Miti i Kosovës është njëra nga pikat qendrore të politikës nacionale serbe. I formuar pas shekullit 14-të, miti me kohë është përplotësuar, politikisht është formësuar , nga mesi i shekullit 19-të është bërë baza ideologjike e lëvizjes kundër Perandorisë Otomane.
Në interpretimin njohës, funksioni bazë i tij është që përmes motiveve të përçarjes e të tradhtisë të sqarojë shkaqet e disfatës në Kosovës dhe që në këtë disfatë, përkatësisht në vlerat për të cilat luftëtarët kosovarë dhanë jetën, të gjendet burimi i frymëzimit të ri që do të inspironte për një forcë të re, hakmarrje dhe kthim të territoreve të humbura në shekullin 14-të. Edhe pse vlera përdoruese e mitit të Kosovës është konsumuar që nga viti 1918, në vitet e 60-ta të shekullit të 20-të bëhet rehabilitimi i tij. Nga fundi i viteve të 80-ta ai bëhet elementi kryesor i politikës shtetërore të Serbisë, e cila tek tani, pas tri decenieve dërgon mesazhet se ky mit, më në fund, duhet të arkivohet.
Pa u bërë ende plot tri decenie pas paraqitjes së Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe fjalimit historik në Gazimestan, trashëgimtari i tij në karrigen e njeriut të parë të Serbisë, u përpoq të luajë me po të njëjtën letër. Aleksandar Vuçiqi porositi nga Kosova se serbët një kohë të gjatë nuk kanë dashur ta dëgjonin të vërtetën dhe se ai kishte ardhur që atyre pa asnjë ngurrim atë të vërtetë t’ua thotë para syve. Ndërmjet dy fjalimeve në Kosovë prapa ka mbetur shumë histori: Shpërbërja e Jugosllavisë, katër luftëra, mijëra të vdekur , të dëbuar e të zhvendosur, sanksione e tranzicione, që rikonfirmuan se kufijtë mund të lëvizin. Erdhi koha për tërheqjen e vijave dhe ballafaqimi me rezultatet e vendimeve politike strategjike në të cilat miti i Kosovës pati vend të rëndësishëm. Për këtë arsye nuk është për t’u habitur pse Vuçiq në Kosovë porositi se duhet hequr dorë nga Serbia Qiellore dhe se fatin duhet lidhur me qëllimet reale dhe të ardhmen e popullit serb.
Miti i Kosovës dhe çdo gjë që ai përfaqëson, ka qenë guri themeltar të cilin elitat politike serbe e zbatuan gjatë tri decenieve të shkuara. I drejtuar kujdesshëm nga ngritja e vetëdijes për padrejtësitë ndaj popullit serb, për të krijuar ndjenjën e viktimës dhe rrezikimit me kultivimin e vazhdueshëm të frikës e të armiqësisë ndaj secilit popull fqinj, ai la pasoja serioze. Për këtë arsye edhe paralajmërimi për heqjen dorë nga Mbretëria Qiellore, që po të jetë i sinqertë, nuk do të jetë i thjeshtë. Arsye shtesë është edhe fakti se Kisha Ortodokse Serbe, si institucioni kryesor në formësimin e këtij miti, nuk e ka ndërmend që të heqë dorë nga trashëgimia kosovare, gjë që u demonstrua edhe me bojkotimin e vizitës së Vuçiqit dhe me dënimi e rreptë ndaj çdo mesazhi të tij për kompromisin me shqiptarët.
Evoluimi i mitit të Kosovës
Edhe
Kërcënim i ri nga Serbia
Për ta kuptuar thellësinë, shtresimin dhe vëllimin e indoktrinimit, do të përkujtojmë elementët bazikë dhe të evolucionit të mitit të Kosovës nga shekulli i 14-të deri më sot. Shkrimet e para për Betejën e Kosovës u paraqitën në manastiret ortodoksë, menjëherë pas konflikteve në vitin 1389. Në ato tekste, pos disa detajeve për konfliktin ushtarak, fokusi vihej në glorifikimin e knjaz Llazarit dhe gruas së tij Milica. Ishte e nevojshme të themelohej kulti i knjaz Llazarit, të përgatitje terreni për shpalljen e tij të shenjtë, në mënyrë që Milica dhe trashëgimtarët e tij ta siguronin legjitimitetin dhe peshën politike pas Betejës së Kosovës. Në ato shkrime të para nga manastiret ortodokse, roli i knjaz Llazarit dhe i ushtrisë së tij formësohet sipas motiveve të frymëzuara me përmbajtje të krishtera. Ushtarët të cilët me Llazarin luftuan në Kosovë, marrin rolin e ushtarëve të Krishtit, bëhen viktima dhe zgjedhin Mbretërinë Qiellore, kanë rrënjë në traditën krishterë, në rastin konkret, u mor nga romani i i atëhershëm i popullarizuar kalorësiak Alskandridi.
