Kulturë

Mozaiku bizantin ekspozohet pas trajtimit të gjatë

Mozaiku

I zbuluar në vitin 1990, në një zonë bujqësore në jug të Kibucit Urim, në vendin e rrënojave të lashta të Be'er Sheva, mozaiku zbukuronte fillimisht dyshemenë e një kompleksi të madh manastiri që siguronte jetesën nga industria e verës

Një vepër arti spektakolare 1600-vjeçare u bë e qasshme për publikun e gjerë për herë të parë në zonën e Këshillit Rajonal Merhavim në Negevin veriperëndimor. Pas një procesi të gjerë konservimi, mozaiku u përurua në një ceremoni solemne. Ngjarja shënoi një moment të rëndësishëm në ruajtjen dhe shfaqjen e trashëgimisë së pasur historike të rajonit izraelit

Mozaiku i Be'er Sheva, një vepër arti spektakolare 1600-vjeçare, u bë e qasshme për publikun e gjerë për herë të parë në zonën e Këshillit Rajonal Merhavim në Negevin veriperëndimor.

Pas një procesi të gjerë konservimi, mozaiku u përurua në një ceremoni ku morën pjesë ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, kreu i Këshillit Rajonal Merhavim, Shai Hajaj dhe drejtori i Autoritetit të Antikiteteve të Izraelit, Eli Eskosido.

Ceremonia e përurimit përfshiu pjesëmarrjen e nxënësve nga shkollat lokale dhe komuniteti, të cilët shijuan një festival shumëngjyrësh me aktivitete arkeologjike, punëtori krijuese dhe mbjellje në natyrë. Ngjarja shënoi një moment të rëndësishëm në ruajtjen dhe shfaqjen e trashëgimisë së pasur historike të rajonit.

“Ky mozaik i bukur, që është një dëshmi e gjallë e vendbanimeve në Negev rreth 1.500 vjet më parë, do të ruhet këtu dhe do të shndërrohet në një qendër vizitash dhe mësimi për turistë, nxënës dhe banorë nga e gjithë vendi”, ka thënë Hajaj.

“Ky është një tjetër kapitull në historinë që po shkruajmë këtu në Merhavim—një histori lidhjeje mes së kaluarës, të tashmes dhe së ardhmes”.

“Ky është një mozaik unik nga periudha bizantine (324–638). Ai përmban 55 medaljone të pasura me detaje, figura mitologjike, shporta me fruta, kafshë ekzotike, skena nga jeta e përditshme, skena gjuetie dhe shumë më shumë”, ka thënë Lender nga Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit.

“Mozaiku është punuar nga një dorë mjeshtërore; është përbërë nga gurë të vegjël mozaiku me ngjyra të ndryshme dhe janë përdorur gjithashtu fragmente qelqi dhe qeramike për të shtuar larminë”.

I zbuluar në vitin 1990, në zonë bujqësore në jug të Kibucit Urim, në vendin e rrënojave të lashta të Be'er Sheva, mozaiku zbukuronte fillimisht dyshemenë e një kompleksi të madh manastiri që siguronte jetesën nga industria e verës. Arkeologët zbuluan një shtypëse të madhe vere dhe ambiente magazinimi për enë të mëdha, duke treguar se manastiri jetonte nga prodhimi i verës.

Vendi ndodhet përgjatë një rruge të lashtë tregtare që lidhte Negevin me portin mesdhetar të Gazës, e cila shërbente si kufi mes shkretëtirës dhe zonave të banuara gjatë periudhës bizantine. Gërmimet zbuluan një vendbanim të madh që shtrihej në disa qindra hektarë, i cili shërbente për udhëtarët që kërkonin një vend të sigurt për të pushuar, duke i mbrojtur ata nga sulmet e fiseve beduine lokale.

Pas zbulimit u zhvillua një gërmim arkeologjik nën drejtimin e Dan Gazit dhe Lender nga Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit. Pas përfundimit të gërmimeve mozaiku u mbulua për ta ruajtur dhe mbrojtur nga dëmtimi. Në muajt e fundit ai u ruajt dhe konservua nga Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit.

“Ngjarja u zhvillua si pjesë e iniciativës ‘Antikitetet afër shtëpisë’ të Autoritetit të Antikiteteve të Izraelit dhe Ministrisë së Trashëgimisë, e cila synon t’ia bëjë të qasshme pasuritë e së kaluarës publikut në zonat e banimit”, ka thënë Eskosido.

“Vendndodhja e re do të shërbejë si një kopsht arkeologjik i hapur për publikun. Janë instaluar tabela shpjeguese, shtigje dhe hapësira për ulje, dhe unë ftoj publikun të vlerësojë një nga mozaikët më të bukur që mund të shihet këtu”.

Mozaiku i Be'er Sheva është rishfaqur, është forcuar dhe tani është i ekspozuar për publikun në selinë e Këshillit Rajonal Merhavim si pjesë e projektit “Antikitetet afër shtëpisë” të Ministrisë së Trashëgimisë dhe Autoritetit të Antikiteteve. Konservimi dhe transferimi i mozaikut u realizua në kuadër të kësaj nisme, me synimin për t’i bërë thesaret arkeologjike të qasshme për komunitetet lokale.

Banorët dhe vizitorët tani mund të përjetojnë nga afër një pjesë të historisë që pasqyron trashëgiminë e pasur kulturore dhe artistike të rajonit. Mozaiku jo vetëm që përfaqëson arritjet artistike të epokës bizantine, por gjithashtu ofron një pasqyrë mbi jetën e përditshme, ekonominë dhe praktikat shpirtërore të njerëzve që dikur banonin në Negev.

“Kjo është një mundësi unike që publiku të lidhet me trashëgiminë tonë të përbashkët”, shtoi Eskosido.

“Shpresojmë që ky vend të shndërrohet në një pikë referimi për edukimin dhe turizmin, duke pasuruar peizazhin kulturor të rajonit dhe duke nxitur një vlerësim më të thellë për të kaluarën”.