Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Modigliani si pikënisje në kërkim shenjash tek artistët shqiptarë

Veprat e Amedeo Modigliani - riprodhime litografike

Katër riprodhime litografike të veprave të Amedeo Modiglianit qëndrojnë përballë e krahas 30 veprave të tjera të artistëve shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë

“Fryma e Modiglianit në artin shqiptar”, duket pak si utopike për dikë është thjesht një pikënisje. Nëse për asgjë tjetër, qëmton përplasjen e shkollave në kërkim të përgjigjes nëse artistët në Shqipërinë e izoluar, çanin murin duke frymuar me artin perëndimor deri te maestroja italian i artit modern. Janë sjellë katër litografi të certifikuara të tij dhe janë futur në dialog me veprat e artistëve nga Shqipëria e Kosova

Është njëfarë krahasimi që nganjëherë duket se ka ngjashmëri e nganjëherë jo. Katër riprodhime litografike të veprave të Amedeo Modiglianit qëndrojnë përballë e krahas 30 veprave të tjera të artistëve shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë. Riprodhimet duken goxha reale. Megjithëse në grafikë, ato shpalosin edhe reliefin e ngjyrave të një prej piktorëve e skulptorëve me më nam të Italisë.

Modigliani që s’jetoi më gjatë se 34 vjet në fund të shekullit 19 dhe në fillim të 20-shit, i la botës së artit një stil goxha unik. Qe mik me kubistët e mëdhenj, përfshirë Picasson dhe jetoi në atë periudhë, por s’u ndikua nga ai stil. Njihet botërisht për portretet e figurat e tjera femërore ku gjatësia e fytyrës e sidomos e qafës merr vëmendje. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dy vepra ku paraqiten figura femërore nudo janë pjesë e ekspozitës “Fryma e Modiglianit në artin shqiptar” e hapur të martën mbrëma në galerinë “Qahili” në periferi të kryeqytetit. Një portret gruaje dhe një burrë që zë vend në kolltuk duke lexuar, janë po ashtu riprodhimet e certifikuara nga Instituti që mban emrin e tij në Itali. Mbajnë hijezimet tipike të kohës e bashkojnë lojën me ngjyra të artistit të madh. 

Për të bërë një krahasim dhe për të gjetur ose jo ngjashmëritë, apo ndikimin e Modiglianit në veprat e artistëve shqiptarë, “Qahili” në bashkëpunim me galerinë “Kalo” të Shqipërisë, ekspozitës ia kanë bashkuar edhe veprat e artistëve si:  Abdurrahim Buza, Agim Faja, Agim Zajmi, Andi Spahia, Arben Bajo, Ardian Pepa, Emanuel Koko, Eros Dibra, Eshref Qahili, Genc Mulliqi, Genti Korini, Guri Madhi dhe Ilir Pojani.  E po ashtu edhe veprat e Isuf Sulovarit, Ksenofon Dilos, Leoard Lekës, Mira Kuçukut, Muslim Mulliqit, Rexhep Ferrit, Sabri Behramajt, Sadik Spahijajt, Shkëlqim Kokonozit, Shpëtim Kërçovës, Shpëtim Xhemës, Skënder Bediut, Teo Napolonit, Veli Blakçorit e Zamfira Hetës.
Në disa raste ngjyrimet e Modilianit duket se zënë pak vend në veprat e shqiptarëve. Qafa e gjatë edhe bie në sy te të paktën dy vepra të piktorëve nga Shqipëria. Por bëhet fjalë për portrete grash fshati që në kohën e monizmit paraqiteshin si tip heroinash e të lumtura me Shqipërinë socialiste. Kombinimi i ngjyrave e hijet e atyre veprave bartin atë çoroditjen e realizmit socialist në art. Detyrimisht aty rrëshqitën edhe piktorët shqiptarë që studiuan në shkollat perëndimore, përfshirë shtetin ku u lind Modigliani por që jetuan në Shqipërinë Socialiste. Kurse te veprat e artistëve të Kosovës, diku format e qafës e diku hijezimet sikur “marrin erë” te stili i Modiglainit. 

Në disa raste ngjyrimet e Modilianit duket se zënë pak vend në veprat e shqiptarëve. Qafa e gjatë edhe bie në sy te të paktën dy vepra të piktorëve nga Shqipëria. Por bëhet fjalë për portrete grash fshati që në kohën e monizmit paraqiteshin si tip heroinash e të lumtura me Shqipërinë socialiste

Petrit Kalo, avokat i njohur e drejtues i galerisë “Kalo” në Shqipëri, i cili pas ekspozitës me Modiglianin në Shqipëri ka bashkëpunuar me “Qahilin” për ekspozitën e Prishtinës, ka thënë se në veprat e artistëve shqiptarë Modigliani ka reflektuar ndoshta edhe spontanisht, pa qenë të përgatitur se po bëjnë një zgjidhje të përafërt me të. 

