institucionin. 

“Si udhëheqës, por edhe si artist (regjisor), e konsideroj një vit pune të përkushtuar, ku kemi arritur që, pavarësisht kufizimeve buxhetore, ta realizojmë pjesën më të madhe të programit vjetor”, ka thënë ai. 

Është shprehur se buxheti ka qenë nën nevojat reale të institucionit teatror që mban program gjatë tërë vitit. 

“Sigurisht jo gjithçka ka qenë e lehtë – buxheti shpesh ka qenë nën nevojat reale të një institucioni teatror aktiv – por falë menaxhimit racional, bashkëpunimeve artistike, përkrahjes së Drejtorisë për Kulturë dhe angazhimit të jashtëzakonshëm të ekipit, kemi arritur të sjellim shfaqje cilësore, të marrim pjesë në shumë festivale teatrore duke u shpërblyer me dhjetëra çmime dhe ta mbajmë teatrin gjallë artistikisht, me program dhe publik të jashtëzakonshëm çdo muaj (me mbi 120 shfaqje dhe me mbi 18 mijë spektaktorë gjatë vitit 2025)”, ka thënë Zymberi në një përgjigje me shkrim. 

Sipas tij, ka përmirësime në këtë aspekt, por se prapë nuk është i mjaftueshëm për qëllimet e potencialin e Teatrit. 

“Buxheti për këtë vit është pak më i mirë krahasuar me vitin e kaluar, por ende nuk mund të them se është plotësisht i mjaftueshëm për ambiciet dhe potencialin që ka Teatri i Gjilanit. Ai na mundëson funksionimin bazë dhe realizimin e disa projekteve të rëndësishme, por për një zhvillim më të qëndrueshëm, për më shumë produksione, koproduksione dhe prezencë ndërkombëtare, do të nevojitej një mbështetje financiare më e madhe dhe më afatgjatë”, është shprehur drejtori Zymberi. 
Teatri i Gjilanit e hap programin për këtë vit me shfaqjen “Kabare 1999”, nën regji dhe me dramaturgji nga Zana Hoxha. Bëhet fjalë për tekstin e Joe Masteroff. Hoxha e ka përshtatur këtë shfaqje për rrethanat e Kosovës së pasluftës. 

“Përgatitjet për ‘Kabare 1999’ po ecin shumë mirë. Shfaqja, me regji dhe dramaturgji nga Zana Hoxha, është një reflektim teatror-muzikor mbi Kosovën e pasluftës, ku ndërthuren kënga, humori i zi, ironia dhe kujtesa. E vendosur në Kosovën e vitit 1999, ajo flet për përpjekjen për jetë, dashuri dhe identitet në një shoqëri që sapo ka dalë nga trauma e luftës. Tema kryesore lidhet me mosharrimin, ballafaqimin me të kaluarën dhe nevojën për ta ndërtuar të tashmen me vetëdije dhe ndjeshmëri. Kjo shfaqje është koproduksion i Teatrit të Gjilanit dhe ‘Artpolisit’”, ka bërë me dije Zymberi. 

Shfaqja do ta ketë premierën më 26 janar. E Teatri i Gjilanit gjatë gjithë vitit do të vazhdojë të nxisë dialog shoqëror e ta forcojë identitetin kulturor të qytetit me aktivitetin e tij.