Kulturë

Ministria anulon konkursin, lë Teatrin pa drejtor

Vetëm pesë ditë pasi ia ndërroi Këshillin Drejtues, Ministria e Kulturës ka anuluar konkursin për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Naser Shatrolli, punonjës i MKRS-së, në nëntor të vitit të kaluar ishte zgjedhur në këtë pozitë nga Këshilli që emëroi ish-ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, në tetorin e 2020-s, e të cilin udhëheqësia e tanishme e institucionit më të lartë kulturor në vend e shkarkoi të premten e kaluar.

Vendimi për anulim të konkursit, sipas njoftimit të MKRS-së të mërkurën, është marrë pas vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik.

“Bazuar në vendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik, Nr. 01/2021 të datës 11.05.2021, me Nr. Protokolli 1464/2021, të datës 11.05.2021, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bën njoftimin për anulimin e konkursit të shpallur më datë 26.11.2020, për pozitën drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Dy orë para mesnatës të së premtes, Ministria e Kulturës kishte njoftuar se TKK-në e ka bërë me Këshill të ri Drejtues. Kësisoj, edhe udhëheqësia e tanishme e MKRS-së e vazhdon praktikën e ndërrimit të organeve drejtuese. Praktikën e qeverisjeve të mëparshme e ka vazhduar edhe sa u përket emërimeve të anëtarëve partiakë në organe drejtuese të institucioneve. Në përbërjen e re nuk ka vend asnjëri prej anëtarëve të përbërjes paraprake, mandati i të cilëve nuk zgjati as një vit.

Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi – si përfaqësuese e MKRS-së – janë shtatë anëtarët e emëruar prej ministrit Hajrulla Çeku.

Vetë ministri Çeku gjatë fushatës elektorale kishte thënë se do të bëjë departizim të institucioneve kulturore. Por, me emërimin e regjisores Shkurte Aliu në organin më të lartë drejtues të TKK-së, e ka bërë të kundërtën. Aliu është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, parti të cilës i takon edhe ministri Hajrulla Çeku. Në zgjedhjet e vitit 2017, Aliu ka qenë edhe kandidate e LVV-së për deputete. Ajo mbante numrin 42. Nuk ia kishte dalë që të ulej në Kuvendin e Kosovës.

Në 10 tetorin e 2020-s, anëtarë të KD të TKK-së qenë emëruar Agron Shala, Ramadan Musliu, Feim Maliqaj, Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Samka Ferri e Ismet Azemi. Poeti e kritiku letrar Ramadan Musliu vdiq pak ditë më vonë, e në vend të tij qe emëruar Munish Hyseni, drejtor i Bibliotekës së qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani”. Samka Ferri u tërhoq në shkurt, për t’u zëvendësuar me drejtorin e Teatrit të Podujevës, “Avdush Hasani”, Agron Gërguri. Këshilli tashmë i shkarkuar, më 11 mars të këtij viti, e vlerësoi Naser Shatrollin për drejtor të përgjithshëm të TKK-së. Në garë ishin edhe Kushtrim Sheremeti e Blerim Krasniqi. Një “finale” e tillë qe paralajmëruar ende pa nisur procesi. Ministrisë së Kulturës s’do t’i bënte përshtypje se po favorizohej punonjësi i saj, e kur edhe u zyrtarizua shpërthyen akuzat për politizim.