Nëse Miti i Kosovës analizohet në planin etnopsikologjik, atëherë në mënyrë të qartë shfaqet natyra problematizuese e tij, që në etapa të ndryshme historike është konfirmuar nga pasojat dhe zhvillimet që e kanë përcjellë manifestimin e këtij miti.
Manipulimi me anë të tij, karakteri i të cilit është varur prej shumë faktorëve, ka dëshmuar se Miti i Kosovës gjithherë është vënë në funksion të një interesi nacional (serb), dhe për fat të keq, parë nga këndvështrimi etnopsikologjik, në faza të ndryshme, fillimisht atij i është veshur karakteri historik, ai kulturor dhe moralist, por që nga dekadat e para të shekullit XX, Miti i Kosovës është riformatizuar dhe interpretimi apo manifestimi i tij gjithnjë e ka synuar justifikimin e një politike të pastër kolonialiste, që në forma të dukshme apo të padukshme u shfaq dhe u zbatua në Kosovën e shekullit XX.
Psikika e kombit serb
Nëse bëhet një analizë e gjerë e veprave të traditës së kombeve të shumta të Evropës Perëndimore, në radhë të parë të epeve të ndryshme, do të vërejmë se në asnjërin prej tyre nuk ka opservime të atilla kulturore që do të rezultonin me problematizim të marrëdhënieve midis kombeve fqinje.
Konstruktimi apo sajimi i Mitit të Kosovës, përveçqë në brendinë e vet, bart konstrukt të dobët mitologjik, ai e bart edhe frymën problematizuese, që vjen në shprehje sidomos në tendencën e shlyerjes së pjesëmarrjes së kombeve të ndryshme ballkanike në Betejën e Kosovës, dhe së dyti ajo që këtë mit e veçon nga kultura europerëndimore, është problematizimi konkret i marrëdhënieve fqinjësore midis shqiptarëve dhe serbëve, kur këta të parët me anë të këtij miti vendosen në ulësen e fajtorëve kryesorë, për kinse rrezikimin e një kulture (që e ka “prodhuar” ky mit) apo të monumenteve mesjetare serbe, që shpeshherë janë vendosur si mekanizma përcjellës të zhurmës që e ngre vetë Mitin e Kosovës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)