Zyra gjermane e Fondacionit Hajnrih Bell në Beograd, promovon të premten botimin e ri të publikimit të saj “Perspectives” me temën “Kosova 199-2019: Kriza e pengjeve”, paralajmëron e përditshmja e Beogradit “Danas”, transmeton Koha.net.
Me këtë rast Hajnrih Bell mban tribunën “Kush e ka kidnapuar dialogun midis Kosovës e Serbisë”, në të cilën parashihet të flasin historiania Marijana Toma, antropologu Ivan Çolloviq dhe politikologia Jelena Kërstiq.
Sipas “Danasit”, Ivan Çoloviq në analizën e tij “Miti i Kosovës në Serbinë bashkëkohore” për publikimin „Perspectives“ merret me formimin historik të narratives. Ai konkludon se që nga shekulli i 19-të e deri më sot Miti i Kosovës ka shërbyer për legjitimimin e projekteve të ndryshme politike e ushtarake.
Por vihen re qartas dallimet në trajtimin e Betejës së Kosovës.
Vidovdani (më 18 qershor – sqarim ynë) në Mbretërinë e Jugosllavisë ishte festë shtetërore, ndërsa Miti i Kosovës nuk konsiderohej vetëm mit serb, por në të kërkohej e përbashkëta, trashëgimia kulturore jugosllave. Gjatë okupimit gjerman qeveria kuislingë e Millan Nediqit e ndryshoi këtë, duke e plasuar “mitin autentik serb për Kosovën”, dhe duke theksuar “ngjashmërinë e tij me mitin racist gjerman të ripërtërirë në Gjermaninë naziste”.
Edhe
Vidovdani dhe Kryqi i Ndershëm: Shpërfytyrimi i “tapisë së Kosovës”
Pas Luftës së Dytë Botërore, Miti i Kosovës, shkruan Çolloviq, merr funksionin e “gardianit të kujtimit për kontributin e paraardhësve trima të popullit serb në luftën për liri, që bashkë me kontributet e ngjashme të popujve të tjerë jugosllavë, në saje të fitores së komunizmit do të kthehet plotësisht në fitore”.
Pastaj erdhi Sllobodan Millosheviqi, i cili prezantohej si prijësi i ri serb, trashëgimtar i denjë i atyre që para gjashtë shekujsh e udhëhoqën Serbinë në luftë kundër turqve për të premtuar se popullit serb do t’i prijë drejt betejave të reja, rikujton Çolloviq në analizën e tij. Miti i Kosovës u keqpërdor edhe në luftërat e viteve të nëntëdhjeta, e citon “Danas” , transmeton Koha.net.
“Gjatë luftërave në Kroaci e në Bosnjë e Hercegovinë, ushtarëve dhe vullnetarëve serbë shpesh u bëhej thirrje të ndiqnin shembullin e trimave të famshëm të Kosovës (bëhet fjalë për ata serbë – sqarim ynë). Këtë lloj motivimi për luftë më së shumti i kanë përdorur udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, duke i prezantuar boshnjakët si pasardhës të turqve, ndërsa luftën kundër tyre si vazhdim të Betejës së Kosovës dhe rast që serbët t’iu hakmerren turqve për disfatën e pësuar në Kosovë më 1389. Gjenerali Mlladiq pikërisht kështu, si hakmarrje ndaj turqve, kishte përshëndetur pushtimin e Srebrenicës dhe masakrimin e boshnjakëve të atjeshëm, që më 2007 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cilësoi si gjenocid”, shkruan Çolloviq.
Aleksandar Vuçiq, lideri aktual i Serbisë ka një raport ambivalent ndaj përdorimit të Mitit të Kosovës në politikën e tij, konsideron Çolloviq. Ai rikujton se Vuçiqi ka paralajmëruar qasje të re ndaj këtij problemi, pa paragjykim dhe pa mite. Gjatë një deklarimi Vuçiq tha: “të përkujdesemi për jetën mbi tokë, kurse për atë qiellore le të kujdeset dikush tjetër”. Në mes të thirrjeve të Vuçiqit që Kosova të diskutohet “pa qasje mitike” dhe të thirrjeve dhe vërejtjeve të shpeshta drejtuar serbëve se duhet t’i rrinë besnikë “Betimit të Kosovës”, që vijnë nga rrethi i bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, në fakt nuk ka dallim, konkludon Çolloviq.
Versioni shqiptar i Mitit të Kosovës
Edhe “Njëanshmëria” dhe kërcënimi real“Në kohë të fundit janë shfaqur edhe versione shqiptare të Mitit të Kosovës, në të cilat theksohet pjesëmarrja e luftëtarëve shqiptarë në Betejën e Fushë-Kosovës. Kuptohet, ata luftojnë në anën e të krishterëve, që duhet të dëshmojë se shqiptarët janë popull i vjetër europian e të krishterë, të cilët qëndrojnë në mbrojtje të Europës. Në favor të kësaj përmenden këngët popullore për trimin shqiptar Milosh Kopiliqin dhe ngadhënjimin e tij – vrasjen e Sulltan Muratit, që janë regjistruar në dekadat e para të shekullit XX. Kontribut me rëndësi për popullarizimin e versionit shqiptar të Mitit të Kosovës ka dhënë edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. Që nga viti 2011 në repertorin e dy teatrove të Parisit janë dy shfaqje me temë Beteja e Kosovës, në njërin rast shfaqja është ndërtuar në bazë të këngëve të “Ciklit të Kosovës” nga përmbledhja e Vuk Karaxhiqit, ndërsa në rastin tjetër bëhet fjalë për përshtatjen e librit të Kadaresë “Tri elegji për Kosovën”, shkruan Çolloviq/Danas.
{gallery}