“Pra një zgjidhje qoftë nga ngjyrimi, teknika a pozicioni. Duke krahasuar punët e Modiglianit me ato të artistëve tanë, krijojnë një mundësi diskutimi nëse shkollat tona kanë pasur lidhje me shkollat e zhvilluara të kohës, apo qenë të shkëputura. Ne kemi qenë të izoluar. Fati është që shumë nga artistët tanë kanë mundur të studiojnë në shkollat perëndimorë e jo veç në vendet e bllokut lindor. Kanë shkuar edhe në Francë, Itali e vende të tjera duke ardhur këtu e duke punuar art të ndikuar disi nga ato shkolla”, ka thënë ai. Ka sqaruar se meqenëse projekti i Modiglianit në Tiranë ishte më i plotë, kanë rënë dakord që të bëjnë këtë zgjidhje për Prishtinën më fondacionin “Modigliani”.

“Vizitorët vetë do të thonë nëse ka ngjashmëri, nëse shikojnë ngjashmëri apo është rastësi që i ka shkuar dora artistit shqiptar. Nëse shikojmë me kujdes mund të thuhet se njëfarë ndikimi ka qenë. Por ky ishte koncepti jonë. Të krijojmë një atmosferë diskutimi midis dy shkollave dhe si shkolla jonë qe e aftë të përthithë nga shkollat tjera”, ka thënë Kalo. 

Kur futen në lojë edhe veprat e artistëve nga Kosova ose të gjeneratave më të reja nga Shqipëria, aty ka mundësi të hetohet fryma e shkollave evropiane

Nita Qahili, e cila udhëheq galerinë “Qahili”, ka thënë se ideja ka qenë të sjellin një kumbim dhe njëfarë krahasimi midis artit shqiptar dhe atij italian. 

“E dimë që Modigliani njihet si një prej artistëve kryesorë të artit modern italian dhe njëkohësisht rivali kryesor i Picassos. Është bërë njëfarë mishërimi midis të dyjave për të parë dallimet e ndikimin e Modiglianit te artistët shqiptarë. Janë katër vepra të Modiglianit që i njohim. Por Modigliani njihet më pak te ne për përpunimin e ngjyrave e vijave”, ka thënë ajo. Sipas saj kumbimi ka për qëllim që të hapë një dialog midis të gjithëve.  Ka sqaruar se bëhet fjalë për katër punime litografike të certifikuara. 

“Kam pasur dëshirë të jenë punimet në pëlhurë por duke pasur parasysh koston e mbulimit të sigurimit është problematike e pastaj ishte edhe ana e trashëgimisë kulturore që ato paraqesin për Italinë. Por jemi të lumtur që me ndihmën e Kalos t’i sjellim këto punime. Ndjenja është aty. dihet që ishte dora e tij dhe instituti që e përfaqëson artistin”, ka thënë ajo.

Një artist i njohur në këto anë, ka thënë se çka dihet saktë dhe dëshmohet është ndikimi që Picasso ka pasur tek Ibrahim Kodra. Për ngjashmëritë midis Modiglianit dhe artistëve shqiptarë, pa dashur të komentojë gjatë ka thënë se edhe nëse ekzistojnë, janë krejt rastësore. 

Amedeo Modigliani i njohur si një nga figurat më origjinale të artit modern të fillimit të shekullit 20 është bërë emër botëror për portretet dhe nudot e tij me fytyra të zgjatura, qafa të gjata dhe sy shpesh pa bebëza. I lindur më 1884 në Livorno ai qysh në moshë të re u përball me probleme të rënda shëndetësore, përfshirë tuberkulozin, por kjo nuk e pengoi të ndiqte studimet për art. Në vitin 1906 u vendos në Paris, qendra më e rëndësishme artistike e kohës, ku u njoh me artistë të njohur si Pablo Picasso dhe përfaqësues të avangardës evropiane. Megjithëse jetoi në kohën e kubizmit dhe lëvizjeve të tjera moderne, Modigliani zhvilloi një gjuhë artistike krejt personale. Shquhet për kapjen e karakterit të brendshëm dhe emocional të subjektit.

Krahasimet e veprave të Modiglianit me ato të artistëve shqiptarë mund të bëhen. Për ngjashmëritë, ndikimin ose edhe mosndikimin e tij. Këto krahasime tregojnë edhe se si ideologjia katandisi keq krijimtarinë artistike. Por në anën tjetër rrëfehet deri diku edhe se si artistët lanë pak shenja të shijeve perëndimore edhe nën presion. Kurse në raport me artistët shqiptarë të Kosovës, ndikimi i Modiglianit qe krejtësisht në dorën e tyre. Aty ku mund të asocojë kombinimi i ngjyrave qe zgjedhje e vetë artistit. E po ashtu edhe shenjë e pikëpamjes së tij për rrugën e artit në këto anë.