Fabulën e parë të mitit për Kosovën me kohë do ta përplotësojnë poetët oborrtarë dhe rrëfimtarët epikë të cilët në tregim do të fusin edhe fytyra të reja. Së pari Millosh Obiliqin e pastaj edhe shtimin e tregimeve për “darkën e knjazëve” dhe kalorësit e trimat tjerë nga Kosova. Në fillimin e shekullit 17-të, Mavro Orbin në veprërn Il Regno de gli Slavi (Mbretëria e sllavëve) , fabulës kosovare i shtohet edhe njëri nga elementët kryesorë– tregim për tradhtinë e Vuk Brankoviqit, që mbështetet në mitin e krishterë të tradhtisë së Judës. Kështu, miti i Kosovës merr strukturën e tërësisë ideologjike me elementë të heroizmit, viktimës, tradhtisë dhe jo harmonisë.
Me këtë fabulë të identifikuar qartë bardhë -zi, miti i Kosovës bëhet mjet ideal për mobilizim në luftën kundër Perandorisë Otomane. Megjithatë, këtë funksion ai do ta marrë tek në mesin e shekullit të 19 –të, për çfarë dëshmon se baza ideologjike e kryengritjes së parë serbe në vitin 1804 nuk abuzohet në mitin e Kosovës, por në kujtimin për Stefanin e Parë të Kurorëzuar dhe car Dushanin. Rolin kryesor në themelimin e mitit të Kosovës si formë qendrore ideologjike e luftës kundër Perandorisë Otomane, do ta sigurojë Petri II Petroviq Njegosh përmes veprës letrare. Përpunimi i mitit ë Kosovës nga Njegoshi do të bëhet formular për interpretim të mëtejmë dhe frymëzim i të gjitha lëvizjeve çlirimtare kundër Perandorisë Otomane. Nën ndikim e padyshimtë të mësuesit të vet, Simo Milutinoviq Sarajlija, Njegoshi përmes veprës letrare, malazezëve dhe rezistencës së tyre kundër Perandorisë Otomane ua jep rolin Obiliqëve të rinj. Malin e Zi e parqet si qendër të lëvizjes antiosmane në Ballkan, duke e quajtur Sparta serbe. Në këtë kontekst, Njegoshi idelogjikisht e përshtat dhe e modelon narrativën për Kosovën duke ofruar tezën se heronjtë kosovarë dhe kalorësit që nuk deshën ta pranonin tradhtinë dhe pushtimin otoman, (që ndaj fesë së vërtetë në blasfemi/ që s’deshi të lidhet në zinxhirë) ishin fshehur në Mal të Zi për të ruajtur amanetin që në rrethana të reja të hakmerren për disfatën në Kosovë. Përmes kësaj vepre letrare të Njegoshit, malazezëve iu dha roli ekskluziv i kultivimit të mendimeve për Kosovën. Formësimin e mitit të Kosovës nga Njegoshi e pranoi në tërësi knjaz Nikolla, i cili në qëllimet e veta politike e shfrytëzoi fabulën e Njegoshit për t’i legjitimuar ambiciet e veta që të bëhej car i sllavëve në Ballkan dhe hakmarrës i Kosovës.
Kështu, miti i Kosovës në fund të shekullit të 19-të u bë frymëzimi më i rëndësishëm ideologjik i lëvizjes kundër Perandorisë Otomane. Në Serbi përmes idesë së Grashaninit, miti i Kosovës u bë bazë për definimin e qëllimeve politike e shtetërore. Me këtë interpretim, ai ishte argument për legjitimimin e të drejtave historike të serbëve për ripërtëritjen e perandorisë mesjetare serbe dhe të të gjitha territoreve që i kishte pushtuar. Edhe më interesant është fakti se simbolika e mitit të Kosovës ka qenë aq e fuqishme sa që është përdorur edhe si simbol i lëvizjes çlirimtare edhe kundër Monarkisë së Austro - Hungarisë. Pjesëtarët e Mllada Bosnës (Bosnja e Re) frymëzimin për aktivitetet e veta e merrnin pikërisht nga miti i Kosovës. Intelektualët e tubuar rreth idesë së bashkimit të sllavëve të jugut në Kroacia, kultivonin traditat e mitit të Kosovës, e në këto pozita ishin edhe intelektualët e tubuar përreth Lëvizje Kombëtare Ilire të Bosnjës. Të gjithë ata tregonin se në anën e krishterë të ushtrisë në Kosovë kishin luftuar feudalët mesjetarë të gjithë popujve nga sllavët e jugut dhe se Kosova është vend i tubimi të gjithë jugosllavëve.
