Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Ëndërr e rreme manekinësh

Burim Myftiu, si mjeshtër i portreteve, ndër më të mirët, e ka hetuar se edhe këto manekinë me bukuri hollywoodiane, kanë fate dhe disfata “jetësore”

Burim Myftiu, si mjeshtër i portreteve, ndër më të mirët, e ka hetuar se edhe këto manekinë me bukuri hollywoodiane, kanë fate dhe disfata “jetësore”

Fotografitë e Burim Myftiut zbardhin një realitet dhe të vërtetën trishtuese mbi përkohshmërinë e ëndrrave të shpifura të kësaj bote, të asaj që edhe në traditën tonë të puqjeve me kulturën dhe mendësinë orientale, është quajtur “jallan dynja”, si një ndjesi universale që e kanë edhe kulturat tjera, ku neve si gjallesa dinjitoze na shtrohet detyrimi ta gjejmë udhën e evitimit të mashtrimit

Në dramën “As you like it”, Shekspiri e ka një sentencë të famshme “E gjithë bota është skenë (teatri), dhe të gjithë burrat e gratë thjesht janë aktorë.” Tek ekspozita fotografike “Kutia e kujtesës” e Burim Myftiut – e hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë – metafora e Shekspirit sikur lëviz me tutje, bëhet metaforë e metaforës që na thotë: “E gjithë bota është skenë e mbushur me manekinë që aktrojnë gra e burra që ëndërrojnë jetën e premtuar më të bukur”.

“Kutia e kujtesës” është përplot me portrete manekinësh, kukullave që i shohim përditë në vitrinat e dyqaneve, të veshura bukur, sipas shijes dhe modave mbizotëruese. Burimi i ka fotografuar prej kohësh, edhe atëherë kur ato kanë pasur fytyra me karakter, si yjet e filmave dhe të muzikës, dhe jo siç janë sot zakonisht të pakokë…

Te ne në Kosovë ende mund të shihen manekinët të renditur në mënyrë groteske para dyqaneve ku shiten fustanet dhe kostumet. Myftiu, si mjeshtër i portreteve, ndër më të mirët, e ka hetuar se edhe këto manekinë me bukuri hollywoodiane, kanë fate dhe disfata “jetësore”. Edhe pse kanë rol prej statisti, figuranti që s’lëviz, entropia e përgjithshme i prek edhe ato në “karakter” dhe në dukje, madje ua dëmton edhe rolin që e kanë, të simulojnë veshjen, pamjen dhe grimin e një jete të zbukuruar, që përmbledhtazi mund të quhet ëndërr hollywoodiane.

Fotografitë e Myftiut zbardhin një realitet dhe të vërtetën trishtuese mbi përkohshmërinë e ëndrrave të shpifura të kësaj bote, të asaj që edhe në traditën tonë të puqjeve me kulturën dhe mendësinë orientale, është quajtur “jallan dynja”, si një ndjesi universale që e kanë edhe kulturat e tjera, ku neve si gjallesa dinjitoze na shtrohet detyrimi ta gjejmë udhën e evitimit të mashtrimit, të mos u nënshtrohemi tregtarëve dhe politikanëve që njerëzit i trajtojnë si kukulla me role të paracaktuara në teatrin e botës.

Arti ndoshta nuk është mjet i vetëm dhe i mjaftueshëm që na shpëton nga mashtrimi, por të paktën na tregon dhe e demaskon atë.