Lufta Ballkanike, e më pas edhe Lufta e Parë Botërore, çelën hapësirën për realizimin përfundimtar të gjitha qëllimeve shtetërore e politike të definuara në mitin e Kosovës. Perandoria Otomane u dëbua nga Evropa, hakmarrja për disfatën e Kosovës ishte e plotë, e bashkimi kombëtar nga shekulli i 14 –të kinse u realizua me formimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve. Kështu, formalisht u krijuan kushtet për arkivimin e mitit të Kosovës dhe paketimin e tij në muze e biblioteka. Kështu ishte për një kohë të shkurtër: Vidovdani u shpall njëra nga tri festat shtetërore, filloi ideja për ndërtimin grandioz të tempullit të Vidovdanit e motivet e narratives kosovare u bënë frymëzim për shkrimtarë e poetë. Me ardhje e komunistëve në pushtet, pas Luftës së Dytë Botërore, dukej se miti i Kosovës do të binte në harresë. Komunistët nuk kishin ambicie për interpretim të ri dhe edhe përkundër fakteve se disa intelektualë pohonin se miti i Kosovës mund të ishte themel i mirë për afirmimin e idesë për vëllazërim e bashkim dhe luftën kundër okupatorit. Frymëzimin për mitet e veta të luftës, komunistët i kërkonin në Luftën Nacionalçlirimtare me ç’rast narrativa kosovare u la manash.
Miti i Kosovës kështu mbeti i robëruar në kujtesën kolektive të popullit derisa në vitet e 60 –ta të shekullit 20-të, elitat intelektuale serbe të mos e gjallëronin sërish. Në valët e nacionalizmit që u paraqitën në Jugosllavi në vitet e 60-ta, miti i Kosovës u përdor në funksion të forcimit të identitetit kombëtar serb. Liritë krijuese u mundësuan intelektualëve serbë që përmes letërsisë, artit figurativ, teatrit, filmit, të rigjallërojnë identitetin kombëtar përmes kujtimit në Kosovë. Kjo erdhi në shprehje sidomos pas vitit 1966 dhe rënies së Aleksandar Rankoviqit, i cili në strukturat komuniste jugosllave merrej si mbrojtës i interesave kombëtare serbe. Miti i Kosovës, ose Përcaktimi i Kosovës, siç e kanë quajtur disa autorë, mbetet burim i nacionalizmit ë ri serb. Me kohë kjo lëvizje do ta marrë edhe përkrahjen institucionale të Kishës Ortodokse Serbe, e cila nga vitet e 70-ta e të 80-ta fillon ta ripërtërijë ndikimin e vet. Përfundimisht, demonstratat e shqiptarëve në Kosovë do të çelin hapësirën që miti i Kosovës të futet nëpër dyer të mëdha në skenën politike të Serbisë. Në Memorandumin e ASHA-s të vitit 1986 miti i Kosovës dhe programi i kombëtar i Serbisë do të formësohen në një tekst unik protagonist kryesor i të cilit do të jetë Sllobodan Millosheviqi, i cili në po atë vit do të bëhet njeriu i parë i Partisë Komuniste të Serbisë.
Edhe
Vuçiq: Kosova është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës dhe ‘drejtësisë së Zotit’
Tri deceniet e shkuara dëshmuan jofunksionalitetin e mitit të Kosovës me proceset bashkëkohore politike. Për këtë arsye edhe eliminimi me kusht i elitave politike në Beograd nga miti i Kosovës duhet interpretuar me kujdes, sepse përmbajtja e narrativës së Kosovës është bërë pjesë përbërës e identitetit.
(Autori i kësaj analize është Dr Adnan Prekić, historian, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Malit të Zi. Marrë nga portalanalitika.me ).